BOTIM I RI ALBAS

“Sikuriada” nga Bedri Dedja (letërsi klasike shqiptare për fëmijë), botim i ri i Albas

Romani “Sikuriada”, vjen si vazhdim i “Kalamajve të pallatit tim” 1 dhe 2, edhe pse u shkrua nga autori gati 20 vite më vonë. “Është një manifest i skalitur me laps nga autori, për fëmijët. Sepse janë pikërisht ata që, në të ARDHMEN, mund të sjellin ndryshimin”, thotë redaktorja e këtij libri Artemisa Bushi.

Duket sikur fëmijët e pallatit të ri dymbëdhjetëkatësh, ku jeton brezi më i ri i kalamajve të pallatit tim, janë përfshirë nga epidemia e “sikureve” që i ka infektuar të gjithë… 


Po sikur në ulëset e parlamentit, në kolltukun e kryeministrit, të presidentit, në zyrat e bashkisë apo në karriget e analistëve televizivë të uleshin fëmijët? Çfarë do të ndodhte? Përgjigjet e këtyre pyetjeve shumë të çuditshme do t’i gjeni në faqet e këtij libri të jashtëzakonshëm, të cilin autori e quan roman-manifest e që ia drejton popullit të kalamajve, siç shkruan ai. 


Fëmijët do të njihen jo vetëm me ngjarje të vërteta e përralla, por edhe me një program se si ata vetë do ta shndërrojnë e përparojnë atdheun e tyre të dashur, kur të rriten e të bëhen mësues, mjekë, inxhinierë e artistë.


* * *


Në qendër të romanit është një gjysh dhe fëmijët.

Pasi fëmijët vënë re me syrin e tyre vëzhgues se çfarë ndodh në jetën e përditshme, në kokën e tyre lindin pyetje e pikëpyetje, përgjigjet e të cilave duan t’i gjejnë te gjyshi i katit të parë – një gjysh shkrimtar, ama. 

Dhe pasi gjyshi u jep si detyrë që të vrasin mendjen për zgjidhjen, çdo të shtunë u tregon edhe një histori-përrallë.


Fantastike dhe intriguese mënyra se si është ndërtuar boshti i romanit:pyetje, zgjidhje, rrëfime (në formë përrallash) me mesazhe kuptimplota. Nëpërmjet tyre shtrohen të gjitha problematikat që shqetësojnë shoqërinë e sotme dhe që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. 


Jo rastësisht autori i ndërthur të gjitha ngjarjet me përralla imagjinare dhe i çon këta fëmijë në fantazinë më të bukur që ata mund të kenë – është pikërisht ky gërshetim që e bën kaq unik këtë roman për fëmijë.

Autori i shtrin ngjarjet edhe në Kosovë, dhe në trevat ku ka kalamaj shqiptarë... Atje, së bashku, kalamajtë lexojnë, recitojnë, takojnë shkrimtarë të njohur nga të gjitha trevat. 


Romani “Sikuriada”, vjen si vazhdim i “Kalamajve të pallatit tim” 1 dhe 2, edhe pse u shkrua nga autori gati 20 vite më vonë. Është i pasur me ilustrime,  që do të plotësojnë më shumë fantazinë e lexuesve të vegjël.  


Pse quhet një roman-manifest? Autori, ia ka dalë mjaft mirë të hyjë në mendjet e fëmijëve të vegjël. Duket si një labirint për botën e tyre, por, në fakt, është loja dhe mënyra më e bukur që mund të nxjerrë në pah pasurinë e gjykimit dhe të mendimit të tyre.


Është një manifest i skalitur me laps nga autori, për fëmijët. Sepse janë pikërisht ata që, në të ARDHMEN, mund të sjellin ndryshimin.




Nga Artemisa Bushi, redaktore 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

591 Lexime
5 muaj më parë