Reflektim

Edukimi atdhetar dhe pasqyrimi i tij në lëndën Gjuhë shqipe e Letërsi

Edukimi atdhetar në lëndën e Gjuhës shqipe është një armë e fortë për të krijuar qytetarë të përgjegjshëm dhe të aftë për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin e zhvillimin e vendit të tyre. Ky edukim ndihmon në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe nxit dashurinë ndaj vendit e popullit shqiptar.

Nga Luan Stafasani  


"Atdhedashuria është topi që shemb të gjitha kështjellat"


Edukimi atdhetar është element thelbësor e dominues i trashëgimisë historike e kulturore të një populli. Një edukim i tillë ka për qëllim të shpalosë dashurinë e respektin e pakufi ndaj atdheut e duhet të mëkohet në të 12 vitet e shkollimit bazë në shkollat shqipe. 


Kuptohet se më së shumti e para së gjithash ky lloj edukimi duhet të gjejë vendin që i takon në lëndën e Gjuhës shqipe e letërsisë por jo vetëm, ai duhet të gjejë pasqyrim edhe në lëndët e tjera.

Edukimi atdhetar nënkupton zhdërvjelltësimin e aftësive të komunikimit. Nxënësit duhet të jenë të përgatitur të shprehin rrjedhshëm pikëpamjet e tyre rreth heronjve tanë e vlerave të tyre morale të cilat duhet t'i përçojmë tek brezat që pasojnë. 


Rëndësia e edukimit atdhetar në lëndën e Gjuhës shqipe konsiston në njohjen me krijimtarinë letrare me tematikë atdhetare të klasikëve të letërsisë shqipe si: Pjetër Budi, Naim Frashëri, Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, A.Z.Çajupi, Fan Noli, Ismail Kadare, Dritëro Agolli.


Po sa e ndeshim këtë krijimtari që synon edukimin atdhetar në tekstet shkollore? 


Shumë pak e takojmë. Ndoshta ky konstatim më theksohet pasi sjell ndërmend situatën deri në vitin 90-të apo edhe me fillimin e viteve 2000. 

Kur flasim për edukim atdhetar kam parasysh elementë të tillë si gjuha, flamuri, vendin, heronjtë që sakrifikuan edhe jetën e tyre për lirinë e atdheut e kombit si Skënderbeu apo Adem Jasharin (Akilin shqiptar të kohëve moderne). Do shtuar këtu edhe Nënë Tereza si një lloj marke prezantimi që na shërben ne shqiptarëve përpara të tjerëve. 


Nuk para i ndeshim ose janë të copëzuara në shumë tekste të gjuhës poezitë për gjuhën shqipe Naim Frashërit (gjuha jonë sa e mirë/sa e bukur sa e vlerë...) Ndre Mjedës (Përmbi za që lshon bylbyli/gjuha shqipe shungëllon/përmbi erë që lshon zymbyli/pa da zemrën ma ngushllon...) Gjergj Fishtës (Porsi zhgjama e rrfesë zhgjetare/njashtu a gjuha jonë shqiptare...) që janë aq shprehëse emocionale dhe mund të mbahen mend lehtë nga nxënësit e duhet tu kërkohet si detyrë për t'i mësuar përmendësh pa patur "frikën se i mundojmë", është zhdukur nga qarkullimi poezia "Shqiptar" e  Çajupit, nuk studiohet më "Histori e Skënderbeut" e Naim Frashërit, duhet të ketë vend patjetër "Poemi Kosovar" i Mitrush Kutelit e për të mos diskutuar "O moj Shqypni” e Pashko Vasës. 


Ajo çfarë mund të bëhet tjetër është organizimi i një konkursi mbarëkombëtar në fushën e tregimtarisë për Akilin kombëtar të kohëve moderne Adem Jasharin, heroin legjendar të kombit shqiptar. N.q.s gugëllon për prozë të tillë nuk të shfaqet asnjë rezultat. E njëjta logjikë të ndiqet edhe për Skënderbeun e Nënë Terezën. Duhet të zënë vend tregime të shkurtra për këto simbole kombëtare.


Ka ardhur koha që në të gjitha shkollat e shqiptarisë të ketë një libër unik të Gjuhës shqipe ku të përfshihet krijimtaria me temë atdhetare e klasikëve tanë. Të gjithë e kemi të qartë sa emocionuese e motivuese u bë kënga e Adem Jasharit që u shndërrua gati në himn luftarak e këndohej para ndeshjeve të kombëtares tonë të futbollit.


Edukimi atdhetar në lëndën e Gjuhës shqipe është një armë e fortë për të krijuar qytetarë të përgjegjshëm dhe të aftë për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin e zhvillimin e vendit të tyre. Ky edukim ndihmon në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe nxit dashurinë ndaj vendit e popullit shqiptar.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

769 Lexime
1 muaj më parë