Të jesh njeri para se të jesh profesionist

Një reflektim i ndjerë mbi rëndësinë e njerëzores në vendin e punës: përtej profesionalizmit, janë mirësia, respekti dhe bashkëpunimi që ndërtojnë një kolektiv të shëndetshëm. Një mesazh që fton të jemi më shumë njerëz. Nga Behare Daja Kasa

Nga Behare Daja Kasa



Në rrugëtimin tonë profesional shpesh përqendrohemi te detyrat, rezultatet dhe përgjegjësitë. Mundohemi të jemi sa më korrektë, sa më të përgatitur, sa më të suksesshëm, por mes gjithë kësaj përpjekjeje të vazhdueshme, harrojmë diçka shumë të thjeshtë dhe njëkohësisht shumë të rëndësishme: ne nuk punojmë vetëm me profesione, por me njerëz.


Çdo mëngjes hyjmë në të njëjtin ambient, përshëndesim të njëjtët kolegë, ndajmë të njëjtën lodhje dhe shpesh të njëjtat shqetësime, dhe pa e kuptuar, kolegët bëhen pjesë e përditshmërisë sonë emocionale, pasi janë dëshmitarët e ditëve tona më të mira dhe më të vështirave.


Megjithatë, sa shpesh e lejojmë veten të jemi thjesht… njerëzorë?!


Jemi lodhur duke u përpjekur të dukemi gjithmonë seriozë, gjithmonë të përkryer, gjithmonë më të ditur. Veshim një lloj “uniforme” profesionalizmi që ndonjëherë na largon nga njëri-tjetri. Harrojmë se natyrshmëria nuk e ul autoritetin tonë dhe se një buzëqeshje nuk e zvogëlon profesionalizmin. Sportiviteti në marrëdhënie, pozitiviteti i sinqertë dhe të shikuarit e kolegut pa “syze” paragjykimi apo konkurrimi, nuk i bëjnë dëm askujt, përkundrazi, i japin frymë jetës së përbashkët në punë, pasi ndonjëherë nuk kemi nevojë për më shumë formalitet, por për më shumë mirësi.


Një kolektiv i shëndetshëm nuk ndërtohet nga titujt apo eksperiencat, por nga mënyra si njerëzit ndihen pranë njëri-tjetrit. Klima pozitive nuk lind nga rregullat, por nga energjia që secili zgjedh të sjellë me vete e të përçojë tek të tjerët  çdo ditë. Ajo lind nga një përshëndetje e ngrohtë, nga një ndihmë e dhënë pa e kërkuar, apo edhe nga një fjalë që lehtëson lodhjen e dikujt.


Kur ekziston barazia, askush nuk ka nevojë të mbrojë veten apo të provojë vazhdimisht vlerën e tij. Secili ndihet i pranuar, secili ka vendin e tij dhe pikërisht aty fillon bashkëpunimi i vërtetë, pasi kolegu nuk është rival, por është pasqyra jonë profesionale, mbështetja jonë në ditët e ngarkuara, njeriu që kupton heshtjen tonë kur lodhja flet më shumë se fjalët. Suksesi i tij nuk është humbja jonë; është një arsye më shumë për t’u ndjerë krenarë si ekip.


Sa herë kemi mësuar nga njëri-tjetri pa e kuptuar? Nga një këshillë e thjeshtë, nga një përvojë e ndarë në korridor, nga një bisedë e sinqertë pas një dite të gjatë pune, nga një motivim pas një çasti të vështirë? Shkëmbimi i përvojave është një nga dhuratat më të bukura që kolegët mund t’i japin njëri-tjetrit, sepse njohuria rritet kur ndahet.Dhe nisur nga kjo, po aq e rëndësishme është edhe aftësia për të vlerësuar. Një “faleminderit”, një “e bëre shumë mirë”, një mirënjohje e vogël mund të ndryshojë gjithë energjinë e një dite. Vlerësimi reciprok krijon besim, dhe besimi e shndërron një grup njerëzish të panjohur, mbledhur rastësisht, në një komunitet të vërtetë me frymë pozitive.


Një kolektiv i shëndetshëm është ai ku mund të jesh vetvetja pa frikë, ku serioziteti nuk përjashton humorin, ku profesionalizmi nuk e mbyt ngrohtësinë njerëzore, ku problemet zgjidhen në ekip(e jo në  grupe interesash), ku njerëzit nuk vendosin maska, por në mënyrën e tyre, sjellin origjinalitetin e tyre spontan, sepse në fund të fundit, ajo që mbetet nga një vend pune nuk janë vetëm projektet e realizuara bukur apo arritjet. Janë edhe  kujtimet e momenteve të ndara, mbështetja në ditët e vështira, energjia e mirë që lëmë pas.


Ne mund të harrojmë shumë gjëra nga puna, por nuk harrojmë kurrë si na kanë bërë të ndihemi njerëzit me të cilët kemi punuar, prandaj ndoshta sfida më e madhe nuk është vetëm të jemi më të suksesshëm apo më të ditur, por në radhë të parë të jemi më njerëzorë, të shohim njëri-tjetrin pa konkurrencë, pa paragjykim, pa distancë të panevojshme.


Kur ekziston pozitiviteti, natyrshmëria dhe respekti i ndërsjellë, vendi i punës pushon së qeni thjesht një detyrim ditor rutinë, por bëhet një hapësirë ku njerëzit rriten bashkë, mbështesin njëri-tjetrin dhe lënë gjurmë të mira në jetën e njëri-tjetrit.


Dhe ndoshta, në fund, kjo është arritja më e madhe profesionale:

të largohesh nga një vend pune duke ditur se ke qenë jo vetëm një profesionist i mirë, por edhe një njeri i mirë për kolegët e tu e që nesër ata të të kujtojnë e t’i kujtosh me nderim!




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

170 Lexime
9 orë më parë