Rita Petro, Poete Laureate e Shqipërisë për 2025-2027
Rita Petro mban titullin Poete Laureate e Shqipërisë për 2025-2027, një vlerësim i dhënë nga QKLL. Pas këtij çmimi, ajo pritet të ketë një mision aktiv publik, për ta afruar poezinë bashkëkohore me lexuesit, veçanërisht të rinjtë, përmes aktiviteteve kulturore dhe leximeve.
Poetja dhe publicistja e njohur Rita Petro u shpall "Poete Laureate" për dyvjeçarin 2025-2027, një nga vlerësimet më të larta në fushën e poezisë shqipe, dhënë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Ceremonia solemne u zhvillua në sallën "Aleks Buda" të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke shënuar edicionin e tretë të këtij çmimi, i cili synon të kthehet në një traditë të qëndrueshme për jetën letrare shqiptare.
Titulli “Poeti Laureat” iu akordua Rita Petros me motivacionin:
“Në krijimtarinë e saj prej afër tri dekadash në lëvrimin e poezisë shqipe, ajo ka përcjellë origjinalitet në trajtimin e temave të guximshme, me sinqeritet intelektual dhe me kapërcime e tronditje të tabuve konvencionale e të vjetra moralistike. Poezia e Petros përcillet si provokuese, që çliron energji ndikuese për emancipim individual dhe shoqëror.”
Përzgjedhja u bë nga një juri profesionistësh letrarë, e përbërë nga Primo Shllaku (kryetar), Ymer Çiraku, Aleksandër Çipa, Majlinda Rama dhe Koloreto Çukali.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, në fjalën e saj theksoi rëndësinë institucionale dhe kulturore të këtij vlerësimi:
"Më vjen shumë mirë që kjo iniciativë e nisur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit tashmë po kthehet në një traditë të mirë për kulturën shqiptare dhe për poezinë shqipe. Ky edicion, i cili finalizohet me poetin e tretë laureat të vendit, uroj që të shërbejë për të nxitur kulturën e krijimit, për të inkurajuar të rinjtë që shkruajnë poezi, për të shtuar aktivitetet që kanë në fokus vargun shqip, për të rikthyer sytë nga tradita, por edhe për të folur më shumë për bashkëkohësinë."
Kryetari i jurisë, shkrimtari Primo Shllaku, nënvizoi se vendimi u mor me shumicë votash dhe se Rita Petro përfaqëson një nga zërat më të veçantë të poezisë pas viteve ‘90.
“Juria pesëvetëshe, e ngarkuar nga QKLL për përzgjedhjen e Poetit Laureat për vitet 2026-2027, vendosi që laureate e këtij dyvjeçari të jetë poetja e mirënjohur Rita Petro.”- deklaroi ai.
Shllaku u ndal gjerësisht në krijimtarinë e saj, duke e cilësuar si një poezi antropocentriste, që vendos njeriun në qendër dhe thyen shabllonet moralizuese:
“Rita Petro hyri në letërsi me vrull provokues, si pjesë e atij brezi që kërkonte një ndjeshmëri tjetër, larg realizmit socialist. Ajo derdhi pa hesap një sinqeritet që letërsisë shqipe ndoshta i kishte munguar gjithmonë, duke çmitizuar tabu dhe duke e bërë trupin, psikikën dhe erotizmin pjesë të diskursit poetik.”
Shllaku kujtoi gjithashtu veprat kryesore të autores, nga “Vargje të përfoluna”, “Shija e instinktit”, “Vrima”, “Kënga e turmës”, romani autobiografik “Lindur së prapthi”, deri te megapoema e fundit “Poema e mungesës”, si dhe vlerësimet e shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Profesori Ymer Çiraku, anëtar i jurisë, foli për procesin e vlerësimit dhe përgjegjësinë e zgjedhjes.
“Të mbërrish në një gjykim të tillë, përballë kontributeve të shumta të poetëve shqiptarë, nuk është aspak e lehtë. Në këto raste, nuk ka rrugë tjetër veçse të shquash ‘një të parë mes të barabartëve’.”
Ai theksoi se Rita Petro solli një frymë të re dhe guximtare në poezinë shqipe.
“Është e njohur për kapërcimin e konvencioneve dhe tabuve të atrofizuara të shoqërisë. Ajo skalit në poezi personalitetin e njeriut, veçanërisht të femrës, që synon të jetë e lirë.”
Çiraku hodhi edhe idenë që në të ardhmen Poeti Laureat të konceptohet si një institucion kulturor, me mbështetje konkrete për aktivitetet e tij.
Në fjalën e saj, Rita Petro e pranoi titullin me mirënjohje dhe përgjegjësi, duke theksuar se poezia për të nuk ka qenë kurrë privilegj elitar:
“Poezia ka qenë një mënyrë e të jetuarit me guxim, ndaj vetes dhe ndaj botës. Ajo nuk ekziston për të dhënë mësime morale, por për të na provokuar e ndriçuar thellë brenda vetes.”
Ajo e cilësoi rolin e Poetit Laureat si një mision publik: “E shoh këtë titull jo si kurorë dafinash, por si detyrë për ta mbajtur poezinë bashkëkohore shqipe sa më të pranishme, veçanërisht te të rinjtë, përmes leximeve publike, punëtorive të shkrimit dhe bisedave të hapura.”
Petro theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave të lira shprehëse, pa frikën e autocensurës dhe bullizimit, si dhe bashkëpunimin me shkolla, biblioteka dhe hapësira kulturore, brenda dhe jashtë Shqipërisë:
“Misioni im shkon përtej kufijve që i ndajnë shqiptarët. Fjala poetike u përket të gjithëve, kudo që jetojnë.”
Më pas anëtari i jurisë, Koloreto Çukali, u ndal te nevoja për orientim estetik në poezinë e sotme.
“Ka shumë dëshirë për të shkruar poezi, ka talente, por shpesh mënyra e shprehjes është e çorganizuar. Roli i Poetit Laureat është të tregojë se ku është ‘mali’, jo vetëm me atë që shkruan vetë, por duke bërë zhurmë kulturore.”
Ceremonia u mbyll me interpretimin e disa vargjeve të Poetes Laureate tashmë, Rita Petros, nga aktori Dritan Boriçi, duke i dhënë fjalës poetike një prani të gjallë dhe emocionale në skenë.
Ky vlerësim i jep poezisë një hapësirë më të gjerë në vëmendjen publike dhe riafirmon fuqinë e saj si mjet reflektimi, ndërgjegjësimi dhe dialogu shoqëror, duke e vendosur Rita Petron në qendër të këtij misioni kulturor për dy vitet në vijim.
RITA PETRO (profil)
Rita Petro është poete, prozatore, publiciste dhe botuese, një nga zërat më të spikatur të poezisë shqipe pas viteve ’90. Ajo hyri në letërsi në periudhën e pasndryshimeve politike, duke u dalluar që herët për një poezi provokuese, të drejtpërdrejtë dhe të çliruar nga shabllonet moralizuese, ku në qendër vendoset njeriu, trupi, ndjeshmëria dhe liria individuale, veçanërisht ajo e gruas. Ka nisur botimet me vëllimin poetik “Vargje të përfolura” (1994), pasuar nga “Shija e instinktit” (1998), si dhe nga vëllimet “Vrima”, “Kënga e turmës”, që e konsoliduan zërin e saj origjinal në poezinë bashkëkohore shqipe. Është gjithashtu autore e romanit autobiografik “Lindur së prapthi”, i nominuar për çmim kombëtar në vitin 2022 dhe për Çmimin Europian të Letërsisë (EUPL) 2024. Në vitin 2024, ajo është paraqitur para lexuesit me megapoemën “Poema e mungesës”. Për krijimtarinë e saj është vlerësuar me Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skëndo” (2014), Çmimin e Karrierës për poezi (2015) dhe Çmimin “Beratinus” (2025), ndërsa ka qenë e nominuar për çmim kombëtar edhe për vëllimin poetik “Vrima” në vitin 2014. Së fundmi (2025), ajo është paraqitur para lexuesit me megapoemën “Poema e mungesës”. Paralelisht me veprimtarinë letrare, Rita Petro drejton Shtëpinë Botuese ALBAS dhe ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm në botimin, promovimin dhe përhapjen e librit dhe letërsisë shqipe bashkëkohore.
Përgatiti Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Shënim mbi romanin "Martesa e palumtur e Stanishit" nga Anxhela Pashaj, anëtare e Klubit të Leximit Albas
Fjala dhe fuqia e saj në Ditën Ndërkombëtare të Librit - Urimet e disa prej autorëve shqiptarë