Opinion

Si po i rrisim fëmijët sot? Evans Drishti: T’i largojmë nga kafenetë

Ky shkrim i mësuesit të medresesë ‘’Haxhi Sheh Shamia’’ Shkodër, Evans Drishti, është një kambanë alarmi rreth problemeve që kanë të bëjnë me rritjen dhe edukimin e fëmijëve në kohën e sotme. Drishti thekson se po u bëjmë një burgosje të pafajshme fëmijëve, duke i detyruar të përshtaten me ambientet.

“Ju lutem! Mos më rritni nëpër kafene, s’dua të burgosem e të dëgjoj thashetheme! Jam fëmijë! Kuptojeni  këtë!...”


Një pamje sa e zakontë aq dhe trishtuese, sa e “natyrshme” aq dhe tronditëse, sa e “pafjalë” aq dhe therëse dhe shpërthyese… 


Lokale të panumërta nëpër rrugët e qytetit, që zgjatohen si vagonët e një treni të ngelur në shina të ndryshkura prej shekujsh…  

Tavolina të tejmbushura, që rrethohen nga kërcitjet shurdhuese të karrigeve të çajnë veshët e lodhur të viktimave të kohës… 


Nëna me fëmijë minorenë, që mbartin në prehëra filizat e një kohe të re, por që fatkeqësisht rriten në krahët e mendjeve të gdhendura keqazi nga furtunat e një demokracie hakërryese…

 

Vogëlushja, e cila akoma s’e ka mbërritur moshën e shumëpritur të 18-tës, kë zënë për dore shtrëngueshëm një “telefon” ku me mendjen e saj tejet të brishtë i gëzohet një bote imagjinare dhe vizuale që s’mban asnjë lloj peshe… 


Mërzitet me kalimin e minutave, e teksa bën sikur luan, e zënë ngushtë, hap veshët deri në tejskajshmëri në rropatje për të kuptuar se ku ndodhet ajo vetë si fëmijë dhe ku ndodhet e ëma. Ajo dëgjon biseda nga më të habitshmet, më të llahtarshmet, më të paimagjinueshmet. Përgojime, thashetheme, smirllëqe, akuza nga më absurdet, ofendime, abuzime, gozhdime, thumbime, dashakeqësi, intriga, përbuzje, llomotitje, kërcënime…


E ç’nuk dëgjojnë ato të shkretë veshë në atë të mjerë hapësirë mbytëse e burgosëse, e gjoja çlodhëse për të rriturit!


Diku aty ngjitur një vogëlush, sërish me një telefon në dorë, i zhytur në vetminë e tij sa të pakufishme po aq edhe të pastrehë, me sytë e tejlodhur nga vështrimet për orë të tëra në rrezatimet verbuese telefonike, tenton të ngrejë disi kokën e tij të brishtë për të kërkuar vëmendjen e së ëmës, e cila ndodhet e mbytur në thashethemnajat e panumërta të përditshmërisë…


Tenton të luajë me të ëmën, por më kot, dështon… pasi reagimi i së ëmës vjen tejet i hidhur, “Hë!... Çfarë ke?! Më lër të qetë të bëj një dorë muhabet! Rri aty dhe mos bëj zhurmë!


Po ku është zhurma e fëmijës?! Për çfarë po të “bezdis” vogëlushi!?


Trishtuese!... Tragjike!... Lemeri e vërtetë!... 


Diku më tutje, një tjetër fëmijë, i një moshe pak sa më të rritur, e megjithatë sërish fëmijë, kërkon me ngulmim përkujdesin dhe vëmendjen e prindërve, të cilët kanë marrë në duar telefonat dhe kafetë, as që shqetësohen fare për vëmendjen që kërkon shpirti që kanë sjellë në jetë… fëmija ulëret… fëmija qan… fëmija çirret… fëmija hedh në tokë ç’të zë për dore… S’i intereson se ku ndodhet, fare, aspak, Ai kërkon vetëm një gjë, vëmendjen e prindërve që të luajnë dhe të kujdesen për të. Asgjë më shumë! 


Një panoramë e këtillë përsëritet çdo orë, çdo ditë, çdo javë e në çdo hapësirë të qytetit… 

Syri i fëmijës kërkon të shohë një tjetër pamje… 

Syri i fëmijës kërkon të shohë një park të këndshëm ku të luajë dhe të argëtohet, kërkon të shohë një hapësirë të gjerë ku të vrapojë me tërë fuqinë që ka… 


Syri i fëmijës kërkon të shohë një vend muzeal, një shtëpi karakteristike, një vend alpin, një kodër, një fushë, një mal, një pyll… 


Syri i fëmijës kërkon të shohë të valë deti, një ujë të rrjedhshëm burimi, një krua apo një përrua, një det apo një liqen… 


Syri i fëmijës kërkon të shohë të ketë përreth sa më shumë vogëlushë, bashkëmoshatarë me të cilët të luajë, të argëtohet, të ndërtojë dhe të zhvillojë shpirtin garues… 


Veshët e fëmijës s’duan të dëgjojnë bisedat e të rriturve, s’duan të dëgjojnë fjalë apo fraza kërcënuese, ofenduese;  s’duan të dëgjojnë fjalë që s’i kuptojnë, fjalë që ua lëndojnë mendjen dhe shpirtin, përkundrazi…duan të dëgjojnë vetëm fjalë dashamirëse, përkëdhelëse, qetësuese, frymëzuese… 


Zgjohuni o prindër nga rrëmuja e përditshmërisë që ju ka mbërthyer mendjen dhe shpirtin tuaj! 


Kthehuni në kohë dhe kujtoni ato përjetime të forta emocionuese që gjallëruan shpirtin e mendjen tuaj kur ju erdhi në jetë kjo qenie e shumëpritur…. 


Jeni të detyruar të tregoheni të mençur, inteligjentë, mendjemprehtë, të arsyeshëm….


Jeni të detyruar  të “zbrisni” në moshën e fëmijës tuaj,  të rriteni me të në çdo hap të përditshmërisë, të ushqeheni me të, të argëtoheni me të, të bashkëbisedoni me të, të luani me të, të gëzoheni së bashku më shumë se të hidhëroheni, të qetësoheni së bashku… së bashku me të jemi të detyruar të lexojmë, të kuptojmë,  të qeshim,  të habitemi,  të ecim,  të vrapojmë,  të notojmë,  të shpresojmë, të kërkojmë, e mbi të gjitha të krijojmë alternativa të larmishme, mundësi të ndryshme që fëmija të jetojë në qetësi fëmijërinë e tij të mrekullueshme… 


Jemi të detyruar ta zhvillojmë dhe ta integrojmë veten në mënyrë që të dimë si ta zhvillojmë dhe ta orientojmë fëmijën tonë.


Kujtohuni se në moshën e fëmijërisë suaj prindërit nuk bisedonin problemet familjare në praninë tuaj, për të vetmen arsye që të mos influenconin në zhvillimin tuaj psikologjik.


Ka një urtësi në këtë drejtim…

Sikur të dinim vërtet si ta shfrytëzonim kohën, pasurinë më të vyer që na është dhënë në këtë jetë, si ta integronim veten, vetëm atëherë do kuptonim se ç’peshë ka qoftë edhe një frymëmarrje e jona, e për rrjedhojë edhe e qenies që kemi sjellë në këtë jetë…



Nga Evans Drishti

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

734 Lexime
8 muaj më parë