DEDIKIM

Sfida e radhës, jo provimi i jetës

Nesër nuk jeni përballë provimit të jetës, as të formimit tuaj me parime, po të dijeve të fituara përmes mësimdhënies të mësonjëtorëve të mirë e të këqinj...mos e rrudhni veten, keni kohë për ato barra që do ju japë jeta...

Binjakeve Mina dhe Klevia


Para 18 vitesh, duke sfiduar dhimbjet ju solla në jetë. Më vutë para një sfide të re, të kujdesesha për të trija ju bija të mija, të rritesha për vete, të përballoja atë pjesë të hidhur të shoqërisë plot të panjohura të mbushura me prapaskena, inate, xhelozi, smirë, urrjetje të çuditshme që lindin përditë në shpirtra të vegjël. 

Unë ende kam për të mësuar nga ju. 

Po ajo që më mundon është koha juaj, sfida juaj, me veten, me ne, me të tjerët. 

Nënë, mësuese, vëzhgonjëse.

E para e punës neser nuk jeni përballë provimit të jetës, as të formimit tuaj me parime, po të dijeve të fituara përmes mësimdhënies të mësonjëtorëve të mirë e të këqinj, nuk dua të mendoni se do jua kursej të vërtetën. 


Ka mësues që janë atribut i boshtit tuaj, falenderojini gjithë jetën, jo kur të mbaroni punë ti harroni, ka mësues që ju forcuan qëndrueshmërinë tuaj, falenderojini edhe pse është misioni i tyre, kujtojini gjithë jetën, siç bëtë tërë këto vite kur vinit në shtëpi dhe ndanit shqetësimet e orës së mësimit me nënën tuaj. Po ka dhe nga ata që ju sfilitën, ju ngatërruan shijet, ju vunë përballë situatave të pakëndshme,falenderojini dhe ata se në thelb asnjëri rol i shfaqjes së tyre pavarësisht shijes, nuk duhet të ju ndalë.


Gjithçka duket e lehtë në sytë tuaj, sepse jeni nga ai brez që ju ndjekin dukuri të shëmtuara të panjohur në rininë tonë. Po unë ju dua të mendoni bukur, të keni interesa j vetëm për veten tuaj, të neveritni dredhitë, e padrejtësitë.


Unë dua që zemra juaj të ketë arsye të qeshë e të mos ta pushtojë hesapi, ama nuk ju gënjej nuk dua të qeshni me budallallëqe moshe që kanë subjekt bullizmin.


Duke ju njohur mirësinë tuaj, pafajsinë tuaj, sinqeritetin tuaj unë shpresoj se ju duhet të ruani edhe pak vite këto cilësi, mos e rrudhni veten, keni kohë për ato barra që do ju japë jeta.


E tash.

Hajt se do ia dilni!



(Dr. Ermira Ymeraj; Portali Shkollor)

4,850 Lexime
4 vjet më parë