Opinion

Të punosh thjesht për rrogë apo për përgjegjësi profesionale?

Të shumtë janë arsimtarët, sot të dalë në pension, të cilët që në momentin kur morën “Detyrën e arsimtarit” u betuan se i njëjti emocion me të cilin nisën ditën e parë të punës së tyre fisnike do i shoqëronte tërë jetën. Shkrim me rastin e 1 Tetorit nga Evans Drishti.

Iu kujtua për një çast mësuesja e lëndës së “Ekonomisë shtëpiake”, lëndë që jepej dikur në ciklin e 8-vjeçares, një zonjë shtatlarte, e shëndetshme, me një buzëqeshje që s’i mungonte asnjëherë, e komunikueshme në çdo rast e rrethanë, tejet profesioniste në dhënien e materialit mësimor, që dinte të zbërthente psikologjinë dhe natyrën e një nxënësi/nxënëseje e natyrshëm t’ia rrëmbente menjëherë edhe shpirtin dhe mendjen e tij/saj… 


Iu kujtua gjithashtu edhe një tjetër moment i këndshëm, kur qenë përgatitur një grup nxënësish për t’i bërë një vizitë kësaj mësueseje kaq të mrekullueshme, por s’ishte nga ato vizitat “zyrtare” që mund të bëheshin në raste “të veçanta”, përkundrazi ishte një vizitë respekti dhe mirënjohjeje për profesionalizmin dhe njerëzoren e saj që e kishte pasqyruar së tepërmi tek brezi i të rinjve… Pasi kjo mësimdhënëse profesioniste ishte kthyer për brezin e ri në simbolin e vlerave njerëzore që punën dhe angazhimin e saj s’e shihte thjesht si një “punë angari” që duhej bërë “se merrej rroga”, por si një përkushtim profesional, ku çdo ditë sillte risi të shumta dhe për rrjedhojë nxënësit vinin me plot dëshirë e kënaqësi në vatrën e dijes e të kulturës. 


Të tillë arsimtarë të përkushtuar në profesionin e tyre ishin të shumtë asokohe…. 

E për rrjedhojë, 

Edhe nxënësit shkonin me plot dëshirë në shkollë, jo thjesht se e kishin “detyrim”… 


1 tetori i të moshuarve!... 


Në këtë ditë të 1 Tetorit çdokujt i shkon në mendje ideja se kjo datë përkujtimore vjen zakonisht për të moshuarit, ku fokusi është tek “shtëpia e të moshuarve”, ndërkohë që kur flasim për të moshuarit, natyrshëm mëndja të vete tek çdo i moshuar i çdo lloj profesioni. 

Në rastin tonë, mbart një rëndësi të posaçme sjellja në vëmendje e arsimtarëve të moshuar, duke “thyer” në një farë mënyre “tabu”në se arsimtarët duhen kujtuar vetëm për festën e mësuesve, një herë në vit, përkundrazi… 


Të shumtë janë arsimtarët, sot të dalë në pension, madje që kanë mbërritur edhe në një moshë të lartë pleqërie, të cilët që në momentin kur morën “Detyrën e arsimtarit” u betuan se i njëjti emocion me të cilin nisën ditën e parë të punës së tyre fisnike do i shoqëronte tërë jetën. 


Dhe vërtetë ashtu ndodhi… 

  • Arsimtarë që ditën të paraqiteshin në punë në mënyrë shumë të përpiktë, me një veshje plot hijeshi, plot elegancë, plot harmoni, plot mozaik duke reflektuar një shije dhe një gusto admiruese… 
  • Arsimtarë që ditën të përkushtoheshin në detyrën përgatitore për të “nesërmet” e orëvë mësimore duke mos ngelur të kufizuar vetëm tek “kapërtinat librore”, por duke hulumtuar për informacione të nevojshme dhe të qarta që do u viheshin në shërbim brezit të ri. (të mendojmë këtu mungesën e teknologjisë për kohën) 
  • Arsimtarë që ditën të përgatiteshin në mënyrë serioze për të hyrë brënda një auditori duke njohur më së miri natyrën e çdo nxënësi dhe duke krijuar një harmoni sa serioze po aq edhe familjarizuese qoftë me sjelljet dhe qëndrimet e tyre qoftë edhe me dijet, kulturën dhe diapazonin gjithpërfshirës për të kultivuar breza intelektualësh… 
  • Arsimtarë që “nuk e hiperbolizuan” orën mësimore, por ditën mjaft mirë të angazhoheshin në shumë projekte edukative duke aspiruar për ndërtimin e një individi që njeh jo vetëm normat shoqërore, por edhe sfidat jetësore… 
  • Arsimtarë që ditën si të flisnin me nxënësin e tyre, jo vetëm për një proces mësimor, por shumë përtej qenies njerëzore duke kultivuar çdo lloj pasioni që rrezatonte në shërbim të një shoqërie plot harmoni… 
  • Arsimtarë që përveç autoritetit që kishin krijuar me profesionalizmin e tyre reflektonin në çdo kohë vlera të larta njerëzore në çdo bashkëbisedim jo vetëm me nxënësit, por edhe me kolegët e punës në çdo hapësirë institucionale apo kudo në shoqëri… 
  • Arsimtarë që shquheshin jo vetëm si mësimdhënës, por edhe për aftësi të ndryshme kulturore, sociale, shkencore, letrare, historike etj duke u bërë figura shumëdimensionale të kërkueshme dhe të pëlqyeshme në mbarë vendin… 


Po marrim shkas të sjellim këtu pse jo edhe modele të këtillë arsimtarësh, të cilët sot janë në moshë të thyer në qytetin e Shkodrës si: Quether Lici, dikur mësimdhënës në lëndën e Biologjisë, e njëkohësisht një specialist në përgatitjen mjeshtërore të “AMZËS” institucionale, si një dokument me shumë rëndësi dhe vlerë për çdo institucion arsimor apo Skënder Lohja, ish arsimtar në lëmin e Gjuhës dhe Letërsisë metodist dhe drejtues i shquar në shkollat më në zë të qytetit … 

Besojmë dhe shpresojmë me këtë rast që secili nga lexuesit të gjejë hapësirë të sjellë modele të ngjashëm që padyshim në çdo zonë të Shqipërisë dhe trevave shqiptare kanë qenë dhe janë të shumtë… 


Sa peshon angazhimi i sotëm? 


Padyshim që arsimtarët janë intelektualët e sotëm, jo vetëm si të diplomuar në një universitet dhe degë të caktuar, por edhe si iniciatorë dhe orientues të brezit të ri, të obliguar të japin mirëfilltazi materialin lëndor dhe jo vetëm, por të punojnë për zhvillimin dhe integrimin e çdo individi të shoqërisë ku jetojnë. 


E shkruar e zezë në të bardhë aspekti teorik mbart një vlerë të padiskutueshme, por sa peshon vërtetë ky angazhim i çdo arsimtari të sotëm?... 


Mos harrojmë!... 

Është detyrim i çdo arsimtari të ofrojë më të mirën e mundshme si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë profesional për zhvillimin dhe ngritjen e nivelit shkencor e kulturor…

Është detyrim i çdo prindi të shfaq interesim të vijueshëm në mbarëvajtjen e zhvillimit ideor dhe kulturor të fëmijës së vet duke forcuar raportet me arsimtarët si dhe duke bashkëvepruar me fëmijën e vet për realizmin e kësaj cilësie të lartë… 


Kurse nxënësi?...

Mbetet përherë në pritje të marrë orientimet e duhura dhe të sakta nga të dyja palët për të shkuar në drejtimin e duhur… 

Sa kushton kjo rrugë?!...  



Nga Evans Drishti 

1,704 Lexime
1 vit më parë