REFLEKSION

Të qëndrojmë sot larg, për t’u përqafuar më fort nesër!

Refleksion që i ndodh gjithsecilit këto ditë, pasi ritmi jonë i jetës ka ndryshuar shumë. Një shkrim nga mësuesja e shkollës "Mark Dashi", Fier, Amarda Muskaj.

Ndërsa shijojmë diellin e sotëm të një moti “çuditërisht” të mrekullueshëm duke gjerbur mendueshëm kafen në ballkonin me pamje nga lagjia e pazhurmë, kuptojmë se jeta mund të jetë e mrekullueshme gjithsesi. Kemi përballë, anash, prapa nesh; kudo armikun tinzar e të padukshëm që as nuk dimë ku t’ja ngremë pritën, e as me ç’duar ta luftojmë. 


Është një luftë e padrejtë e me të panjohura dhe kjo e bën edhe më të vështirë betejën e gjithsecilit. Në këto ditë të gjata dhe reflektimi, ku janë vënë në plan të dytë planet tona personale, nevojat, pasionet, zënkat, xhelozitë, inatet, financat, përditshmëria jonë e thjeshtë që aq shumë e kemi urryer, por që sot aq shumë na mungon, kuptojmë se jetët tona mund të tronditen njëherazi kaq seriozisht, në kaq pak kohë e kaq lehtë. 


Jetët tona këto ditë kanë ndryshuar shumë, ku ne me stoicizëm, autoironi e forcë po përpiqemi t’i shohim si orë të shtrenjta që na kanë munguar për t’i shpenzuar me familjarët tanë në normalitetin tonë të mëparshëm. Ndërsa orët kalojnë me përtesë dhe qyteti bëhet edhe më i heshtur, nuk dimë se çfarë do të sjellë muzgu e aq më pak e nesërmja, por përqafohemi fort me zemër me shpresën se do mund t’ja dalim. 


Të qëndrojmë sot larg, për t’u përqafuar më fort nesër!



(Amarda Muskaj; Portali Shkollor)

1,809 Lexime
4 vjet më parë