Këndvështrim

Të mos kesh emocione? E pamundur!

Të mos kesh emocione është njësoj si të mos kesh mendime. Pothuaj çdo emocion që provoni, ju nxit të veproni. A mund t’i ndalosh dhe të përballesh me emocionet? Sigurisht, edhe pse kjo është një detyrë shumë e vështirë.

“Po si të veproj, të rri si shushkë?” – e dëgjova t’i hakërrehej së ëmës. Dhe ajo që i thoshte vazhdimisht: “Do pushosh? Pusho, të them!”  

...

Të mos kesh emocione  është njësoj si të mos kesh mendime. Të mos ndihesh i lumtur apo i mërzitur, i entuziazmuar apo i nervozuar, i vetmuar apo i përfshirë në gjithçka, të mos ndiesh dhimbje apo kënaqësi është e pamundur. Dhe çdo reagim, sido që të jetë, është i lidhur ngushtë me emocionet. Emocionet s’mund të ndizen dhe të fiken si një dritë. 


T’i shpërfillim? E pamundur, ato janë gjithnjë të pranishme. Dhe kjo s’ka për të funksionuar. Të paktën, le të bëjmë një përpjekje që të shpjegojmë se sa fort ndikojnë emocionet (sidomos ato negative) tek një fëmijë. 


Emocionet janë të lidhura fort me mendimet. Sa herë një fëmijë (por edhe një i rritur) ndihet i zhgënjyer ose i zemëruar, koka i mbushet me mendime negative. Ai fajëson veten ose të tjerët. Këto emocione zënë vendin e mendimeve që mund të përdoren për mësimet dhe kujtimet e bukura. Ato pengojnë që të përqendroheni në gjithçka që është më e mirë për ju, për të tjerët dhe për idetë tuaja. Sa më pak ankth të keni, aq më krijues jeni, më pak kundërshtues, madje për gjithçka do të silleni në mënyrë më të natyrshme.  


Pothuaj çdo emocion që provoni, ju nxit të veproni. Nëse jeni i gëzuar, mund të ndieni një dëshirë të madhe që t’i dëgjoni dhe (pse jo?) t’i mbështesni të tjerët. Në të kundërt, nëse jeni i zemëruar, e para gjë që do të bëni është të kundërshtoni për gjithçka.  Madje mund ta gjeni veten duke thënë fjalë e duke bërë veprime për të cilat mund të pendoheni më vonë. 


A mund t’i ndalosh dhe të përballesh me emocionet? Sigurisht, edhe pse kjo është një detyrë shumë e vështirë.

Nëse emocionet janë të forta dhe negative, këto mund të përkeqësojnë situatën mes të dyja palëve të përfshira në një situatë. Dhe ky ndikim negativ vështirë të tejkalohet me lehtësi. Madje të dyja palët mund ta humbin kontrollin: dy fëmijë mund të grinden përtej fjalëve, edhe me veprime; ndërsa prindi apo mësuesi, pa marrë mundimin të bëjë rolin e dëgjuesit dhe të shpjeguesit, mund të “ngrejë edhe dorën”. Pak durim nga të rriturit për t’i dëgjuar, pak durim për t’ua shpjeguar, do të ngulitin te fëmijët mënyrën se si t’i tejkalojnë emocionet negative. 

Nëse të dyja palët përpiqen, mund t’ia dalin të përballen me emocionet në çastin që ato shfaqen. 



(Nga Artemisa Bushi, Portali Shkollor)

2,737 Lexime
5 vjet më parë