Reflektim

“Rrezatimi prindëror” shkrim reflektues nga mësuesi Myrto Hysaj

Kjo ditë kishte shumë kuptim për këta nxënës. Klasa ishte e pastër si vetë rrobat e tyre dhe dashuria prindërore si ajo e babait të Reinës. Kjo ditë nuk ngjante si dita e parë e shkollës, por dita kur besuam se edhe prindërit ndriçojnë klasën, bankën, jetën tonë...

Muzgu sapo ishte afruar. Tashmë perdet hijelehta, që hijeshonin fasadën e sallonit të shtëpisë sonë, e ndanin errësirën nga drita e llambadarit, që tek sytë tanë sillte dhe freskinë e bojës hidromat. Mosha e shtëpisë mbetej rinore. Çdo mbrëmje te salloni, mbushur me ajër të pastër, bashkoheshim te "mbretëria prindërore" ku hapeshin e mbylleshin biseda që nga ato shkolloret, socialet, të ditës dhe të ardhmes...por kjo mbrëmje u përjetua ndryshe nga të tjerat. 


Reinës si padashje sytë i kishin mbetur tek fasadat n'dritësim. Ato kishin luksin e shkëlqimit. Pa u mbyllur mirë dyvjeçari, visheshin me freski hidromati. Por asaj diçka ia rrëmonte mendjen, e për më tepër ajo pjesë e shkollares së brishtë. 


Nga ndryshimet e mimikës së fytyrë shfaqte ndjesi keqardhjeje. E për çfarë shqetësohej ajo? Kjo u kuptua tek bashkëbisedimi me babin. Diskutimin e ndezi hijeshia e bojatisjes së mjedisit apo ambientit familjar në kontrast me atë që vetëm hijeshi s'mund të ishte tek mjedisi shkollor ku ajo mësonte. 


Vetëm duke e parë mjedisin e jashtëm të shkollës, kuptohej shqetësimi jo vetëm i këtij fëmije, por edhe i komunitetit që vetëm me shtrembërim buzësh fliste mjaftueshëm. 


Pamja e vjetër e godinës shkollore dhe peizazhi i gjelbër në harlisje, sikur ishin familjarizuar me njëri-tjetrin.  Por "familjarët" e vërtetë që përtërinin çdo copëz të këtij mjedisi diturie dhe edukimi e meritonin të pastër, të lyer dhe të rregullt këtë mjedis dhe si shëmbëlltyrë në ardhmërinë e jetës së tyre! Ditë e parë e shkollës, vetëm fëshfëritje çante mbi krahaqafë tek vogëlushët deri tek adoleshentët,  mjaftonte të kuptohej si quhej kjo ditë. E kush mund t'i kuptonte tek ai çast buzëqeshjet e tyre më mirë se kjo DITË e PARË e shkollës? Peshën e këtyre fjalëve e besojmë të gjithë,  por më së shumti ne mësuesit që këto ndjesi i mbartim në qenien tonë prej shumë dekadash. Meqë erdhi rasti le të kujtoj për një moment Rejnën,  nxënësen e klasës së parë. 


Në ditën e parë të shkollës kishte ardhur si rrallë moshatare e saj. Që nga këpucët atletike të bardha,  deri tek fjongo e kuqe mbi flokët kaçurrel. Kishte vërtet imazhin e nxënëses që dhe natës ia kishte falur orët e gjumit. Kushedi se nga kishte flatruar ëndërrim i saj. Si për ta plotësuar bukurinë e kësaj dite,  në dorë mbante lule natyrale. Herë buzëqeshte, e herë shikonte si e rritur duke u ngritur majë gishtërinjve. Sytë ia hidhte motrës, Ylldritës që rrinte më e përqendruar në rrethin tek vijëzim i klasës së gjashtë. Ato i bashkonte një oborr, por ndaheshin nga katet e godinës shkollore. Fjala përshëndetëse e "Mirë se ardhjes" nga mësuesi pasionant dhe fjalëmbël i letërsisë, na emocionoi deri në motivim për dashuri dhe arritje në këtë rrugëtim shkollor vërtet sfidues dhe, për faktin që të gjithë ne dhe kudo në mbarë planetin, te fillim viti mësimor gjithë peshë e trupit të çdo shkollari dhe studenti, "përmblidhej" mes një rrethi me kuptim për çdokënd këtu e pafund te çdo institucion edukativ socialë. . . E përsëri fjalë e tij bashkoi fytyrat e gjithë nxënësve tek "tribuna" e mësimdhënësve që tashmë shikonin nëse ishte plotësuar dhe rrethi i fundit. Kjo ditë filloi dhe mbaroi mes gumëzhitjeve plot gjallëri. 


Në vazhdim pas dy ditësh te porta e shkollës u ndal një autoveturë me një shkallë portative mbi portobagazhë. Pa u rreshtuar mirë nxënësit, drejt nesh po vinte një mesoburrë, veshur me kominoshe dhe tek dyja duart mbante kova plastike me ngjyrim në ambalazh. E njohëm. Ishte babai i dy shkollareve shembullore. Kishte ardhur për të lënë mjetet e punës dhe bojën, se punën do e kryente pasdite. Vetëm pak kohë na mjaftoi për të kuptuar se kush e kishte bindur të vinte deri këtu. Ditën e hënë të javës së dytë të vitit mësimor në bashkëbisedim me vetë Reinën mësuam rrjedhën e këtij episodi një herë me fjalë,  e më pas me vepra. Ajo po na tregonte se çfarë i kishte shprehur prindërve një ditë mbas fillimit të Vitit të Ri mësimor.

 

Ne e dëgjonim dhe në të njëjtën kohë forconim bindjen se bashkë me prindër arrinim shumë. Ajo vazhdonte; "Përshtypja e parë më erdhi nga fasadë shkolle si e tymosur nga mjegullnajë vitesh. Në vazhdim korridoret dhe klasat, disa të lyera e disa si plakushe. Ajo që më ndriçoi sytë ishte klasa ku do zhvillonte mësim motra ime e vogël Ylldrita. Më rrëmbeu një ‘xhelozi’ kur ngjitur saj,  ku na ndante vetëm një rreshtim pllakash korridori, vinte kopshti i lyer për bukuri. Ndërsa klasa jonë mos pyet fare. Sapo u ktheva tek shtëpia, mes të tjerash një ndjenjë padrejtësie më nxiti të shprehem. Mami si përherë më përkëdheli dhe u përpoq t'më mbante mes gëzimit të fillim shkollës. Donte të mos cenohej kurajo e optimizmi për ditët në vazhdim. Ajo e mirëkuptoi gjendjen time, mbasi e njihte mjedisin shkollor, sepse na shoqëronte pothuajse çdo ditë duke i ndarë orët e ditës me ne. E dinte se çfarë mbulonte bashkia, dhe çfarë drejtoria arsimore. Nuk kuptoja shumë nga kjo pjesë administrimi”. 


Po atë çast u dëgjua një tringëllimë metalike. Vinin nga togzat e kominosheve të punës së babait. Në shtëpi e sillte perëndim dielli. Prej disa ditësh me një grup pune po lyenin një shkollë të sapo ndërtuar, shkollën "Naim Frashëri". Aty do mësonte dhe shoqja ime Esra. Mbasi u përshëndetëm ngrohtësisht dhe si për mbarësi te fillim viti mësimor vazhduam bashkëbisedimin. Në vazhdim babai afroi shprehjet domethënëse: "Ah e bukura e babit! Dikush i nënës, e dikush i njerkës". Dhe unë sa mbaroi babai mendimin e tij trajtuar si thënie popullore, s'po më pritej t'i tregoja situatën në mjedisin e shkollës sonë. Nga emocionet më thahej pakëz dhe goja, fjalët më rrëshqitnin si me ngashërim. 


Babai u prek aq shumë, sa mori telefonin dhe seç foli me një shokun e tij. Ardhja e tij të nesërmen tek shkolla me furgonçinën, ku e përdorte sa herë shkonte diku për punë, më bindi se fjalët kishin zënë vend në dashurinë dhe respektin prindëror. Aq më shumë kur i bëja pyetjet: "Pse i shpenzuat gjithë ato para për rroba të reja? Po librat që i morëm falas nuk ishin nga taksat tuaja? A e meritojmë një klasë të lyer pse jo dhe më shumë se një?! E kuptova shqetësimin dhe përkushtimin e tij. Atë natë te fytyrë e tij bashkë me buzëqeshjen i vinte një ngrysje. Për mua ato çaste m'u afruan si motiv i një ‘eseje’. Fillova të ndërtoja esenë e parë të krahasim-kontrastit. Krahasime mes veshjeve të reja dhe mjedisit shkollor të vjetruar". Ajo nuk mbaroi këtu, por vazhdoi me ardhjen e tij tek shkolla jonë e dashur. Nga kjo natë mora dhe ndjesitë e ngrohtësisë prindërore sidomos kur Belmën nuk e zinte vendi nga shendi se babai mund të vinte tek shkolla mbasi punonte orar pa orar dhe interesimin për ne ia kishte "besuar" mamit. Kështu motra ime e vogël sapo kishte hapur krahët rreth trupit të babit dhe gëzueshëm e shtrëngonte fort. 


E ku kishte rreth më të sigurt dhe mbrojtës se ky, që formonin krahët e motrës?!

Të nesërmen mësuesja i porositi fëmijët të sillnin nga një germë prej polisteroni. Mbasi ua tregoi për mirësinë e babait të Reinës dhe Ylldritës. 


Kjo ditë kishte shumë kuptim për këta nxënës. Klasë e pastër si vetë rrobat e tyre dhe dashuri prindërore si ajo e babait të REINES. Kjo ditë nuk ngjante si dita e parë e shkollës por dita kur besuam se dhe prindërit ndriçojnë klasën, bankën, jetën tonë. Shkronjat që sollëm, mësuesja i vendosi te stenda ku lexohej: "Faleminderit prindër të dashur!". Në sytë tanë me rrezatim prindëror kishim dhe atë për shkollën, mësuesit tanë të përkushtuar. Kështu vendosëm aty në ditët në vazhdim portretet dhe dedikimet për prindërit tanë!



Nga Myrto Hysaj, shkrimtar, mësues gjuhë-letërsi, shkolla 9-vjeçare “Myselim-Postribë”


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,584 Lexime
2 vjet më parë