Suksesi i nxënësve

Shfrytëzimi i inteligjencave të shumëfishta gjatë mësimdhënies

Mësuesit duhet të vetëdijesohen, por edhe të aftësohen se të gjitha inteligjencat kanë të njëjtën rëndësi, pa i dhënë përparësi asaj që mësimdhënësit e synojnë ose e dëshirojnë te nxënësit e vet, por të ndihmojnë në zhvillimin, identifikimin dhe promovimin e inteligjencave të shumëfishta.

Nxënësit janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, secili ka kërkesa të veçanta, secili percepton, dëgjon, flet, mendon, mëson ndryshe nga tjetri, prandaj secilit duhet dhënë rasti. Ata, gjithashtu kanë edhe stile të ndryshme të të nxënit, të cilat duhet t’i shërbejnë mësimdhënësit për t’ia lehtësuar të nxënit e suksesshëm. Një nxënës mund të ketë rezultate shumë të dobëta në një lëndë, por mund të jetë më i miri në një lëndë tjetër ku kërkohet të demonstrojë aftësitë në një lëndë tjetër (Bogdan & Biklen, 2007).

Kujtoj se, nxënësi që karakterizohet me ndonjë vështirësi në të nxënë, mund të jetë shumë i mirë në ndonjë nga fushat tjera të dijes. Një nxënës, nëse mund të ketë vështirësi në llogaritje matematikore, ai mund të jetë një talent i veçantë në fushën e muzikës apo në ndonjërën nga fushat e tjera.Të gjithë ne jemi inteligjent, në ndonjë fushë të caktuar, dikush edhe mund të ketë, inteligjenca të shumëfishta, por nuk e kemi të zhvilluar në të njëjtin nivel secilën prej tyre. Hetimi i prioriteteve të inteligjencave të shumëfishta në familje nga prindërit dhe në shkollë nga mësimdhënësit, mundëson fuqizimin e talenteve të nxënësve (Armstrong, 1994).


Inteligjencat e Shumëfishta dhe suksesi i nxënësve në shkollë


Dikur, edhe në vendet më të zhvilluara quhej inteligjent ai nxënës që kishte koeficient të lartë të inteligjencës, në matematikë dhe në shkenca natyrore përgjithësisht. Fatkeqësisht, edhe tek ne në sistemet tradicionale arsimore, por edhe në ditët e sotme, theksi vihet më tepër në zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencave gjuhësore dhe matematikore. Pra nuk ia ofrojmë mundësinë secilit nxënës që t’i shpërfaqë aftësitë që ka, të cilat mund të jenë të veçanta te secili nxënës. 


A është e drejtë kjo? Natyrisht që jo. Madje mund të thuhet se është diskriminuese për ata nxënës të cilët, pa fajin e tyre, nuk mund t’i shpërfaqin aftësitë individuale në fusha të caktuara. 


Disa nga arsyet mund të jenë: Mungesa e parapërgatitjes së mësimdhënësve për t’i identifikuar dhe vlerësuar inteligjencat tjera, përveç asaj gjuhësore dhe matematikore, mungesa e interesimit por edhe e njohurive, të mësimdhënësve për inteligjencat që disponojnë fëmijët, dhënia prioritet inteligjencës gjuhësore, matematikore dhe muzikore, vlerësimi shabllon duke iu referuar inteligjencave matematikore dhe gjuhësore etj. Këtu qëndron problemi. Mësuesit duhet të vetëdijesohen, por edhe të aftësohen se të gjitha inteligjencat kanë të njëjtën rëndësi, pa i dhënë përparësi asaj që mësimdhënësit e synojnë ose e dëshirojnë te nxënësit e vet, por të ndihmojnë në zhvillimin, identifikimin dhe promovimin e inteligjencave të shumëfishta.


Teoria e Inteligjencave të Shumëfishta thekson se ka kaq shumë mënyra me anë të të cilave njerëzit shfaqin talentet e tyre brenda një  inteligjence dhe midis inteligjencave. 


Gardneri sugjeron se secili prej nesh ka aftësinë për të zhvilluar të gjitha inteligjencat në një nivel të arsyeshëm nëse inkurajohet, nxitet dhe instruktohet ashtu si duhet (Gardner, 1983).

Si pasojë, nuk ka asnjë strategji që do të funksiononte në mënyrë të shkëlqyer gjatë gjithë kohës së mësimdhënies. Ajo strategji mësimdhënieje që do të ishte e suksesshme për një grup nxënësish, nuk do të rezultonte e tillë për një grup tjetër. Për shkak të këtyre ndryshimeve midis nxënësve, mësuesit duhet që të përdornin teknika dhe strategji nga më të ndryshmet gjatë procesit të mësimdhënies.


Pra dhe filozofia e KK dhe KB për zhvillimin e kompetencave, përkatësisht arritja e rezultateve te tyre (RNK), kërkon qasje të ndryshme të mësimdhënies dhe kjo do të thotë:

-Aplikimi i metodave e teknikave të ndryshme të cilat u mundësojnë  të gjithë nxënësve ndërlidhje në procesin e të nxënit, sepse , detyrën e njëjtë disa mund ta nxënë duke vizatuar, disa duke lexuar, disa duke dëgjuar, disa duke shikuar, disa duke lëvizur, disa me gjëra konkrete e disa në mënyrë abstrakte. (Udhëzues për zbatimin e kurrikulës, 2018)


Hulumtime, si ajo e Bogdan, R. C. dhe Biklen, S. K. (2007) “Qualitative Research for Education: an introduction to theory and methods”-(5th Edition Boston: Pearson/Allyn and Bacon) kanë vërtetuar rëndësinë e këtyre inteligjencave në lëmi të ndryshme, ndërsa për ne është shumë e rëndësishme të kuptojmë rolin dhe mënyrën e zbulimit të këtyre inteligjencave. Nuk duhet harruar se Teoria e inteligjencave të shumëfishta mund të zbatohet në një kurrikulum në mënyra të ndryshme. Deri më tani janë dhënë vetëm sugjerime, kurse janë vet mësuesit, ata që mund të krijojnë forma të tjera ose formulojnë plane dhe materiale të përshtatshme mësimore ku këto inteligjenca të gjejnë zbatim. Në fund të fundit janë ata që duhet të udhëhiqen nga përpjekjet më të thella dhe të sinqerta për të shkuar përtej inteligjencave ku aktualisht i aftësojnë nxënësit në klasë, kështu që çdo fëmijë të ketë shansin të jetë i suksesshëm në shkollë (Bogdan & Biklen, 2007). 


Nga ana tjetër, mungesa e vëzhgimit dhe e kontrollit nga ana e prindërve dhe e mësimdhënësve, mungesa e bisedës me mësuesit tjerë, mungesa e uljes dhe e bisedës me vet nxënësit (përmes intervistave) pengon të zbulojë se cilat janë inteligjencat të cilët ata mendojnë se i kanë të zhvilluara (Brown, 2004).


Teoria e Inteligjencave të Shumëfishta


Howard Gardner, profesor i edukimit dhe psikologjisë në Universitetin e Harvardit, më vitin 1983, propozoi (formuloi) një teori të inteligjencës e njohur si Teoria e Inteligjencave të Shumëfishta (apo multiple) (Theory of Multiple Intellegences).


Sipas kësaj teorie, inteligjenca është në një sasi të konsiderueshme më e shumëllojshme dhe më shumëpalëshe, se sa e pranon nocioni i inteligjencës së përgjithshme.

 

Teoria e inteligjencave të shumëfishta e Gardnerit, në fillim përbëhej prej shtatë llojeve të inteligjencës: inteligjenca verbale-gjuhësore, interpersonale, intrapersonale, logjike- matematike, pamore-hapësinore, muzikore-ritmike dhe trupore-kinestetike. Në kohën e fundit, Gardneri ia shton (postulon) teorisë së vet edhe të ashtuquajturën inteligjencë natyrale, si tip të tetë të inteligjencës, pastaj edhe dy tipe të reja të cilat flasin mbi termat “kandidatë” për inkluzion në modelin ekzistues, e ato janë inteligjenca ekzistenciale dhe spirituale, e cila bartë shënimin simbolik (Ziegler dhe Heller,2000). 


Teoria e Gardnerit është ngushtë e lidhur me kreativitetin. Dimë se çdokush e njeh kreativitetin, një numër i vogël i njerëzve mendon për kreativitetin dhe një numër shumë i vogël i njerëzve merr guximin të merret me kreativitet. Kreativiteti është rrugë që dërgon në inovacion dhe zbulim. Kreativiteti zakonisht shfaqet te njeriu kur ai e aktivizon anën e majtë dhe të djathtë të trurit. Kur të dy anët e trurit janë aktiv, atëherë truri prodhon ide origjinale (kreativitet).


Pra, sipas Gardnerit, për t’u zhvilluar një nxënës në një person të kompletuar, duhet të ushqejë të gjitha inteligjencat e sipërpërmendura. Gardneri thotë se të gjithë individët kanë aftësi për njohjen e botës përreth, me ndihmën e gjuhës, analizës matematiko-logjike, prezantimit hapësinor, përfytyrimit muzikal, inteligjencës truporo-kinestetike (shfrytëzimi i trupit për zgjidhjen e problemeve ose për të krijuar diçka), të kuptuarit e individëve të tjerë dhe vetvetes, si dhe të kuptuarit e natyrës. Më tutje, ai beson se është shumë me rëndësi që shkollat t’u mundësojnë nxënësve që t’i shfrytëzojnë këto lloje të inteligjencave në kontest të kurrikulumit shkollor.


“Ka ardhur koha t’i zgjerojmë shikimet tona në spektrin e talenteve. Kontributi i parë dhe kryesor të cilin arsimi mund ta bëjë për zhvillimin e fëmijës është t’i ndihmojë në lëmi, ku talenti i tij më së shumti vjen në shprehje, ku do të jetë i shkathtë dhe i kënaqur. Në tërësi këtë e kemi larguar nga mendja dhe nga praktika e mësimdhënies pasi që ajo ka kaluar në rutinë. Në vend të kësaj, ne secilin e shtyjmë të shkollohet, pas të cilës, nëse keni sukses, më së shumti t’ju përgjigjet të bëheni profesor në kolegj. Dhe, gjithë kohën, secilin e vlerësojmë sipas asaj se a inkuadrohet në standardet e ngushta të suksesit. Duhet shpenzuar më pak kohë duke i vlerësuar nxënësit, e më shumë kohë t’i kushtojmë dhe t’i ndihmojmë t’i njohin aftësitë e tyre personale të dhuruara nga natyra si dhuratë dhe pikërisht këto t’i zhvillojmë. Ekzistojnë me qindra mënyra që të arrihet suksesi dhe shumë aftësi të ndryshme të cilat do t’ju ndihmojmë në këtë çështje” (Gardner, 1983).



Aplikimi i inteligjencave të shumëfishta në orët mësimore


Arsimimi për shekullin XXI duhet t’i nxisë nxënësit që të hulumtojnë çdo fushë të inteligjencës. 

Ekzistojnë një mori mënyrash për të shprehur vetveten dhe shumë më shumë për të marrë njohuri dhe kuptuar sasinë, numrat, raportin, relacionet, figurat dhe universin e sendeve. Pra, teoria e inteligjencave të shumëfishta thekson se mësimdhënësit duhet të njohin dhe nxisin, në një hapësirë më të gjerë, talentet dhe aftësitë e nxënëseve të tyre.


Të gjithë mësuesit dhe pedagogët kanë pak a shumë të njëjtën dilemë: Si t’i ndihmojnë nxënësit dhe studentët të realizojnë potencialet e tyre (Musai, 1999).


Me identifikimin e inteligjencave të nxënësve tanë, në fakt, ne i zbulojmë përparësitë dhe mangësitë/nevojat e atyre (nxënësve) dhe kështu mund t’u ndihmojmë atyre që të bëhen më të suksesshëm në mësimnxënie. Mësuesit mund të zhvillojnë inteligjencat e fëmijëve në shumë mënyra dhe në shumë nivele. Aplikimi i integruar i inteligjencave të shumëfishta (shumëllojta) në klasë kërkon ndryshimin e idesë sonë për mësimdhënien dhe mësimnxënien, adresimin e shumëllojtë si dhe dallime individuale të nxënësve, duke ju i sjellë edhe një varg  aktivitetesh të ndryshme, (të veçanta dhe të përgjithshme (Diagrami i Veni-t) si dhe një mori përvojash dhe strategjish për të moderuar mësimin (Armstrong, 1994).


Hulumtimet kanë dëshmuar se, nëse mësuesit identifikojnë dhe njohin mirë inteligjencat e nxënësve të vet, ata mund t’u japin atyre një mundësi që të shkëlqejnë dhe bëhen të njohur për talentet e tyre të veçanta. Përmes përdorimit të inteligjencave të shumëfishta në mësimdhënie, janë shumë të mëdha gjasat që klasat tona shndërrohen në shoqëri të vërteta të dijes.


Shkollës, atmosferën (klimën) dhe bukurinë nuk ia sjell godina, muret apo mjedisi se ku është e ndërtuar shkolla, por këtë bukuri shkollës ia sjellin larmia e nxënësve që përfshihen në të. Nxënësit janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, secili ka kërkesa të veçanta, secili përcepton, secili dëgjon, secili flet, secili mendon, secili mëson ndryshe nga tjetri, prandaj secilit duhet dhënë rasti. Një shkencëtar finlandez thotë: “Çdo njeri në këtë botë në një farë mënyre është: Sikur të gjithë njerëzit e tjerë, sikur vetëm disa njerëz të tjerë dhe sikur asnjë njeri tjetër” ata dallojnë nga njëri-tjetri si: nga zhvillimi psiko–fizik, nga  kërkesa e interesa të ndryshme, afinitete, stile të ndryshme etj. po ashtu dallojnë edhe në procesin e të nxënit. Kujtoj se, klasa pra nuk është kolektiv i individëve të njëjtë. Nuk bën të kuptohet as si “njësit ushtarak”, ku secili anëtar i të cilit është i detyruar të ecën në hap e me ritëm të njëjtë. Secili është një botë më vete. Po ashtu, secili nxënës ka stilin e vet të të mësuarit dhe një formë të vetme të inteligjencës, që d.m.th se:  në rast se ka një mangësi, mund të ketë një mënyrë të veten dhe origjinale të njohjes.


Prandaj, është e rëndësishme njohja e kësaj teorie, nga mësimdhënësit, sepse, krahas njohjes së vështirësive në të nxënë, ata duhet të përqendrohen edhe në aftësitë e nxënësve, në atë që ata janë në gjendje ta bëjnë më mirë.


Prandaj, rekomandohet që:

  • Të respektohen/promovohen aftësitë e veçanta të nxënësve në segmente të posaçme pa marrë parasysh se i takon suazave të planit mësimor apo jo, sepse, një nxënës mund të mos shfaqet sistematik, por talenti i tij mund të shkëlqejë në një fushë të caktuar të potencialit njerëzor, si në vizatim, aktrim, kërcim, programe kompjuterike, shkrime letrare.
  • Kreativitetin e fëmijës duhet përkrahur/inkurajuar në çdo sferë, si nga mësimdhënësi ashtu edhe nga familjarët dhe rrethi për arsye se “Shpirti i fëmijës është absorbues”, ai ka mundësinë aktive, krejtësisht krijuese, të tërheqë ndaj vetes elementet që janë të domosdoshëm për të dhe të dobishëm, t’i përvetësojë, t’i bëjë ato mishin e gjakun e vet, lëndën e tij jetësore. (Pedagogët e mëdhenj, 339).  
  • Nëse një nxënës ka talent më të madh në vizatim sesa në komunikim verbal mësimdhënësi duhet që shkathtësitë e komunikimit t’ia zhvilloj duke u bazuar në talentin e tij. Përmbajtjen e lexuar nxënësi së pari mund t’a vizatoj e pastaj t’a komentoj vizatimin që ka bërë.


Kështu do t’i  ndihmojmë që të shprehen më mire dhe më lirshëm, të jenë të gjithë aktiv, dhe të arrijnë objektivat e rezultatet e dëshiruara. Vetëm në këtë mënyrë mësimdhënësi do të jetë në linjë të parimit të gjithëpërfshirës së nxënësve në klasë.


Përfundim


Teoria e inteligjencave të shumëfishta nuk është vetëm një teori e thatë, ose mbetet e tillë nëse nuk zbatohet në praktikën mësimore nga ana e mësimdhënësve. Secili nxënës ka diçka të veçantë, ose disa të veçanta, të cilat Gardner i quan inteligjenca. Për të arritur sukses me nxënësit e tij, një mësimdhënës duhet t’i përfillë stilet e të nxënit të secilit nxënës ose grup nxënësish. Brenda këtyre stileve “fshihet” inteligjenca-t individuale të cilën/at ne mësimdhënësit duhet promovuar e zhvilluar te secili nxënës... 


Shkruan: Belgizare Kryeziu


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,533 Lexime
2 vjet më parë