Opinion

Sfidat e arsimit 2020 - shkrim i mësueses Arjana Zhubi nga Kosova

Për të gjithë mësimdhënësit lutemi që të përballojnë lehtë këtë murtajë që si duket nuk po i shihet fundi. Kurajo për të gjithë mësimdhënësit kudo që janë, të cilët po arrini të përballoni një tjetër vështirësi në mësimdhënie, vetëm e vetëm që të çoni përpara edukimin e brezave tanë.

Nëse ekziston një vit, që “normaliteti’’ i mësuesve dhe nxënësve që duhet marrë me rezerva, ai është viti 2020. Nga një situatë që deri vitin e shkuar ishte normale, me shumë gjallëri e zhurma të nxënësve, sot nuk duket i tillë. Një vit me shumë sakrifica ekonomike, morale, fizike, psikologjike e sociale që pasojat do i shohim më vonë. Të gjithë u shëndrruam në një shtresë kollapsi të njëjtë shoqërore në tërë botën, duke u përballur me misterin Covid-19. Me një fjalë, gjithçka u tjetërsua këtë vit pandemie.


Pikërisht, virusi Covid-19, ndryshoi edhe sferën e mësimdhënies në gjitha nivelet e sistemit arsimor. Në momentin që NE mësohemi me një rutinë të caktuar, gjërat na vijnë natyrshëm dhe na godasin mu aty ku më së shumti na dhemb, tek “ARSIMI’’. 


Asgjë nuk është normale në këtë vit shkollor. As shkollat, as mësimi, as vlerësimi, as aktivitetet, as qasja me kolegë brenda shkollës, as takimet me prindër. E gjithë kjo situate ndryshoi tërësisht mënyrën tonë të të jetuarit dhe njëkohësisht edhe të mësimdhënies. Tashmë ndryshoi edhe këndvështrimin tonë për jetën. Na sfidoi në shumë forma dhe kemi akoma për të mësuar, folur, ambientuar e shkruar rreth kësaj situate. Megjithatë, fundi do t’i vij dikur, pasi gjithçka që fillon e ka edhe një përfundim. E deri atëherë, ata që po luftojnë për secilin prej nesh, janë pa diskutim, mjekët dhe ata që po luftojnë për çdo nxënës për të rimëkëmbur dinamikat familjare dhe sociale, janë mësimdhënësit. Misioni i tyre ka qenë edhe do të jetë mësimdhënia dhe të nxënit e fëmijëve nëpër klasat e tyre. Edhe sot, ata me shumë sakrificë po përçojnë dijen te nxënësit, por në kushte aspak të zakonta. Të mishëruar me mendje e me shpirt, shkojnë nëpër shkollat e tyre që të japin më të mirën, duke marrë mbi vete rrezikun e kësaj pandemie, në heshtjen dekurajuese se nuk kanë ç’të bëjnë, se zgjedhja nuk është më e tyre. Mësimdhënës heronj të heshtur përballë armikut të padukshëm, njerëz të sakrificës dhe të durimit duke punuar me grupe e orë të zgjatura, me shpërblimin e vetëm për të çuar përpara misionin e tyre të mësimdhënies, të “dorëzuar” përballë fytyrave engjëllore të fëmijëve, të atyre vogëlushëve të pafajshëm, që të ardhmen do t’i kujtojnë me shumë emocione, këto ditë të vështira të jetës së tyre shkollore.


Kur filloi viti shkollor, isha në dyshimet e mia, që më shoqëronin prej disa javësh tashmë, sa do të rezultojë i suksesshëm ky vit, sa janë të rrezikuar fëmijët por mbi të gjitha, sa shumë u janë ekspozuar mësimdhënësit këtij virusi. Në disa raste, u mundova të shprehja me zemërim mendimin e kundërt rreth këmbënguljes së institucioneve përkatëse për të filluar vitin shkollor, në një kohë kur nuk kishim zbritje të numrit të rasteve ndaj virusit, përkundrazi kishim ngritje të saj. Ishte pikërisht kjo periudhë e pazakontë, e mjegullt, e ngarkuar me shumë dilema dhe e brishtë për të gjithë NE, që po na sillte çuditërisht disa vendime të sigurta lidhur me fillimin e shkollës. Ndoshta i gjithë ky entuziazëm, mund të buronte nga përvoja e pandemisë. Dhe, shkollat u hapen me shumë kritere rigoroze sipas OBSH-së, task forcës së formuar në çdo shkollë për të marrë vendime sipas situatave dhe rasteve pandemike që posedojnë institucionet arsimore dhe skenarëve të hartuar nga MASH-i. Por, me fillimin e vitit shkollor në kushte të jashtëzakonshme dhe me dy grupe të ndara të nxënësve nëpër klasa, Covid-19 filloi të merr hov duke u shfaqur te shumë mësimdhënës dhe nxënës. Afër 1 miliardë nxënës në 160 vende të botës kanë ndërprerë shkollën e njohur si vala e dytë për shkak të Covid-19. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, bëri thirrje të gjitha qeverive të botës që të hapin sa më parë mësimin në shkolla dhe universitete sepse botës po i kanoset një katastrofë gjeneratash në arsim, e cila është kategorikisht kundër mbylljes së shkollave nëpër botë, si pasojë e koronavirusit. 


Por, situata mbetet të shihet gjatë ditëve në vazhdim, ku asnjëri nga NE nuk dijë se a do të vazhdohet nesër mësimi. Për të gjithë mësimdhënësit lutemi që të përballojnë lehtë këtë murtajë që si duket nuk po i shihet fundi. Kurajo për të gjithë mësimdhënësit kudo që janë, të cilët po arrini të përballoni një tjetër vështirësi në mësimdhënie, vetëm e vetëm që të çoni përpara edukimin e brezave tanë.


Andaj, këtë vit shkollor mësimi të vazhdojë pa testime të standardizuara, pa vlerësime normale të mësimdhënësve dhe nxënësve, pa detyra të shtëpisë të stërngarkuara, pa aktivitete jashtë kurrikulare, pa lojëra sportive dhe pa angazhime të tepërta për nxënës dhe mësimdhënës.


Ju lutem, na kuptoni! Jemi të gjithë duke lundruar njëjtë nëpër dallgët e furishme të “detit”! Kurseni nxënësit, mësimdhënësit, stafin teknik dhe punonjësit e tjerë në shkollë që të kalojmë edhe këtë sfidë shekullore. Jemi të gjithë një, më të fortë se asnjëherë më parë! Forca!


PhD cand. Arjana Zhubi

Mësimdhënëse e Programit Fillor, Gjakovë

Nëntor, 2020



Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,622 Lexime
3 vjet më parë