OPINION

Thuaji faleminderit mësuesit!

Desha që të të kujtoj ty që po e lexon dhe që ke fëmijën duke mësuar, ta marrësh telefonin dhe t’i thuash faleminderit mësuesit të tij, jo se do ndryshojë gjë tek fëmija, por sigurisht do të ndryshojë për mirë tek mësuesi por edhe akoma më shumë tek ti!

Pa asnjë dyshim puna e mjekut dhe infermierit nuk krahasohen për nga vlera dhe vështirësia në këtë periudhë me asnjë tjetër. Është e vërtetë që edhe policia që rri në rrugë dhe përballet përveç ekspozimit ndaj virusit edhe me lloj-lloj vleresimi e intimidimi, ndaj edhe ata jo vetëm të falënderohen por edhe te vlerësohen siç e meritojnë. Por pas këtyre, puna që po bëjnë mësuesit që të vazhdojnë me çdo mjet detyrën e tyre të shenjtë, mesimin e një brezi të tërë, është ajo që duhet të vlerësohet më tepër. Mësuesit u ndodhën perballë një situate që nuk mund ta quash vetëm e paparashikuar por një situatë që në momentin e parë, për shumë njerëz, përfshirë edhe mësuesit vetë dukej mision i pamundur. 


Përpara ndërprerjes së proçesit mësimor mësuesit ishin gjysmën e ditës në kontakt me fëmijët dhe u dilnin probleme çdo minutë, atëherë çfarë mund të bëjnë kështu në largësi? E vetmja mundësi u ngeli lidhja virtuale, por sa vështirësi ka ajo? A e njohin femijët, apo edhe prindërit e tyre aq mirë teknologjinë? A e njohin mësuesit aq mirë teknologjinë? A ka teknologji qe t’ju përgjigjet kushteve tona? Po ajo a ka kufizimet e veta? Po sa kohë duhet që të ushtrohen të gjithë në përdorimin e saj? 


Të gjitha këtyre pyetjeve si dhe 1000 pyetjeve të tjera mësuesit fjalë pak po i përgjigjen me një shpejtësi për tu admiruar. 


Ketu nuk e kam fare fjalën për ato orët mësimore që jepen në TV e qe pothuaj askush nuk i ndjek, por për ata mesues që merren secili me nxënësit, njëlloj si me fëmijët e vet. Pak kush e mendon se mësuesi që po i jep mësim fëmijës së tij i duhet ta mbyllë sa më shpejt komunikimin se i duhet të bëjë pazarin e dites dhe koha është e kufizuar. Jo se fëmija apo prindi nuk duan t’ja dinë por sepse mësuesi nuk ja tregun kurre femijes problemin e tij. Pak kush e di se mësuesi që po i jep mësimin fëmijëve të tij, ka edhe ai një fëmijë të cilin është detyruar ta privoje nga mësimet e tij pasi një telefon kanë në shtëpi për të komunikuar online dhe ai mësuesi e përdor së pari për ti dhënë mesim nxënësve të klasës e pastaj për të marrë mësimet femija i tij. 


Vështirësitë janë pa fund, por shoqëria jonë ende nuk po ndërgjegjësohet se ku duhet vënë theksi. Jemi akoma si ai fëmija që nuk rendit dot gërmat dhe gjithmonë fjalët i dalin gabim. U desh tërmeti që të shikonim se sa e kemi zhvlerësusr punën e inxhinerëve të zotë për të mos patur pasoja në jetë njerëzish e në godina. U desh pandemia që të vleresohet mjeku dhe polici për të patur sa me pak pasoja në jetë njerëzish. Por në arsim tërmeti ra në vitet ‘90 ndërsa epidemia vazhdon edhe sot. Shikoni në të gjitha emisionet e lajmeve pushtetare qe bejne rolin e hamallit duke cuar pako me ca ushqime neper shtepitë e shqiptarëve, a thua se nuk kane makina e puntore per keto pune, a thua se i blenë nga xhepi i tyre, ndërsa një mësues bën 10-fishin e punës së tyre dhe nuk del në televizione. Ky eshte dallimi midis tyre. Pushtetarët kane nevojë ti falenderojë dikush edhe sikur ta blejnë atë falenderim, qoftë edhe sa për televizor, ndërsa mësuesit falenderimin e marrin në mënyrën më të bukur, prej buzëqeshjes së fëmijëve dhe fjalës së ngrohtë të familjeve të tyre. 


Askush të mos e çojë nëpërmend se mësuesi e bën gjithë atë punë për të marrë atë copë rrogë. Jo! Nëse do ta bënte për rrogën, fëmijët nuk do të kuptonin asgjë, fëmijët e ndiejnë kush i do dhe kush bën sikur i do. Mësuesi e bën punën se nuk bën dot ndryshe, se nuk mund të jetë mësues po nuk u interesua për nxënësit si për fëmijët e tij. 


PSE I SHKRUAJ KËTO RRESHTA?

Desha që të të kujtoj ty që po e lexon dhe që ke fëmijën duke mësuar, ta marrësh telefonin dhe t’i thuash faleminderit mësuesit të tij, jo se do ndryshojë gjë tek fëmija por sigurisht do të ndryshojë për mirë tek mësuesi por edhe akoma më shumë tek ti!



Nga: Armand Mamani


(Portali Shkollor)

5,065 Lexime
3 vjet më parë