“Legjenda dhe vende shqiptare”

Shkrimtarët lexojnë Legjendat

“Është e mrekullueshme të kumtosh nëpërmjet fantazisë së rrëfenjave popullore, të vërtetën historike për lashtësinë e qyteteve dhe vendeve ku jetojnë shqiptarët, e po ashtu edhe për natyrën që na rrethon me një pasuri të jashtëzakonshme."

Të lexosh legjendat, është sikur të shkosh tek burimi dhe rrënjët, sikur të ndalosh tek nevoja për rrëfenjat popullore, që kumtojnë përmes fantastikes lashtësinë e vendeve, natyrën e mrekullueshme që na rrethon, jo vetëm përmes imagjinatës por përmes së vërtetës historike mbi të cilën mbahen fort lidhur me rrënjët e tyre, popujt, qytetet, gjuhët, vendet.

“Legjenda dhe vende shqiptare”, botim i Albas, ka nisur udhëtimin e tij  prej kohësh, ndërsa ditën e mërkurë, shkrimtarët, Sadik Bejko dhe Dorian Koçi, njëkohësisht studiues dhe profesorë universitetesh, lexuan për fëmijët e klasës së parë, të  shkollës “Protagonistët’, legjenda të përzgjedhura prej këtij botimi. 

Është e mrekullueshme të kumtosh nëpërmjet fantazisë së rrëfenjave popullore, të vërtetën historike për lashtësinë e qyteteve dhe vendeve ku jetojnë shqiptarët, e po ashtu edhe për natyrën që na rrethon me një pasuri të jashtëzakonshme. Legjendat e kanë një bazë të vërtetë, pasi popujt në fillimet e tyre kanë folur me gjuhën e mitit që vetë popujt krijuan për vetveten. Gjuha e legjendave në thelb, është gjuhë poetike. Për këtë ato janë sa të dëshiruara po aq edhe të rëndësishme. Njerëzimi në hershmërinë e tij ishte një fëmijë, sot njerëzimi është një njeri i rritur, legjendat na kthejnë kah fëmijëria e botës, pra tek bota juaj e bukur”,- iu drejtua profesor Sadik Bejko fëmijëve, të cilët dëgjonin tashmë rrëfimin përmes leximit të profesorit dhe poetit Sadik Bejko.

Shkrimtari dhe studiuesi Dorian Koçi ju tha fëmijëve se: “Legjendat janë një burim për kah historia, nga rrëfimi popullor për ta kuptuar gjithçka e cila ka ndodhur mijëravite para nesh. Ato janë pjesë e trashëgimisë tonë kulturore, historike. Legjendat kanë identitet edhe kur duken të ngjashme mes vendesh, ato i përkasin një vendi të caktuar, një populli të caktuar, sepse janë pasuri dhe dëshmi e kulturës së atij populli. Në këtë rastin tonë ne do të lexojmë legjendat për qytetet tona, për vendet ku jetojnë shqiptarët”.

Legjenda e Rozafës,“murimi i nuses”, si edhe legjenda për Gjirokastrën “Princesha Argjiro”, ishin ato që shkrimtarët kishin zgjedhur jo vetëm t’i lexonin por t’i interpretonin për nxënësit e klasës së parë të cilët tashmë kanë hyrë në botën magjike të legjendave. 

Midis fëmijëve të asaj klase, të cilët patën fatin të takohen nga afër me shkrimtarët, e pashlyer do të mbetet në kujtesën e gjithsecilit mënyra se si legjendat mbërritën tek ata, e kur themi mënyra, kemi parasysh rrëfimin mjeshtëror të profesor Bejkos, të cilin e ndiqnin sytë e Nikolës, mbesës së tij nxënëse e kësaj shkolle.

“Të lexosh përballë fëmijës tënd, në një shkollë, nuk është aspak e lehtë”, - u shpreh Dorian Koçi, djali i së cilit ishte një prej nxënësve të shkollës.

Për shkollën "Protagonistët", ky takim me shkrimtarët në kuadër të aktiviteve “Të lexojmë një libër me Albas” do të mbetet një prej atyre që kur hyjnë në kujtesë mbeten përgjithmonë atje, si një takim me botën e mrekullueshme të legjendave ku realiteti dhe fantastikja drejtojnë imagjinatën kah bukuria e fjalës në art, përmes librit….

(Portali Shkollor)

3,332 Lexime
7 vjet më parë