Botim i ri

Serisë për fëmijë iu shtua libri “Më quajnë Eqrem Çabej” me autor Luan Ramën

Shtëpia botuese Albas ka nxjerrë nga shtypi librin për fëmijë “Më quajnë Eqrem Çabej”, me autor Luan Ramën dhe ilustrime nga Entela dhe Sulid Kasemi, pjesë e kolanës “Më quajnë...”, kolana me biografitë e personazheve botërore e shqiptare

Serisë për fëmijë "Më quajnë..." nga Albas, me figura të shquara të kulturës shqiptare iu shtua dhe një libër, ai për gjuhëtarin tonë të çmuar Eqrem Çabej

Një shkrim biografik i ritreguar në vetën e parë nga Luan Rama në mënyrën më mbresëlënëse për fëmijët e të rinjtë dhe po të tilla janë dhe ilustrimet nga Entela dhe Sulid Kasemi. Ky libër u përgatit me kujdes të veçantë redaktorial nga Dorina Basha dhe kryeredaktorja e shtëpisë botuese “Albas” Natasha Pepivani ; arti grafik nga Semela Mero. Në këtë libër tregohet jeta dhe vepra e një prej personaliteteve më të spikatura të filologjisë shqiptare, gjuhëtarit dhe albanologut Eqrem Çabej, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e etimologjisë dhe të historisë së gjuhës shqipe. Libri shoqërohet nga ilustrime të pasura, të frymëzuara nga epoka, që na zhytin në kohën dhe botën e tyre. 


"Fëmijë të dashur të vendit tim… jeta e njeriut ka gjithnjë vlerë kur i shërben shoqërisë dhe përparimit, duke u lënë diçka brezave që vijnë. Kështu ka ndodhur në shekuj. Fati e solli që për vite me radhë të punoj për gjuhën tonë të dashur dhe historinë dhe duhet ta dini se në rrënjët e gjuhës dhe kulturës sonë të lashtë qëndron kryesisht identiteti ynë si shqiptarë. Është gjuha që kemi belbëzuar që në agun e jetës sonë, fjalë të çmuara si nënë, atë, mëmëdhé, fjalë me të cilat shprehet gjenia e një populli. Çdo fjalë ka një histori. Për këto fjalë të çmuara kanë luftuar patriotët tanë të mëdhenj, nga Bogdani, Buzuku, Budi e shumë të tjerë më vonë. Disa prej tyre kanë dhënë dhe jetën. Ja pse duhet punuar gjithnjë për gjuhën, madje duhen kërkuar dhe ato fjalë të moçme që përgjumen në shekuj dhe që duhen përdorur në ditët tona. Gjuha është një thesar i madh dhe i pazëvendësueshëm", shkruhet në një fragment të këtij libri. 

Rreth dy muaj më parë ky libër fitoi çmimin e librit didaktik më të mirë për fëmijë, me motivacionin “Një tekst letrar që mbart vlera të spikatura didaktike, përmes kultivimit artistik të dijes dhe vlerave kombëtare për fëmijët, me një ligjërim të zhdërvjellët e të ilustruar bukur”.  Ministria e Kulturës shpalli 5 fituesit e fondit “Krijimtaria letrare për fëmijë”. Mes 27 aplikuesve, juria përzgjodhi pesë veprat më të mira në kategoritë poezi, roman, rrëfenja, përrallë, libër didaktik, ku  u dallua libri “Më quajnë Eqrem Çabej”, nga seria e librave “Më quajnë...” e shtëpisë botuese “Albas”.

(Portali Shkollor) 

1,919 Lexime
4 vjet më parë