INTERVISTË

Rrëfen Dr.Rexhep Rada: Profesori Digjital, transformimi i pedagogëve në kohë COVID-i

Në një intervistë Rexhep Rada, pedagogu i Teknologjisë së Informacionit dhe njëkohësisht Doktori i Shkencave në Sisteme Informacioni ka folur për protagonizmin e mësimit online në tërësi dhe për eksperiencën me studentët e tij në këtë drejtim.

Në këtë kohë mësimdhënie online kanë qenë të shumta vështirësitë që kanë hasur si mësimdhënësit ashtu edhe prindërit e nxënësit. Por duke e hedhur vështrimin nga avantazhet, duket se ato do t’i shërbejnë një eksperience për të cilën më parë kemi folur e që tashmë është shndërruar në realitet dhe  mbase do të na shërbejë në të ardhmen. Pedagogu i Teknologjisë së Informacionit në universitetin e Elbasanit e Tiranës dhe njëkohësisht Doktori i Shkencave në Sisteme Informacioni, Rexhep Rada, ka vlerësuar anët pozitive të mësimit online, duke u bazuar tek përvoja e tij aktuale me studentët. Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën që ai ka dhënë për Portalin Shkollor.



Shqipëria iu bashkua e detyruar një trendi të ri të mëdhimshënies, që është mësimi online. Ju vetë e keni “prekur” këtë eksperiencë me studentët tuaj tashmë!  A po rezulton produktive kjo lloj mënyre mësimdhënie?  


Shkollat kanë 40 ditë të mbyllur si godina, por mësimdhënia është me e kudondodhur se kurrë. Interneti, platformat e shumta, aplikacionet mobile bënë të mundur përçimin e dijes në këtë situatë të pabukur. Koronavirusi mund të rrijë me ne gjatë, askush nuk mund të parashikojë periudhat kohore, por një gjë është e sigurtë: "Ne do ndryshojmë mënyrën e të jetuarit"... dhe rrjedhimisht mënyrën e të mësuarit. Mjetet e Teknologjisë së Informacionit janë të vetmet që po arrijnë ta bëjnë këtë gjë. Që në ditët e para kam organizuar aktivitetin tim mësimor në platformat e Google Clasroom dhe Meet. Ngarkoj leksionet e mia në formate të ndryshme, ushtrime të zgjidhura dhe per t'u zgjidhur individualisht dhe në grup.



A është mësimi në prezencë i barabartë me mësimin në internet apo online?


Normalisht nuk është njësoj me kontaktin real në klasë i cili mungon shumë dhe është më ndikues në mësimnxënien, sidomos tek studentët me vullnet më të ulët. Por nga ana tjetër interaktiviteti u rrit ndjeshëm pasi rregullsia formale dixhitale me data skadencë e punë individuale detyroi aktivizimin masiv te studenteve. 



Si janë të aktivizuar ata, si paraqiten në këtë mënyrë të re studimi? 


Gjatë seancave online thuajse të gjithë studentët janë të pranishëm dhe ndërveprimi me anë të mikrofonit është shumë i ngjashëm me orët mësimore në klasat reale. Dhe mos harrojmë gjënë më të rëndësishme, studentët ndjejnë mbështetjen e pedagogëve, janë të angazhuar dhe jo të lënë pas dore në këtë situatë disi stresuese. Shkolla duhet të jetë lokomotiva e shoqërisë, dhe jo vagoni ndjekës i saj.



E drejtë, në fakt syresh këto anë pozitive të mësimdhënies online duhen përmendur pse jo, si një eksperiencë e papritur por që mësuesit e pedagogët nuk e anashkauan dhe po bëjnë përpjekjet e tyre maksimale. Mund të na përmendësh një avantazh disi më të rëndësishëm? 


Një tipar tjetër pozitiv i kësaj mënyre të re të mësuari është pavarësia e studentëve. Mbase për herë të parë studentët shqiptarë po tentojnë të shkëpusin disi varësinë e kujdestarisë që i lidh pedagogët e tyre.

Foto: Profesori Rexhep Rada me studentët e tij gjatë një ore mësimi online 

Për ju si profesor i Teknologjisë së Informacionit mbase kjo mënyrë mësimi ka qenë më e lehtë, po nga kolegët tuaj si është pritur? 


Platformat digjitale të përdorura janë shumë "user friendly" dhe mund të përdoren lehtësisht dhe nga pedagogët e tjerë, që nuk janë si ne, të profilit të Teknologjisë së Informacionit. Gjithësesi është normale që në këtë fazë të ketë mësimdhënës që kanë nevojë të përmiresojnë leksionet e tyre online. Por duke e parë situatën me sy real dhe pozitiv, përmirësimet janë të ndjeshme dhe profesionaliteti po rritet.

 

A jeni ndjerë të mbështetur me direktiva dhe udhëzime nga instiucionet përkatëse për të zhvilluar mësimdhënien online? 

Ministria e Arsimit ka dhënë direktivat e duhura dhe ka ndjekur procesin hap pas hapi për të bërë më të mirën për studentët dhe pedagogët. Strukturat e Rektoratit të Universitetit të Elbasanit kanë krijuar gjithë lehtësirat e nevojshme duke trajnuar dhe stafin dhe u siguruar për mbarëvajtjen e mësimit online.

Duhet përmendur patjetër që sidomos në arsimin parauniversitar, mësuesit dhe prindërit janë heronj të vërtetë në mirëmenaxhimin e procesit mësimor digjital. Kishim kaq kohë që flisnim për protagonizmin e mësimit online... tashmë situata e shndërroi në realitet...



(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)


© Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,997 Lexime
4 vjet më parë