Opinion

Sociologu Gëzim Tushi: Koha postmoderne dhe mësuesi si misionar i saj

Kjo figurë e nderuar e jetës publike duhet nderuar më shumë moralisht, shoqërisht, pse jo edhe financiarisht. Por jo vetëm në ditën e festës së tyre në 7 Mars. Gjithnjë e pafundësisht duhet t'u jemi mirënjohës mësuesve…

Sa herë vjen 7 marsi Dita e Mësuesit, gjithnjë duket sikur kjo festë është më shumë një ritual kalendarik që festohet me të gjithë aksesorët e jashtëm, por gjithnjë në mënyrë shumë të sipërfaqshme për të çmuar dhe vlerësuar rolin e gjithanshëm dhe ndikimin social edukativ polyvalent të kësaj “klase intelektuale” me peshë për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Është folur shpesh për mësuesinë si mision social pedagogjik dhe për mësuesin si profesionist i saj. Por në shumë raste është bërë më shumë demagogji dhe tautologji. 


Ose më saktë për ta shoqëria kujtohet rrallë. Respekti për këtë figurë universale të edukimit, vlerësimi për punën e tyre reduktohet në ca vlerësime komemorative të 7 marsit, apo të disa aktiviteteve me natyrë sporadike. Në të vërtetë nuk është fjala për ndonjë “shenjtërim” të figurës së tij, as për ndonjë mbivlerësim social apo material si qëllim në vetvete. Duke rivlerësuar rolin e mësuesit në shoqëri ne i bëjmë shërbim të veçantë forcimit të punës së shkollës, rrjedhimisht i shërbejmë shoqërisë tonë. Por për fat të keq për rolin e mësuesit si intelektual, për vështirësitë e tij të natyrshme dhe artificiale flasim pak dhe rrallë bëhemi aleatë të tij, mbështetës në punën fisnike që ai realizon. Që të jemi të sinqertë deri në fund me veten dhe mësuesit tanë, mentaliteti social nënvleftësues për punën  e mësuesit dhe rolin e tij intelektual, shpesh nuk na ka lënë t’i shikojmë me një “optikë” të re sociale, përtej shikimit rutinor të zanatçiut, të mësimdhënësit dhe edukatorit të thjeshtë. 


Nëse nisemi nga vlerësimi sipërfaqësor i profesionit, të duket se mësuesin me shoqërinë e lidh vetëm mësimdhënia e cila e detyron atë të jetë në kuadrin e një trapsportuesi apo transferuesi të dijes nga vetja tek nxënësi. 


Duke e parë në këtë optikë sempliste, figura dhe roli i mësusesit mund të duket si një nga profesionet më tradicionale, me natyrë konservetore, në kuptimin që ky profesion i “mësimdhënies” nuk pëson shumë ndryshime nga detyrimet që vijnë nga evolucioni i shkollës. Këtë memdjelehtësi sociale e kanë ata që nuk i kanë provuar vështirësitë e këtij profesioni. 


Roli i mësuesit në shkollën shqiptare, cilësore dhe të demokratizuar, është bërë shumë i vështirë dhe tejet i komplikuar. Në shoqërinë shqiptare ka ndryshuar koha, shkolla dhe nxënësi. Kjo do të thotë se këto ndryshime, duhet patjetër të reflektohen në punën, profesionin dhe personalitetin e mësuesit modern. Në shkollë nuk ka më struktura statike e autoritariste që e “lehtësonin” punën e tij në të kaluarën. 

Tani mund të themi vërtetë se puna e mësuesit nuk është më vetëm profesion pedagogjik, por më së pari është mision social shumë i vështirë. Këtë kosto sociale nuk e ka ndoshta asnjë profesion tjetër, sa ai i mësuesit, sepse ai është i detyruar që cdo ditë, çdo çast, çdo javë muaj apo vit, të jetë në lartësinë e misionit të tij.  

Puna e mësuesit nuk është e lehtë. Ai konsiderohet si një nga profesionet e vështira që jo vetëm ka kosto dhe që të imponon privacione personale, që lidhen me natyrën e vetë profesionit. Natyrisht ajo pjesë e mësuesëve që destinacionin profesional e kanë bërë pjesë të pandarë të misionit të tyre në jetë, kanë qënë të sukseshëm dhe kanë lënë gjurmë të thella në shkollë, por dhe përtej saj, në jetën sociale. 


Mësuesi ka mundësi shanse që në se ka dëshirë, qëllim, mision dhe destinacion profesional të qartë, i ka të gjithë shanset që të ketë emër, famë, natyrisht edhe sukses material të merituar. Si në cdo profesion edhe në atë të mësuesisë ka “fitore të vërteta” dhe “fitore boshe”. Kjo varet nga njeriu që ka zgjedhur, apo i kanë dhënë një profesion të caktuar të cilin njeriu konkret e kthen në mision personal, profesional dhe social.


Në këtë kontekst rishikimi i rolit social dhe misionit pedagogjik të mësuesit në shoqëri, është një problem kompleks që nuk lidhet vetëm me personalitetin e tyre të cënuar apo të nënvleftësuar, por dhe me rishikimin dhe rivlerësimin e detyrës dhe misionit personal dhe profesional në shoqërinë shqiptare. Vlera sociale e mësuesit nuk është e lidhur vetëm me pagën. Vlerësimi material ka rolin dhe rëndësinë e vet, jo vetëm për përmbushjen dinjitoze të nevojave materiale të jetës së mësuesit, por edhe si tregues  i vlerësimit të rolit dhe kontributit social të tyre. 


Për këtë qëllim, profesioni i mësuesit bëhet me vlerë personale dhe shndërrohet në mision social, kur ai krijon atë që quhet “kushtetutë profesionale”, në të cilën janë të koncentruara të gjithë parimet kryesore dhe vlerat morale që synon njeriu të plotësojë nëpërmjet profesionit të nderuar të mësuesit.


Profesioni i mësuesit për nga natyra e vet është nga profesionet më afatgjata dhe që është e vështirë të ndryshohet gjatë jetës nga njeriu. Vetë profesioni e detyron mësuesin të ketë synime, qëllime dhe objektiva afatgjata për veten dhe profesionin. Për të gjitha këto cilësi, vlera obligative, kjo figurë e nderuar e jetës publike duhet nderuar më shumë moralisht, shoqërisht, pse jo edhe financiarisht. Por jo vetëm në ditën e festës së tyre në 7 Mars. Gjithnjë e pafundësisht duhet t'u jemi mirënjohës mësuesve… 



Gëzim Tushi

Sociolog, Mjeshtër i MADH


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,568 Lexime
3 vjet më parë