Intervistë

“...Samiu ka qenë, është dhe do të jetë më i miri”

Drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri”, Teuta Dobi, tregon se si është të drejtosh gjimnazin i cili është renditur i pari në Kartën e Performancës të gjimnazeve publike të Tiranës.

“Për mua të drejtoj një shkollë të tillë është përgjegjësi, detyrim të jem në lartësinë e duhur por edhe kënaqësi pasi e gjithë lodhja të shpërblehet kur ke nxënës të tillë të mrekullueshëm”, kështu shprehet drejtoresha Teuta Dobi teksa e pyesim se si është për të drejtojë një shkollë me 1600 nxënës. Kjo shkollë është renditur e para në Kartën e Performancës të gjimnazeve publike të Tiranës në vlerësimin e bërë nga MAS në bazë të rezultateve të shkollës.


Si është dita juaj e punës në shkollën “Sami Frashëri”?

Të qenit drejtuese në gjimnazin “Sami Frashëri” për mua është nder, krenari dhe njëkohësisht përgjegjësi e madhe.

Dita e punës time nis në mëngjes në orën 07:30 dhe përfundon në orën 18:30 derisa mbaron edhe turni i dytë i mësimit. Zakonisht e nis ditën me kontrollin e ambienteve të mësimit, me komunikimin me mësuesit për të parë nëse kam mungesa, me mësimin (sepse unë jap lëndën Matematikë e Thelluar për klasat e XII-a), me takime operative me mësuesit dhe presidentin e shkollës ku bëjmë planet për organizimin e mëtejshëm të punës në shkollë, të aktiviteteve.

Për organizimin e aktiviteteve ne bashkëpunojmë shumë fort me Bashkinë e Tiranës dhe DAR-Tiranë (kemi marrë pjesë në Maratona e Tiranës, mbajtjen pastër të qytetit, gjelbërimin etj.), me ministrinë e Mbrojtjes (specialistë të policisë së shtetit dhe ekspertë të huaj kanë mësuar nxënësit si të respektojnë rregullat e qarkullimit), me Ministrinë e Arsimit (për kurrikulën e re, trajnime), me Kryqin e Kuq Shqiptar për Shërbimin komunitar etj.


Sa nxënës ka në shkollën tuaj?

Shkolla ka 1600 nxënës, për këtë arsye dhe impenjimi i stafit drejtues dhe i mësuesve është shumë i madh. Po të kemi parasysh këtu edhe nivelin e nxënësve që është nga më të lartët, shkolla jonë është renditur e para në Kartën e Performancës të gjimnazeve publike të Tiranës. Vlerësimi është bërë nga MAS në bazë të rezultateve të shkollës.


Si është marrëdhënia juaj me nxënësit?

Marrëdhënia ime me nxënësit është shumë e mirë, unë i konsideroj ata shumë të rëndësishëm, si fëmijët e mi. Prindërit na kanë besuar dritën e syve të tyre dhe ne jemi të detyruar të justifikojmë besimin.


Cili është momenti më i vështirë për ju si drejtuese e shkollës?

Momenti më i vështirë për mua është shtatori kur prindërit dynden në dyert e shkollës time për të regjistruar fëmijët e tyre. Të gjithë duan më të mirën për fëmijën por mundësia jonë nuk është që t’i plotësojmë të gjitha kërkesat. Ndonjëherë them, nuk mundem të marr në shkollën “Sami Frashëri” të gjithë nxënësit e Tiranës.


Cila është motoja e shkollës tuaj?

Motoja e shkollës sonë: Sot janë nxënësit krenarë për shkollën, nesër do jetë shkolla krenare për nxënësit e saj.


Është e vështirë të punosh me “më të mirët”?

Duke punuar me më të mirët ke sodisfaksion, por edhe detyrim të jesh në lartësinë e duhur të kërkesave që ata kanë të cilat janë të larta.


Çfarë do të thotë për ju të drejtoni një shkollë?

Për mua të drejtoj një shkollë të tillë është përgjegjësi, detyrim të jem në lartësinë e duhur por edhe kënaqësi pasi e gjithë lodhja të shpërblehet kur ke nxënës të tillë të mrekullueshëm.


Çfarë metodash përdorni për të motivuar mësuesit, po nxënësit?

Motivimi i stafit bëhet me mënyra të ndryshme, për mësuesit në mbledhjet e këshillit pedagogjik përmenden emrat si shembull për t’u ndjekur për punën e mirë. Për nxënësit në fillim të javës pasi këndohet Himni Flamurit në qendrën e zërit unë përmend emrat e nxënësve që janë aktivizuar nëpër aktivitete të ndryshme e janë nderuar me çmime ose klasat me rezultate më të mira.


Po afrojnë festat e fundvitit, a është ndier kjo atmosferë në shkollën tuaj?

Atmosfera e fundvitit është e mrekullueshme në shkollën tonë. U bë konkursi midis klasave për klasën që ka bërë zbukurimin më të mirë dhe fituese dolën 5 klasa të cilat do të lejohen të bëjnë një ekskursion jashtë Tiranës. Gjithashtu nxënësit e shkollës çuan dhurata te shkollat 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” për nxënësit e tyre. Mësuesit festuan tek “Stela Resort” me ftesën e Ministrit të Brendshëm Z. Saimir Tahiri. Nxënësit festuan veç e veç me klasat e tyre. Më pas u organizua një parti i madh për të gjithë shkollën. Shfaqja e fundvitit u organizua tek salla e konferencave.


Cili është urimi juaj për festat e fundvitit?

Urimi im për shkollën është: Gëzuar, shëndet e mbarësi në familje dhe sa më shumë arritje në procesin mësimor edukativ dhe sa më shumë vende të para se Samiu ka qenë, është dhe do të jetë më i miri.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

6,409 Lexime
7 vjet më parë