Si mund të ndryshojmë rrënjësisht qasjen drejt gjithëpërfshirjes, mësimdhënies dhe mësimnxënies ideale?
“Arsimi po dështon sepse kurrikula e re është futur si ‘një tryezë pa këmbë’”– thotë mësuesi Ermal Lala, i cili sjell perspektivën e tij si pedagog i ri mbi sfidat e gjithëpërfshirjes, disiplinës dhe nevojës urgjente për një sistem të diferencuar shkollash.
Nga Ermal Lala, mësues i Biologjisë dhe Kimisë. Tiranë.
Unë jam një mësues i ri, me një kohë relativisht të gjatë midis bangave universitetare dhe shkollore. Për të qenë më i saktë, gati 7 vjet të jetës time pas universitetit, i kalova në administratën publike prej së cilës mësova si menaxhohen burimet financiare, njerëzore dhe teknike. Mirëpo pas shkëputjes nga administrata, vendosa t'i kthehem mësimdhënies, si një dëshirë e fëmijërisë për të transmetuar tek brezat e rinj njohuritë dhe për t'i frymëzuar ata të gjejnë veten dhe të kenë vizionin e të ardhmes. Ajo çka gjeta, nuk ishin kushtet më ideale të mësimdhënies pavarësisht se shumë gjëra kishin ndryshuar. Së pari më erdhi mirë, kur pashë se nxënësi ishte barazuar shumë me mësuesin në nivelin e komunikimit. Pra tek nxënësi ishte rritur niveli i vetëbesimit, që i krijonte nxënësit vetë një mjedis të sigurt për të kërkuar më shumë të drejtat që i takojnë. Së dyti, mësuesi ishte zhveshur tërësisht nga mjeti i vënies në punë të nxënësve përmes disiplinimit dhe kërkesës së llogari dhënies së nxënësit ndaj mësuesit. Kjo, nisur edhe nga mospasja e nivelit të duhur të prindërimit nga prindërit. Pra nxënësit nuk kontrolloheshin më nga prindërit e tyre për mbarëvajtjen në shkollë si në aspektin didaktik, ashtu edhe në aspektin sjellor. Duke prodhuar dhe hedhur kështu në shoqëri në të ardhmen, specialistë jo vetëm të pabindur, por jo vetëm kaq! Specialistë të paformuar, që në vend të formojnë formacione korrekte, e çojnë trurin e një kombi, në kolaps.
Ashtu si të gjithë kolegët e mi, edhe unë e nisa me heshtje. Me dëshirën se mbase gjërat do të rregullohen rrugës, mirëpo kjo gjë është e vështirë duke ditur me vetëdije se arsimi është në një vështirësi të madhe në Shqipëri dhe se reforma më e madhe e bërë këto 15 vitet e fundit, pra ndryshimi i kurrikulës që vë në qendër nxënësin dhe është me bazë kompetencat, po rezulton të dështojë nga viti në vit. Për krahasim, kurrikula e kaluar, i ka rezistuar dhjetëra viteve dhe ka qenë në përmirësim të vazhdueshëm dhe gjithçka varej nga formimi i mësuesit dhe niveli i shkollës më të lartë që mësuesi përfundonte për të shërbyer në një shkollë me nivel më të ulët. Në këtë aspekt varej nga përgatitja dhe vizioni i mësuesit për të zgjuar te nxënësit e tij dëshirën për të dhënë maksimumin, pse jo edhe për të krijuar, në lëndët që jepet mundësia për të krijuar si në letërsi, arte, muzikë, apo për të zbatuar kornizën kurrikulare në një fushë ose mjedis tjetër, si zbatimi i formulave themelore të matematikës, fizikës dhe kimisë në shembuj të ndryshëm ose vetë vullnetin për të kërkuar pasurimin e njohurive me informacione të reja jashtë temës, por paralelisht me temën si në gjeografi e histori, ashtu edhe në lëndët e kulinarisë dhe zejtarisë.
Kurrikula e re është një zgjidhje e mirë për arsimin, por në Shqipëri është ndërfutur dhe zbatuar e paplotë pra si një tryezë të sheshtë pa këmbë, prandaj si e tillë, është e destinuar të dështojë.
Unë me pikëpamjet e mia, fuqizimin e kurrikulës e shoh si një nevojë të fortë dhe duhet të jetë e ngutshme! Së pari duhet diferencimi i shkollave (këtu e kam fjalën jo për të renditur shkollat, por për të krijuar një sistem shkollimi, ku nxënësit të kenë dëshirë dhe vullnet të zgjedhin llojin e edukimit). Unë nuk jam për luftën ndaj individit, por nxënësit problematikë, duhet të qëndrojnë larg shkollës si qendër komunitare të edukimit gjithëpërfshirës dhe të izolohen në shkolla me karakter ushtarak, ose shkolla që më shumë prioritet do të kishin disiplinimin se sa formimin apo pajisjen me kompetenca të reja për formimin e nxënësve. Së dyti, nxënësit duhet të kenë më shumë orë në dispozicion, në drejtimin që ata dëshirojnë të performojnë.
Pra nëse në një gjimnaz, paraqiten 30 nxënës në një klasë, nuk duhet që të 30 nxënësit të jenë domosdoshmërisht pjesë e atij ekipi klasor që merr mësim në një lëndë të caktuar. Pra e thënë ndryshe, në shkolla duhen krijuar klasa të veçanta me natyrë profesionale. Që do të thotë më shumë orë rreth qëllimit që ai nxënës i vë vetes, por nga ana tjetër të ekzistojë mundësia e përjashtimit të nxënësve nga klasa ku ata janë regjistruar për arsye të mos realizimit të atyre objektivave minimalë të realizueshëm nga të gjithë nxënësit, ose të kalimit të tyre në klasa ku ata shikohen si më të përshtatshëm. Nuk mund të jenë më 10 paralele të të njëjtit vit (pra si shembull të vitit të parë në gjimnaz) ku të gjithë klasat kanë të njëjtën ngarkesë mësimore, ku nxënës të aftë për sport duhet të marrin dhunshëm psikologjikisht pjesë në të gjitha orët e letërsisë apo matematikës, apo nxënës që duan të mësojnë më tepër kiminë, fizikën e biologjinë, duhet t'i ndajnë ato në mënyrë të barabartë me orët e historisë apo gjeografisë. Zgjidhja më e mirë patjetër do të ishte modulimi, apo ciklet e leksioneve të veçanta, duke mbajtur kështu pa shkëputur lidhjen me pjesën tjetër të lëndëve shkollore.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Evans Drishti: Mësuesi skenarist, regjisor, skenograf, aktor, muzikant, shkrimtar, stilist, përveçse mësimdhënës… por përse i varfër ekonomikisht?
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant