OPINION

Sociologu Labinot Kunushevci: Kultura publike, edukimi më i rëndësishëm për fëmijët

Nxënësit të edukohen se njeriu është produkt i kulturës dhe jo i racës, se njeriu duhet të gjykohet në bazë të diturisë, sjelljeve dhe vlerave kulturore dhe intelektuale që fiton dhe jo në bazë të pasurisë, privilegjeve dhe statuseve materiale e fizike.

Po tentojmë të nxjerrim prej nxënësve shkencëtarë dhe gjeni, që në komunikim dhe sjellje kulturore nuk e kanë asnjë aftësi, që në raporte dhe sprova shoqërore nuk kanë empati! Talentët nga fusha e gjuhës, matematikës, gjeografisë e kimisë, shkencave kompjuterike, natyrore e shoqërore, janë të mirë dhe duhet të admirohen vetëm atëherë kur e kanë të fuqizuar edhe komponentën kulturore morale; kur e kuptojnë që njeriu është produkt i kulturës dhe jo i racës; kur i thyejnë paragjykimet dhe iluzionet kulturore; kur theksimin e dallimeve, vlerësimin e dallimeve dhe hakmarrjen për shkak të dallimeve i kuptojnë si forma të racizmit që duhen shmangur; kur e marrin edukimin adekuat në familje dhe e forcojnë atë në shkollë.


Fëmijët sot jetojnë në një kohë të presioneve të mëdha psikologjike, kulturore, mediale e shoqërore, prandaj është rritur nevoja që të mendohet një formë më e sofistikuar kulturore e edukimit në arsimin publik. 


Sfida më e madhe e gjeneratave të reja është krijimi i një identiteti dhe botëkuptimi mbi jetën, sjelljen, komunikimin, vlerat profesionale dhe humane, i cili po sprovohet nga rrjetet sociale, tjetërsimi i vlerave, orientimi i gabuar, paragjykimet kulturore, indiferenca institucionale dhe familjare, cilësia e dobët arsimore, mungesa e konceptit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies, keqkuptimi i lirisë, varësia teknologjike, ngatërrimi i realitetit virtual me realitetin social, mungesa e kulturës së leximit, etj.


Shoqëritë e tranzicionit, që karakterizohen me ndryshime, transformime, kriza morale e kulturore, bullizëm dhe dukuri delikuente, hedonizëm të vlerave dhe gjuhë të urrejtjes, komunikim vullgar e agresiv, kanë nevojë më së shumti për artin dhe kulturën, jo vetëm si mekanizëm imunizues por edhe si plotësim i nevojës shpirtërore dhe kulturore, si formë e cila krijon një standard qytetërimi e emancipimi, që krijon ekuilibër mes vlerave dhe sjelljeve të fëmijëve. 


Çdo shkollë, përveç psikologut dhe pedagogut, duhet të angazhojë edhe sociologun. Angazhimi i pedagogëve dhe psikologëve në shkolla parashihet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, neni 37, dhe me Udhëzimin Administrativ për Funksionimin e Shërbimeve Pedagogjike-Psikologjike në Shkolla. Por institucionet arsimore askund nuk e parashohin përparësinë e angazhimit të sociologëve në shkolla, kjo sepse ata nuk e dinë rolin dhe rëndësinë e sociologëve, por edhe vetë sociologët nuk janë të faktorizuar sa duhet.


DKA-të do të duhej që në lëndët zgjedhore t'iu jepnin përparësi sociologëve dhe lëndëve shoqërore. Por ajo që ndodh, për shembull me lëndën Edukata Qytetare, është absurditet sepse për këtë lëndë, sipas një udhëzimi administrativ, kanë përparësi kuadrot e Fakultetit të Edukimit dhe jo sociologët. Por kualifikimi më adekuat për mësimdhënien e lëndës Edukata Qytetare është sociologjia. Ata që kanë disfavorizuar kompetencën e sociologëve në këtë lëndë nuk janë tjetër pos analfabetë funksional.


Shihni tekstet e kësaj lënde, aty trajtohen tema për familjen, sistemin e vlerave, rolin e socializimit, paragjykimet shoqërore, rëndësinë e institucioneve, humanizmin, vetëdijen qytetate, kulturën, të drejtat e njeriut, dukuritë devijante, etj. Kush i shpjegon këto më mirë se sociologu? Komplet lënda e edukimit qytetar është dimension sociologjik, është sferë shoqërore dhe edukative, pra është brenda natyrës epistemologjike dhe konceptuale të sociologjisë. 


Sociologu jo vetëm që arrin t’i shpjegojë fenomentet shoqërore, por edhe t'i analizojë, interpretojë e zbërthejë në kontekstin e rrethanave specifike. Sociologu ka qasje dhe metodologji tipike shkencore. Ai nuk shpjegon  vetëm mekanikisht ose strukturalisht. Nuk mjaftohet me të nxënit përmendësh e memorizim të temave, por provokon kuptimin dhe artikulimin e tyre, nxitë mendimin kritik, sintetik dhe analitik. 


Përmes mësimnxënies dhe zhvillimit të kompetencave nxënësi nga sociologu arrin ta kuptojë thelbin e ideve të një njësie apo teme mësimore dhe ta zhvillojë sensin e mendimit kritik. Sociologu është ekspert për edukimin dhe vetëdijen qytetare, për ndryshimet e botëkuptimeve. Shihni vendet tjera, si Shqipëria për shembull, kudo sociologu ligjëron për edukimin qytetar. 

Institucionet arsimore duhet të planifikojnë që t’i forcojnë ato përmbajtje dhe plan-programe shkollore në lëndët që kanë të bëjnë me shoqërinë, edukimin qytetar, kulturën, përmes të cilave afirmohet vlera e njeriut, e individit, e identitetit plural, e mendimit kritik, e respektimit të diversitetit, e respektimit të prindit, të mësuesit, të shokut, etj. Por kjo potencialisht mund të arrihet përmes lëndëve që trajtojnë dimensionin kulturor. Fëmiu si produkt kulturor ndikohet nga shumë indikatorë të kulturës publike të komunikimit. 


Po tentojmë të nxjerrim prej nxënësve shkencëtarë dhe gjeni, që në komunikim dhe sjellje kulturore nuk e kanë asnjë aftësi, që në raporte dhe sprova shoqërore nuk kanë empati! 


Sivjet MASHT në bashkëpunim me Ambasadën Franceze ka marrë një vendim të cilin komuna e Prishtinës ka filluar ta zbatojë, që në disa shkolla fillore të futet si lëndë zgjedhore Gjuha Frënge, ndërsa fëmijët, e kjo vërehet në komunikimin e tyre dhe kur shkruajnë ese, nuk dinë të shkruajnë mirë shqip, as të ndërtojnë fjali e të artikulojnë ide, ndërsa mësojnë gjuhë angleze, gjuhë gjermane, e tani edhe gjuhë frënge. Edhe ndonjë gjuhë tjetër edhe u bënë poliglotë, por fatkeqësia qëndron që gjuhën dhe kulturën nacionale nuk e njohin mirë, prandaj ata që i privojnë fëmijët nga këto dy të fundit janë idiotë. 

Dhe për ironi të fatit, në një nga shkollat e kryeqytetit, në shkollën fillore ''Hasan Prishtina'', në shtator 2019, lëndët zgjedhore Edukim Moral dhe Edukim për Qytetari Demokratike, të mbajtura nga një sociolog, edhe përkundër insistimit të drejtorisë së shkollës që të mbesin, janë zëvendësuar me lëndën Gjuhë Frënge, pikërisht si rezultat i vendimit të Ministrisë! 


Talentët nga fusha e gjuhës, matematikës, gjeografisë e kimisë, shkencave kompjuterike, natyrore e shoqërore, janë të mirë dhe duhet të admirohen vetëm atëherë kur e kanë të fuqizuar edhe komponentën kulturore morale; kur e kuptojnë që njeriu është produkt i kulturës dhe jo i racës; kur i thyejnë paragjykimet dhe iluzionet kulturore; kur theksimin e dallimeve, vlerësimin e dallimeve dhe hakmarrjen për shkak të dallimeve i kuptojnë si forma të racizmit që duhen shmangur; kur e marrin edukimin adekuat në familje dhe e forcojnë atë në shkollë sepse, në të kundërtën, mos edukimi familjar vështirë që kompenzohet në shkollë. 


Fëmijë i edukuar është ai që jeton me konceptin e përgjegjësisë; kur fillon të ndjejë dhe të marrë role në shoqëri duke i trajtuar me përgjegjësi; kur fillon të krijojë një botëkuptim të pavarur dhe një sens kritik; kur leximin e shndërron në kulturë sepse mungesa e kulturës së leximit është pasojë e këtij deformimi kulturor; kur besimi i tij në Zotin shndërrohet në normë kulturore e cila e bën atë më human, më solidar dhe më tolerant; kur e krijon një vetëdije mbi mënyrën dhe kulturën e të ushqyerit dhe higjienës personale. 


Kompetenca qytetare (''Qytetar i përgjegjshëm'') është kompentenca më e mangët, më e dobët, më e pazhvilluar, në të cilën më së shumti çalojnë nxënësit kosovarë. Kjo kompetencë dhe rezultatet e saj do të mbesin vetëm në letër dhe plane mësimore, që nuk e reflektojnë realitetin e nxënësve as në sjellje e as në komunikim, si në shkollë, rrugë e familje, derisa të mos koncentrohen institucionet arsimore – drejtoritë komunale të arsimit në fuqizimin e edukimit kulturor.

Sidomos lëndët zgjedhore duhet të jenë shoqërore dhe edukative, që përmirësojnë sistemin e vlerave, vetëdijen dhe logjikën e nxënësve, e jo lëndë për fenomene politike e astronomike. Sepse format e tashme intenzive dhe agresive të komunikimit dhe sjelljes së fëmijëve, me nivel të lartë të frustrimit, janë refleksion i zhvillimit pa kulturë të shoqërisë. 

Shihni rastet e vjedhjeve dhe thyerjeve të mini-bibliotekave publike në lagjet e kryeqytetit, dy prej tyre që dy herë që sulmohen janë të vendosura në afërsi të shkollave, ndërsa organizata e cila ka realizuar këtë projekt, para disa ditësh deklaroi se do të detyrohen t’i zhvendosin larg shkollave. Shoqëri atipike dhe paradoksale, që librin dhe leximin e ka aversion dhe jo kulturë!


Fenomen tjetër, në fundin e tetorit ndodhet një natë e veçantë, jo për nga vlera, por për nga vandalizmi, sepse çdo herë kur autobusët e trafikut urban kalojnë pranë shkollave, siç rëndom i shoh çdo vit afër shkollës ''Ismail Qemali'', fëmijët i gjuajnë me vezë dhe gurë, e sulmojnë pronën publike dhe i shqetësojnë qytetarët. 

Në anën tjetër, sofistikimi i teknologjisë ka ofruar qasje dhe mundësi të pakufishme në libra e artikuj, në biblioteka elektronike. Kurrë më shumë informacione dhe dije nuk ka pasur se sa sot, kurrë më shumë injorantë dhe analfabetë funksional nuk ka pasur se sa sot! 


Të rrallë janë ata fëmijë që lexojnë për të kuptuar, për të reflektuar, për t’u imunizuar kulturalisht, për të ndërtuar një gjykim dhe vlerësim kritik, për të krahasuar mendime, për të nxjerrë ide të reja, për të krijuar një sjellje humane, për të kultivuar një kulturë publike. Shumë prej tyre lexojnë dhe janë analfabetë funksional sepse ndaj tyre përdoret një qasje tradicionale e leximit literal, sipërfaqësor, jo kontekstual, mekanik, robotik dhe rutinor.


Siç thoshte sociologu Thomas Burns nga Universiteti i Oklahomës, në një intervistë që kam realizuar me të në vitin 2017, për librin tim Kuvendime Sociologjike Bashkëkohore (2018), se rutinizimi i arsimimit ndikon në uljen e cilësisë së edukimit, në rrënimin e të menduarit kritik. Ai propozon një lloj edukimi që është ndihmues për vetëdije dhe dhembshuri - sintezë dhe analizë.


Sipas raportit të vitit 2013, ''Depërtimi dhe përdorimi i internetit në Kosovë'', të realizuar në të gjitha komunat e Kosovës nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), mbi 62 për qind e të rinjve të moshave 10 deri 30 vjeçare janë përdorues të rregullt të internetit, raporton një artikull i K2.0. 


Kështu që, zëvendësimi ose kompenzimi i nevojës për art dhe kulturë, me botë virtuale, rrjete sociale, produkte mediale, është problematikë serioze. Të pambrojtur nga efektet dramatike, nga iluzionet, fiksionet dhe fantazitë, nga virtualizimi ekstrem i cili njeriun human e ka shndërruar në ''njeri digjital'', duke ia humbur sensin e realitetit dhe multifunksionalitetin e tij human në shoqëri, kjo tregon që mungesa e artit dhe kulturës po provokon seriozisht ekuilibrin mendor dhe kulturor të fëmiut në të cilin ai duhet të jetë i vendosur.


Sipas një hulumtimi të realizuar në Britani të Madhe me 40 000 respodentë, nga të gjeturat e publikuara në The Guardian (2019), del se shëndeti mendor ndikohet nga përdorimi i medieve sociale. Fëmijët që nuk i përdorin këto medie kanë më pak çrregullime mendore. Pra fjala është për përdorim joadekuat të teknologjisë dhe për media të pakontrolluara që nuk respektojnë kodin etik duke ofruar përmbajtje me efekte negative. As shoqëria jonë nuk është imune nga dëmet që mediet mund të shkaktojnë. 


Fëmijët sot vuajnë nga varësia teknologjike më shumë se nga çdo gjë tjetër. Më shumë kanë afinitet ndaj internetit se sa ndaj shkollës, ndaj virtualitetit se sa ndaj realitetit, ndaj të vërtetave mediale se sa ndaj të vërtetave reale. Më keq se kjo është pavetëdija për varësinë dhe pasojat, prandaj duhet të mendohet edhe një formë e edukimit medial.


Adoleshentët po pranojnë në mënyrë të pavetëdijshme që teknologjia, si rivalitet kulturor, të zëvendësojë rolin e familjes dhe shkollës, duke e bërë atë stil jetese, mënyrë komunikimi, formë edukimi dhe realitet imitimi. Një aktor apo këngëtar, që s’paraqet vlerë kulturore emancipuese, që të gjitha meritat i ka nga puna kopjuese dhe jo origjinale, është bërë më i dashur nga fëmijët, deri në model imitimi ekstrem, se sa vetë prindi apo mësuesi. Derisa disa fëmijë e njohin në detaje jetën private me plot skandale të personazheve të Show Biz-it, ndërsa s’kanë kujtesë dhe vetëdije kolektive, nuk e njohin asnjë personalitet historik dhe kulturor shqiptar. Madje gjuha që përdorin në shkollë nganjëherë është zhargon rruge.

Në kurrikulën bashkëkohore ka disa metoda, teknika e strategji të mësimdhënies të cilat i zhvillojnë kompetencat e fëmijëve dhe i arrijnë rezultatet e të nxënit. Por rezultati i Testit PISA, i publikuar më 3 dhjetor 2019, tregoi dështimin në jo vetëm mos arritjen e rezultateve të të nxënit por edhe dështimin e sistemit, politikave arsimore dhe shtetit, gjithë faktorëve me përgjegjësi në arsimin publik, për shkak se, fatkeqësisht, pjesë e menaxhimit dhe udhëheqjes së arsimit janë shumë analfabetë funksional, sidomos në Ministrinë e Arsimit, të cilët vazhdimisht kanë improvizuar dhe eksperimentuar me arsimin në dëm të nxënësve, pa qasje dhe strategji adekuate. 


MASHT-it nuk i falet kurrë gabimi i mos korigjimit të teksteve shkollore që demotivojnë nxënësit, me përmbajtje jorelevante për fëmijë, me gjuhë të urrejtjes, elemente diskriminimi, dhune dhe pasaktësi shkencore. Por ky skandal nuk ndikon në ndërgjegjen e vdekur akademike dhe profesionale të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të MASHT-it, se për autorë dhe recensentë joprofesionistë s’po flasim. 

Kështu ndodh kur në krye të arsimit nga forca dhe partia politike vjen një ministër klientelist, për të bërë argate politike, për të krijuar privilegje, për të aplikuar forma nepotiste, faktikisht për të degraduar arsimin, pa bërë asnjë reformë dhe pa bërë asnjë përmirësim cilësie. Një ministër nga një qeveri që nuk e ka arsimin prioritet vështirë që mund të bëjë ndryshimin. Një sistem që i demotivon, degradon dhe nënçmon mësimdhënësit, si ky në Kosovë, nëpërmjet strukturës hierarkike dhe forcës politike, duhet të marrë fund. 

Jo rastësisht një ndër intelektualët më të shquar të Rilindjes Shqiptare, Sami Frashëri, thoshte se nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë, nëse kërkon që të mbjellësh për 100 vjet, mbill arsim e kulturë. Prandaj mësuesi ka aq peshë të madhe që nuk vlerësohet sa e meriton. Një shofer apo një roje i një zyrtari të lartë shtetëror analfabet, që e vozitë dhe ruan një zhvatës të pasurisë publike, paguhet më shumë se një mësues i cili në kushte mjaft sfiduese mundohet të arsimojë dhe edukojë gjenerata.

Por edhe në anën tjetër, vetë mësimdhënësit duhet të reflektojnë, të aplikojnë një qasje më kreative, më humane, më gjithëpërfshirëse, më pragmatike dhe të jenë transparentë me nxënësit. Por këtu duhet një mbështetje nga menaxhmenti i shkollës, i cili duhet të jetë shumë kolegial, bashkëpunues, motivues dhe jo vetëm kritikues, fajësues e demotivues.

 

Nuk na shërben një art i kopjuar, i improvizuar, i cili e paraqet sjelljen dhe komunikimin e deformuar kulturor dhe moral, banalitetin si normalitet, sepse fëmijët duke qenë të pavetëdijshëm dhe të prirur në imitim, duke mos e kuptuar kritikën kulturore, sarkazmën dhe satirën, po imitojnë duke fituar forma të sjelljes imorale dhe komunikimit agresiv. E këtë më së shumti e vërejmë te serialet vendore, sidomos te ato që kontekst skenari e regjie e kanë shkollën, raportet e nxënësve, të cilat po prodhojnë demotivim dhe ndryshim negativ të botëkuptimit për shkollën, kulturën. E njëjta gjë edhe te muzika, sidomos Hip Hop, e cila po imponon shije të deformuar kulturore publike. 

Shkolla, me ata pak mësimdhënës të përgatitur dhe me ato pak përmbajtje lëndore, mundohet të ndërtojë vlera të kulturës publike, serialet komike bëjnë të kundërtën, i rrënojnë dhe përmbysin ato. Kultura komike po shndërrohet në një kulturë të deformuar kulturore. Sepse aty ka vetëm një standard: standardi komercial dhe sensacional. Ka pak përmbajtje komike që kritikojnë realitetin e hidhur në atë mënyrë që të ndikohet edukativisht te fëmijët.


Jemi ne ata që po vetëpërmbysemi kulturalisht dhe moralisht, jemi ne krijuesit e krizës që me heshtjen, inferioritetin dhe indiferencën tonë kulturore dhe intelektuale, po e fundosim ardhmërinë e rinisë. 


Në këtë mënyrë dhe sistem të vlerave, rininë tonë e pret një e ardhme jo e sigurt, ku ekziston rreziku që prindërit do të defunksionalizohen nga prindërimi dhe roli edukativ, ku mësimdhënësit do ta humbin autoritetin moral dhe do të kompromitohen në vendin e punës. Kësaj i ndihmon edhe mos aplikimi i masave ndëshkuese ndaj përdorimit të drogës, bullizmit, vandalizmit dhe huliganizmit, të cilat fenomene pengojnë mbarëvajtjen e mësimit dhe dëmtojnë mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve.

Një baba apo një nënë të cilët i ofrojnë fëmiut të tyre të gjitha të mirat materiale, privilegje, statuse e të drejta të pakufishme, qasje të pafund dhe të pakontrolluar në rrjete sociale, mjete teknologjike, kujdes maksimal për imazhin fizik, por jo kulturë dhe edukim, nuk meritojnë me qenë prind. 

Një prind që nuk e dërgon kurrë fëmiun e tij në bibliotekë, librari apo panair të librit, që nuk e dërgon në teatër, që nuk i ofron ndonjë dokumentar informues dhe edukues, që nuk i intereson se me kënd dhe ku po shoqërohet, se si po i shfrytëzon të drejtat, kohën, paratë, hapësirën, se si sillet dhe komunikon në rrugë, që nuk ia mëson vlerën e empatisë, tolerancës, korrektësisë, përgjegjësisë, vetërespektit e devotshmërisë, nuk ka arsye morale të ankohet nëse fëmiu i tij bëhet shkaktar ose viktimë e ndonjë dukurie socio-patologjike, e sidomos kur tipat e tillë të fëmijëve janë energjikë dhe hiperaktivë. Ndaj tipave të tillë duhet të ketë kujdes maksimal dhe trajtim familjar, jo vetëm shkollor. Duhet t’iu krijojmë mundësi me kapacitetet tona që energjinë e tepruar dhe hiperaktivitetin që kanë ta shprehin në vende dhe mënyra tjera, për shembull në natyrë, në sport, e jo ta instrumentalizojnë në formë bullizmi e vandalizmi në shkollë.

Vazhdoj të besoj në përgjegjësinë kolektive, jo vetëm atë individuale. Fatkeqësisht liria individuale po e sfidon përgjegjësinë kolektive. Familja moderne ka filluar ta humbë funksionin edukativ, duke mbetur vetëm me dy funksione, riprodhues dhe konsumues, duke demoralizuar kështu edukimin familjar. 


Një adoleshent që cenon të drejtat e tjetrit; që abuzon me lirinë; që përfshihet në dukuri negative, patologji sociale dhe vepra penale; që shfaqë forma agresive të sjelljes dhe komunikimit publik; që nuk shpreh mirënjohje, respekt e as empati ndaj të tjerëve; që udhëhiqet nga parimi ''kënaqu tash'', pa menduar për pasojat nesër; që e ofendon dhe provokon mësimdhënësin; që i shpërfillë obligimet ndaj familjes; që e ndot dhe dëmton mjedisin dhe pronën publike; duhet të trajtohet me seriozitet maksimal në procesin e edukimit dhe ndaj tij të merren masa urgjente. Nxënësit e tillë nuk duhen të përkdhelen dhe lihen vetëm në përgjegjësinë e arsimtarit. Drejtorët e shkollave nuk duhet t’i ikin përgjegjësisë dhe trajtimit të nxënësve problematikë, ndaj të cilëve duhet trajtim specifik përmes psikologut ose masa disiplinore dhe ndëshkuese.


Ndryshe shkolla do të quhet vetëm institucion arsimor, jo edukativ. Por kur dobësohet funksioni edukativ, ai arsimor çalon shumë sepse këto dyja shkojnë bashkë, ashtu që nxënësit të edukohen se njeriu është produkt i kulturës dhe jo i racës, se njeriu duhet të gjykohet në bazë të diturisë, sjelljeve dhe vlerave kulturore dhe intelektuale që fiton dhe jo në bazë të pasurisë, privilegjeve dhe statuseve materiale e fizike.


                                                                                



(Portali Shkollor) 

2,486 Lexime
4 vjet më parë