DITAR

Të ndërtosh një njeri!

Rrëfime nga një ditë e zakonshme mësimore dhe pasazhe nga ditari i mësueses Brunilda Hoxha, nga shkolla e mesme “Faik Konica”, Korçë.

Shumë e kanë cilësuar mësuesinë si profesion të lehtë për të marrë një rrogë me pak orë pune e shumë pushime vjetore. Gjithkush që është mësues në këto momente do të hidhej pupthi.  Vërtet, me të drejtë.

Po shkëput disa copëza nga ditari im si mësuese gjimnazi:



Është mëngjes. Sapo hyj në shkollë problemet e mia shëndetësore e familjare zerohen. Truri im është totalisht në gjendje pune. Pas ritualit përshëndetës të mëngjesit puna fillon me vizitën e përditshme në klasën “time”, kështu i them unë klasës kujdestari. Nxënësit e fshatit kanë kohë që kanë ardhur, disa nga qyteti ende jo, pëshpërit me vete “Prapë ata, të njëjtit që vijnë me vonesë në mëngjes...”.

 Qëndroj aty disa minuta, po i pres të vijnë, ndërkohë pyes të tjerët si janë me shëndet. Diku dëgjoj një kollë, ja dhe dy faqe të përskuqura. Nxënësja ka temperaturë. Kohë virusesh. Kontaktoj me prindin për ta marrë e për ta vizituar, është i rrezikshëm qëndrimi për të dhe të tjerët pranë saj. Ndërkohë klasa kompletohet dhe është gati për fillimin e mësimit. Shkoj në sallën e mësuesve marr regjistrin poshtë krahut, shkumësat në xhepin e përparëses se bardhë dhe nisem drejt orës së parë mësimore. Përshëndetja kolektive “Mirëmëngjesi nxënës” dhe më pas marrja e mungesave. Hyj në temë, filloj procedurën e parashikuar të orës mësimore, së pari kontrolloj detyrat e shtëpisë. Të bezdisura, monotone? Jo, detyrat e shtëpisë janë një detyrim i domosdoshëm për matematikën. Atje pasqyrohet se sa e si është përgatitur nxënësi. Citoj fjalët e përhershme:- “Ju lutem bëni detyrat vetë, sado pak prej tyre ama bëjini vetë”. 

Nuk dua të bëj kontroll formal, unë tashmë i njoh ata, e di mirë kush mund t’i bëjë vetë dhe kush i kopjon. Ves i keq ky kopjimi! Gjithmonë i bëj krahasimin nxënësve të mi me vjedhjen. Më vjen mirë që disa prej tyre më thonë:

- Sot i bëra vetë mësuese, po vetëm dy ushtrime, po të duash me ngri në tabelë për këto. 

Mendoj  “të paktën diçka ia vlejti nga këshilla ime”. Mundohem të mbaj ritëm të mirë gjatë orës, nuk dua të shoh fëmijë të mërzitur që mezi presin të bjerë zilja dhe unë të zhdukem nga sytë e tyre.

 Dy, tre, katër... u bënë më shumë se gjysma  që po më ndjekin fort, ora po ecën mirë. Po ja edhe ai nxënësi  që nuk kishte bërë detyrën po punon me shokun për të kuptuar diçka nga sot. Ndaloj pak, pak çaste humori, një batutë e rastit, qeshim të gjithë, edhe unë me ta.

Rikthehemi aty ku e lamë:

 - “Më pëlqeve shumë sot, punove bukur, me kujdes, mos u nxito , puno me fort”, janë fjalët e mia për punën e gjithsecilit.  

Tabela është mbushur shumë herë, ata më kanë ndjekur me shkrim dhe mendje, me përjashtim të tipit që mezi pret të kthej kurrizin në tabelë. E di dhe e ndjej se cili është, tërheq vëmendjen pa kthyer kokën nga ai. Situata rregullohet. Ai me njeh mua, nuk më pëlqen të tërheq vëmendjen dy herë. Është koha e pyetjeve para se ta provojmë vetë njohurinë e re

-  Mësuese këtë hap nuk e kuptova, mundesh dhe njëherë?

Me shumë dëshirë i rikthehem, mendoj “sa mirë , këta nxënës po më ndjekin dhe kanë dëshirë të punojnë”. Koha rrodhi, ata bënë një zbatim të asaj që shpjegova. Me sy kapa nxënës që e zgjidhën shumë mirë, ndoqa fletoret e tyre, e nxora një rezultat të shpejtë; 80% e zgjidhën shumë mirë, jam e kënaqur. I them vetes - ”Orës tjetër do të ndjek më  tepër ata të qoshes aty, nuk e përfunduan ushtrimin”...Jap detyrën për herës tjetër, ndërkohë dëgjohet zilja, - “Uaa, pse ra kaq shpejt....në fakt nuk ra shpejt, ra në momentin e caktuar. Sa shumë më bëhet qejfi që ata nuk e ndjenë se si iku koha..

Kjo ishte një orë e zakonshme mësimore e imja. Po jo rrallë herë ndodh edhe kështu: - Unë kërkoj detyrën e shtëpisë dhe nxënësja përlotet, qan fort. Nuk po qan për detyrën. Ka diçka tjetër, edhe pse i kërkoj arsyen nuk mund të ma thotë para të gjithëve. Atëherë e marr veçmas të tjerëve. Duhet ta qetësoj me parë, ajo nuk mund të flasë nga lotët që i rrjedhin rrëkè.  Mendoj – “Diçka i ka ndodhur, mes shokësh apo në familje”. Me shumë pyetje dhe takt arrij të kuptoj se ishin arsye familjare, babi i saj i dehur kishte dhunuar atë dhe nënën e saj, qetësoj vajzën për disa minuta, e ul në vendin e saj dhe vazhdoj mësimin. Pas mësimit bëj raportimin ne drejtori të rastit për t’u ndjekur nga shërbimi social i shkollës. 



Vij nga një ditë ndër më të ngarkuarat sesa e zakonshmja. Të parashikuara që një ditë më parë; ngarkesa e normës mësimore, ngarkesa e temave mësimore, niveli i ndryshëm i nxënësve në klasa të ndryshme. Të paparashikuara janë ato që gjej aty: “Ora e mësimit e herës së kaluar nuk ishte përgatitur, nxënësit nuk kishin mësuar formulat për gjetjen e integralit të pacaktuar”. Porosia ime ishte t’i mësonin patjetër, sepse ishte “alfabeti” që do të përdorej për zgjidhjen e ushtrimeve në vazhdim. Asnjëri prej tyre nuk i kishte mësuar, megjithëse ia kisha dhënë edhe me shkrim të sistemuara numerikisht në fletore. Detyra e ngarkuar nuk ishte përgatitur, dhe mbi të gjitha mbizotëronte një qetësi mortale, nga ato që asnjë mësues, as në ëndrrat e tij me të këqija nuk do donte ta përjetonte. “Marrëveshje kolektive” për t’u mospërgatitur apo këta nxënës janë të tillë?

Jam në një klasë me shumë problematika. Ka plot nxënës që nuk përgatiten pothuaj fare. Kjo është një klasë maturë dhe mua më është dhënë të jap mësim në vitin e fundit të tyre. Jam tepër e shqetësuar. Përpiqem të ngjall sadopak dëshirën për studim. Faktikisht kjo mungon. Pyes kolegët për historikun e kësaj klase dhe më thonë se  mbartin shumë probleme nga e kaluara.  

 Nuk kam probleme në menaxhim, nuk thyejnë disiplinën në orën time, më ndjekin me shkrim, punojnë brenda orës por nuk përgatiten në shtëpi për orën tjetër. Madje nuk i bën përshtypje vlerësimi negativ që marrin pas neglizhimit në përgjigje. Këtu mungojnë shumë gjëra: Nuk ka motivim, nuk ka stimul, ka probleme në vetvete të nxënësve si dhe probleme sociale, ekonomike familjare. Disa minuta nga ora e konsumoj duke folur për rëndësinë e të studiuarit, peshën e maturës, si vit i fundit shkollor por edhe peshën e vlerësimit, si peshë e mesatares për shkollën e lartë. Shumë pak nxënës përpiqen, por i “gllabëron” e keqja e shumicës dembele. Si mundet që një fëmijë të mos  ketë asnjë shkëndijë emocioni brenda një ore të tërë mësimi? Sa shumë më vret kjo gjendje! Më bren pyetja:- “Do t’ja dal dot t’i fut në provimin e maturës të gjithë? Do të jenë në gjendje të superojnë provimin e maturës ?” Testimi i fundit doli shumë keq.

 Jam në kërkim të metodave të reja stimulimi e tërheqje. Fundja fundit janë ende fëmijë në rrugën e maturimit dhe unë do të bëj gjithçka për ta. Dështimi i tyre është dhe dështimi im sikurse dhe suksesi i tyre është dhe suksesi im dhe unë nuk jam mësuar të dorëzohem.



Për rastësi të fatit disa nxënës të klasës sime kujdestari kanë ditëlindjen këtë muaj. Dikush prej tyre propozoi që të festojmë në një ditë në hapësirat e një ore kujdestari. Ideja  më pëlqeu, këtë festë ta shndërrojmë në një aktivitet edukativ, kulturor edhe argëtues. Klasa ime ka shumë talente. Ndoshta disa nuk janë të shkëlqyer në lëndën e matematikës por ama janë piktore të mirë, aktore premtues, shkrimtarë të së ardhmes. Natyrisht pranova, dhashë dhe mendimet e mia . Ata kanë nevojë për udhëheqje dhe unë këtë e bëj me kënaqësi. 



Kthehem në shtëpi, orari i punës mbaroi, por mendimet për sa më sipër nuk mbetën të mbyllura atje, në ato hapësira thuaj katrore të quajtura klasa dhe në ato korridore gjarpërushe me zëra fëmijësh.  Ato ziejnë vrullshëm në trurin tim dhe presin zgjidhje. Tashmë janë orët e vona të pasdites dhe unë mendoj për ditën e nesërme; Si do të jetë e nesërmja? Po, varet nga përgatitja e tyre, por edhe nga unë. Problemet e piketuara duhen të zgjidhen. Duhet të bëj më të mirën për ata, nxënësit e mi, qytetarët e të ardhmes së shumëpritur.  



                       Nga Brunilda Hoxha, mësuese e Gjimnazit “Faik Konica”, Korçë




(Portali Shkollor) 

3,829 Lexime
4 vjet më parë