MODEL

TRE KLIK-et e një filmi

..vijimi shkrimit: IRELI, VAJZA E PERSONAZHEVE

Jam përsëri Ireli, TURISTJA E VOGËL LETRARE ose siç më keni njohur në një shkrim të mëparshëm: VAJZA E PERSONAZHEVE

Librat janë gjithnjë frymëzues, qofshin edhe libra shkolle.

Madje edhe shkolla vetë mund të jetë frymëzuese, paçka se ajo bazohet te detyrat – që është edhe rrënja e fjalës “detyrim”. 


Kjo është një histori e tipit: kur e merr lëndën e re me entuziazëm. Ideja zuri fill në fillimet  e klasës së katërt, kur ne morëm për herë të parë lëndën e Historisë. Ishte fillimi i një misioni: të vizitoja objekte historike. Kështu, unë, më e vogla e familjes arrita t’i gjeja zgjidhje problemit të madh çdo fundjave, pyetjes sherranjose: “Ku të shkojmë?”. Megjithëse unë më shumë parapëlqej turizmin letrar , vumë në plan që turizmin e peizazhit ta zëvendësonim me turizmin historik (kështu do të shpreheshin të rriturit nëpër dreka). Por për ta thënë me fjalët e mia, vumë në plan të shihnim kështjellat e moçme, të cilat më parë vlonin nga qytetërimi e tani qytetërimi u qëndron ca larg ... Ke parë që shumica prej tyre ishin mu në majë të kodrës ku nuk shkohej dot me makinë dhe nuk kapte valë?! Kështu që ishte shëtitje-si-stërvitjeje, një bonus për mamin e babin dhe një minus për time motër... të gjithë ecnin si të ndryshkur.

Gjiri i kockave, Muze në ujë, Ohër. 

Meqë jemi te kodrat, dua t’ju them se edhe shkolla “The Independent” ku unë mësoj, gjendet mu në majë të një kodre të butë në Linz, njësoj si kështjellat. Kur mësuesja e Historisë, Lindita Metushi, na nxori jashtë në oborr për të na treguar fosilin e një guaske që ishte gjetur kur kishin gërmuar themelet e shkollës e që ruhej te lulishtja, na kliku ideja se shkolla ishte vendi i përkryer për të vënë në skenë një lojë me role. 


Mësuesja pastaj na rrëfeu për shumë prijës e mbretër ilirë të kohëve të lashta, për Baton, për Gentin, për  Glaukun, për Agronin e për Teutën. Të gjithëve na bëri shumë përshtypje që shumë prej tyre ishin burra dhe vetëm Teuta ishte grua. Unë i tregova se në shtëpi kisha librin “Mbretëresha Teutë” të serisë “Mua më quajnë...” që ma kishte dhuruar teta Rita në panair (ky ishte kliku i dytë) dhe u premtova që herës tjetër do ta sillja në klasë për ta lexuar në orën e Bibliotekës (në shkollën time ka vërtet orë biblioteke... kërkojuani edhe ju mësuesve tuaj të shtoni të paktën një herë në javë një orë kaq joshkollore). 


Kur shkova në shtëpi, ende pa mbyllur derën kryesore, gjithë entuziazëm i thashë mamit: 

O ma, paskemi pasur edhe ne mbretër të vërtetë, madje edhe mbretëresha, se unë e dija se ata ekzistonin vetëm te popujt e tjerë ose te përrallat që nuk janë të vërteta...

Stop. Doja të vazhdoja t’i thosha ç’kishte ndodhur në shkollë, por mami kishte ngrirë sikur sapo kishte dalë nga frigoriferi dhe sytë i kishte zgurdulluar si bretk. Pastaj, mori telefonin për vete,  mori librin “Mbretëresha Teutë” për mua dhe më tha ta lexoja. Tani??? Ishte radha ime të zgurdulloja sytë si bretk: po të bëja diçka tjetër pa u ndërruar, pa rregulluar dhomën dhe pa ngrënë drekën... ajo do të kishte bërë namin!


Nga telefonata me zë të zgjatur kacafiu dukej se ishte e xhindosur... mbajta vesh... më duket se ishte e xhindosur me kurriluki-kurrikolaaaa (që mua më ngjan e një varg opere të famshme) e cila ishte E VONUAR... kurrikula e linte për klasat shumë të larta mësimin e historisë kombëtare; që deri në klasë të nëntë nxënësit e mësonin përciptas historinë tonë; se ata i festojnë festat e atdheut çdo nëntor duke mos ditur se ç’ka ngjarë apo duke i mësuar cektas në Edukatën Qytetare në vend që ta mësojnë në mënyrë të plotë dhe shkencore nga Historia; se nxënësit duhet të mësojnë qysh të vegjël për figurat historike me të cilat kombi ynë ka kontribuuar në historinë e njerëzimit e të qytetërimeve para se t’u mësojmë “O sa mirë më qenë shqiptar!”... si edhe ca gjëra të tjera që nuk i mbaj mend. Kushdo që ishte nga ana tjetër e telefonit tha vetëm fjalën “Alo!”, asnjë tingull më shumë, vetëm frymëmarrje të shpeshtuar. Si unë. 

Kështu lindi misioni ynë i dytë: herës tjetër orën e Historisë nuk na shpjegoi mësuesja, por bashkëbiseduam me dy të ftuar të nderuar: profesorin që ngjante më shumë gjysh historish sesa historian, Menduh Dërgutin, dhe me profesor Tomi Treskën, të dy autorë të shumë librave të historisë që jepen në shkollat tona. Ata na mahnitën me historitë që na rrëfyen, por edhe ne ama, i bëmë ca pyetje të thekura, që atyre iu desh të mendoheshin ca para se të përgjigjeshin. 

Vizita e historianëve në shkollën tonë

Por nuk e lamë pas edhe idenë që na kliku për të luajtur një lojë me role. Kur mësuese Lindita kishte përgatitur për festën e fëmijëve një pjesë të vogël teatrore: “Vazhdimësia iliro-arbërore-shqiptare”, mua më kishte caktuar pjesën e Teutës. U entuziazmova aq shumë sa ia ngjita entuziazmin edhe mamit. Bashkë bëmë veshjen e Teutës, e cila më bëri të ndihesha  madhështore, sidomos kur pelerina ime valëvitej në erë, pasi në majë të kodrës ku ndodhet shkolla ka gjithnjë ajër të freskët e lëvizës. Prej kësaj drejtoreshës së shkollës Mina Hasanaj, i kliku ideja që këtë pjesë ta xhironim me kamera mu në shkollën tonë si kështjellë, ku kishte qenë pikënisja e të gjitha kliqeve të tjera. 

Kaq u desh. Filloi misioni i tretë. Por ky ishte një mision me të përveshur duart (ndryshe nga misioni i mëparshëm ku përveshëm këmbët – a thua se gjymtyrët janë tesha). 

Në fillim, skenari: në një tryezë të rrumbullakët të një restoranti ata të rriturit diskutuan me zell, me këmbë e me duar e ndonjëherë edhe me të qeshura e me zë aq të lartë sa vinte edhe te këndi i lojërave ku unë kisha vajtur të shtyja një fëmijë të vogël.


Pastaj çdo pasdite shtëpia jonë - ku zakonisht dëgjohet më së shumti zëri im - tani ziente nga telefonatat: ndaheshin rolet, mësohej në telefon se me ç’intonacion thuhet kjo apo ajo fjali, ndaheshin detyrat, jepeshin udhëzime, përmendeshin emrat e atyre që mund të na ndihmonin me xhirimet. Ndërsa për ditë të tëra kuzhina e shtëpisë sonë qe kthyer në një rrjetë merimange nga fijet e shumta, uturima e makinës qepëse bënte si një tren i vjetër me avull deri në mes të natës kur të tjerët flinin, mund të shkelje pa dashje mbi ndonjë kopsë, zinxhir a fjongo që shërbenin si aksesorët e 13 teshave që po qepeshin për aktorët, ndërsa unë përsërisja majë divaneve pjesën që duhej të mësoja përmendësh. 


Në mendjen time më dukej sikur po ndodhte një gjë shumë e madhe. Edhe pse isha aty në çdo hap të gjërave që ndodhnin, më dukej sikur filmi ishte diçka kaq e madhe sa nuk do t’ia dilja dot. Aq shumë sa shkoja në banjë të përsërisja para pasqyrës pjesët e mia të dialogut (dhe kjo më fuste në sherr me motrën, që mbante radhën për një kohë të gjatë). Por nga ana tjetër isha e qetë sepse fëmijët e tjerë që do të aktronin bashkë me mua ishin shokët e klasës me të cilët kaloja shumë orë përditë – gjë që do të më ndihmonte të  mos e ndjeja e vetme tensionin si personazhe kryesore. 


Ju kam thënë se entuziazmi është ngjitës, ndaj edhe ata dhe prindërit e tyre e morën me shumë qejf pjesëmarrjen në këtë film, duke na i lehtësuar gjërat... i vetmi të cilin nuk e patëm aleat, ishte moti zevzek: kulloi shi i gjithë qershori. 


Megjithatë, kur idetë bëhen bashkë, kur ke bashkëpunëtorë të mirë që të ndihmojnë, kur bëhen bashkë mësues, prindër dhe nxënës për një mision të rëndësishëm nuk ka mot e Zot që t’i ndalë. 

Filmi: U KRY!


Për peripecitë dhe prapaskenat e tij do t’ju flas në shkrimin tjetër.


(Irel Çupi; Portali Shkollor)

2,169 Lexime
5 vjet më parë