ANALIZË & REFLEKTIM

Tauland Çala: Drejtorët përballë sfidave të reja të arsimit dhe standardeve në arsim

Nga se varet suksesi i një drejtuesi institucioni arsimor? Çfarë përgjegjësish ka?Pse shihet ky post me paragjykim? Si do të ishte sikur ju ta mendonit veten në krye të drejtimit të një shkolle?-këto dhe pyetje të tjera marrin përgjigje në shkrimin e Tauland Çalës, drejtor i shkollës “Luigj Gurakuqi”,Tiranë.

Drejtori është një person i zgjedhur dhe i emëruar në këtë pozicion i cili ka për detyrë të organizoj e të drejtojë  punën dhe veprimtaritë në shkollë. Drejtuesi ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e institucionit arsimor, të sjellë praktika të reja në drejtim të rritjes  së cilësisë së punës mësimore etj. Roli i tij për të patur një zhvillim të vazhdueshëm, të qëndrueshëm është esencial.

Literaturat dhe studiuesit mund të na japin dhjetëra përkufizime të tilla standarde, por duhet të jemi koshient se të jesh drejtues nuk është vetëm kaq. Prandaj natyrshëm lindin disa pyetje.


Perse jo si çdo pozicion tjetër, ky i drejtuesit te IA ngelet me pak i lakmueshëm (po te pyesësh mesuesit profesionist që spikasin nëpër shkolla, që kanë përvojë dhe bagazh shkencor, refuzojnë të bëhen drejtues)?

A është e lehtë sot të jesh një drejtues i suksesshëm? 

A mund ta “vesh” lehtësisht çdo njëri këtë titull? 

Cilat janë cilësitë që duhet të ketë një drejtues?

A është gjithmonë një lider autoritar një drejtues i devotshëm?

Si arrijnë të përshtaten drejtuesit e sotëm me menaxhimin e situatave?

A është sot drejtori një model frymëzimi për personelin mësimor?

A janë drejtuesit sot individë që punojnë mbi veten ( në rritjen e cilësive të tij profesionale dhe personale?)

Sa vizionar dhe strateg është drejtuesi i shekullit të XXI?

A mundet të jetë njëherësh drejtuesi edhe menaxher efektiv , por edhe novator efektiv?


Po mundohem te trajtoj disa pyetje nga një mori pyetjesh të cilat japin përshtypjen se janë të pafundme, por kanë dhe shumë ngjashmëri njëra me tjetrën.

Të kesh aftësi drejtuese do të thotë të zotërosh disa cilësi që jo të gjithë mund t’i kenë pasi siç thotë populli “E lehtë me qenë i mirë por vështirë me qenë i drejt”. Mbase nga kjo fjalë e popullit rrjedh dhe fjala “Drejtor”, nuk e di. Por përveç kësaj duhet të jesh në gjendje të menaxhosh në mënyrë efektive marrëdhëniet që lidhin së bashku disa aktorë:

Mësues – Nxënës – Komunitet – Drejtues, ndaj një drejtues duhet të njohë dhe praktikojë:

  • Stile  dhe praktika komunikimi;
  • Mënyra negocimi për zgjidhjen e konflikteve;
  • Vlera dhe qëndrime pozitive;
  • Të jetë vizionar, të sigurojë që të gjithë segmentet  e shkollës që drejton  të jenë në harmoni me strategjitë e zhvillimit të arsimit;
  • Të njohë standardet e arsimit;
  • Kurrikulat e reja, zbatimin rigoroz të tyre;
  • Të mos paragjykojë dhe frustrojë askënd (nxënës apo mësues);
  • Të fitojë respektin dhe jo ta kërkojë atë;
  • Të sjellë në institucion përvoja pozitive  frymëzuese dhe frytdhënëse;
  • Të mendojë në mënyrë kritikë dhe krijuese;
  • Të ketë parësor interesin e nxënësve;
  • Të respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut;
  • Të njohë Konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e tyre;
  • Të jetë kundër diskriminimit etj.


A është gjithmonë një lider autoritar një drejtues i devotshëm?


Autoritarizmi tek drejtuesi i IA duhet te jete me pikatore, aq sa të mos e kaloj kufirin e të luftuarit  për vëmendje. Kur drejtori flet vetë, drejton veprimtarinë e mësuesve dhe nxënësve pa përkrahur mendimet e reja. Nuk është tolerant në shkallën e duhur i prerë dhe flet në mënyrë kategorike etj. Do të thotë se një drejtues i tillë nuk përshtatet aspak me standardet e reja arsimore. Përplasja vjen jo vetëm me standardet, por edhe pritshmëritë që mësuesit kanë për një drejtues të tillë.


Një drejtues autoritar nuk mund të na ofrojë:

  • Bashkëpunim të frytshëm;
  • Edukimin nëpërmjet modelit;
  • Klimë pozitive;
  • Optimizëm në punë;
  • Efektivitet dhe negocim në punë.

Prandaj një drejtues autoritar nuk është sot një drejtues i devotshëm. Drejtues i shekullit të XXI është larg këtij stereotipi të krijuar.


Sa arrijnë drejtuesit e sotëm të përshtaten me menaxhimin e situatave?


Fjala menaxhim është kthyer sot si sinonim i drejtimit.

Menaxhimi i kohës – një drejtues duhet të jetë korrekt dhe efektiv të përdorë kohën në mënyrë racionale.

Menaxhimi i sjelljes: Etika profesionale duhet të udhëzojë drejtuesin në çdo situatë;

Menaxhimi dhe koordinimi i punës – të njohësh personelin deri në detaj, të zotërosh cilësi empatike dhe ti shtysh ata drejt ideve novatore;

Menaxhimi i konflikteve – të kesh gati gjithmonë një zgjidhje ku të dyja palët të mbajnë përgjegjësitë e tyre;

Menaxhimi i buxhetit – të bësh ndarje eficente të buxhetit ku zgjedhja optimale të ketë sa më pak kosto oportune;

Menaxhimi i teknologjisë – një drejtues i mirë duhet t’i përshtatet gjithmonë inovacionit. Teknologjia duhet të shihet si ndihmesë për punën e drejtuesit;

Menaxhimi i emocioneve: një drejtues nuk duhet të përfshihet emocionalisht ai duhet  të zotërojë një inteligjencë emocionale (që ta ndihmojë në punën e tij) , por të ruajë ekuilibrat në emocionet e tij.


A është sot drejtuesi model frymëzimi për personelin mësimor?


Duhet të jetë! Një drejtues është një lider dhe aftësitë e tij karizmatike gjithmonë frymëzojnë të tjerët. Ai është model në kuptimin fizik, profesional dhe social. Suksesi i një drejtuesi sipas meje matet pikërisht nga modeli që ofron. Sadisfaksioni më i madh profesional është të dëgjosh tek flitet në mënyrë mirënjohëse  dhe falënderuese për ty. Kjo do të thotë që tashmë je kthyer në një muzë frymëzimi për të tjerët. Në këtë mënyrë ke arritur misionin tënd.


Sa vizionar dhe strateg është drejtuesi i shekullit te XXI. A punojnë ata mbi rritjen e aftësive personale dhe profesionale?


  • Roli i drejtuesit sigurisht që ndryshon tiparet e karakterit të individit i cili gjendet fillimisht i papërgatitur me këtë status të ri i cili do ta vesh atë me cilësi të reja; 
  • Një drejtues duhet të përsoset nga ana profesionale duke kryer  trajnime dhe kualifikime të ndryshme; 
  • Ai duhet të jetë gjatë gjithë kohës në koherencë me ndryshimet në kurrikul  dhe  strategji arsimore; duhet të njohë ligjet dhe rregullat e institucionit arsimor e jo vetëm;
  • Një drejtues është një vizionar ai ndërmerr plane afatmesme dhe afatgjata për institucione jo vetëm i harton, por edhe i beson ato derisa realizohen;
  • Një drejtues është një misionarë: Ai realizon misionin e tij me sukses dhe paanshmëri;
  • Një drejtues është një strateg i lindur për të udhëhequr, për të inkurajuar;  
  • Një drejtues nuk është një rol apo pozicion;
  • Një drejtues është model frymëzimi për shoqërinë.



Nga Tauland Çala, Drejtor i shkollës Luigj Gurakuqi, Tiranë


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,234 Lexime
2 vjet më parë