PUSHIMET DHE SHKOLLA

T’i lejojmë dhe pak... të “shijojnë” pushimet!

Dhe pak ka mbetur nga fillimi i vitit shkollor. Ditët “vrapojnë” dhe, mes fëmijëve të të gjitha grupmoshave (dhe s’janë të paktë), ka nga ata që thonë: “Bobo, do fillojë shkolla!”

Dhe pak ka mbetur nga fillimi i vitit shkollor. Ditët “vrapojnë” dhe, mes fëmijëve të të gjitha grupmoshave (dhe s’janë të paktë), ka nga ata që thonë: “Bobo, do fillojë shkolla!”  

Pse kjo ndjesi? Ndoshta kjo vjen për shkak të një ritmi ndryshe gjatë ditëve që janë në shkollë dhe shumë më ndryshe kur janë me pushime?!


Koha e tyre gjatë pushimeve do të thotë se flenë më shumë, luajnë më shumë me shokët dhe shoqet, kanë më tepër mundësi të rrinë me prindërit dhe njerëzit e tyre më të dashur, për më tepër, pushimet verore janë e vetmja kohë kur së bashku me familjen ata udhëtojnë në vende të ndryshme, sidomos në bregdet. Por, nuk përjashtohen rastet kur shkojnë edhe në vendet malore. 


Janë të shumta mënyrat që t’i mbajmë sërish të lidhur me njohuritë që kanë marrë në lëndët mësimore:

- Gjatë udhëtimit familjar mund t’u tregojmë një hartë të vendit ku do të shkojmë. Nëse është udhëtim me avion, le t’ua lëmë atyre që të gjejnë se për sa kohë ky udhëtim mund të bëhej me makinë. 

- Mund të tregojnë se çfarë kanë mësuar për detin, lumin, liqenin ku ata shkojnë.

- Sigurisht, pajisjet elektronike janë gjithnjë me vete. Programet dhe aplikacionet e reja do t’i ndihmojnë të përsëritin njohuritë për informatikën. 

- Në vendin që ata shkojnë përballen me gjuhën e vendit. Mund t’i ndihmojmë me shpjegimin e fjalëve që ata s’i kuptojnë dhe le të na ndihmojnë me njohuritë që kanë marrë.

- Le t’i bëjnë ata blerjet dhe të bëjnë përllogaritjet e nevojshme. Nëse janë në një vend tjetër, le të bëjnë përllogaritjen e shkëmbimit të monedhës. 

- Dhe, pa diskutim, libri duhet të jetë miku i tyre më i mirë. Por pa e detyruar që të lexojë atë që duam ne. Le t’i lejojmë të përzgjedhin. Në librari apo në internet mund të gjejnë librin më të pëlqyer. 


Ka plot e plot mënyra për t’i ndihmuar, që të rikujtojnë njohuritë e marra në shkollë dhe t’i zbatojnë në praktikë. Por le të mos ua bëjmë të vështirë pjesëmarrjen e tyre në këto veprime të vogla. 


Le t’i lëmë të pushojnë edhe për pak, të ndiejnë ngrohtësinë e diellit, dashurinë e prindërve dhe të afërmve, të shijojnë “pushtetin” e pushimit, sigurisht duke u treguar të kujdesshëm që vazhdimisht mendja e tyre të jetë krijuese, për më tepër, të mendojnë se po vendosin vetë. 


Ka prindër që ndoshta te fëmija i tyre, pa e kuptuar as vetë, përpiqen të realizojnë ato që vetë s’mundën. Por çdo fëmijë është i veçantë për aftësitë që ka. Duke u dhënë mundësinë të jenë vetvetja, edhe ne i njohim më mirë dëshirat dhe pasionet e tyre. 


Dhe pak ka mbetur nga fillimi i vitit shkollor. Ndaj le t’i lëmë edhe pak... të “shijojnë” pushimet. 



(Artemisa Bushi; Portali Shkollor)

3,635 Lexime
4 vjet më parë