Modeli edukimit parashkollor amerikan

Vera Kurti: Edukimi parashkollor dhe rëndësia që duhet t’i jepet në Shqipëri sipas modelit amerikan

Nëse ka diçka të bukur në hallkat e edukimit dhe arsimimit në USA është pikërisht edukimi parashkollor, edukim i cili fillon qysh në barkun e nënës dhe mbaron diku te mosha 5 vjeç. Në moshat e mëtejshme fëmija arsimohet duke përdorur këtë “brum”.

Për të qenë e sinqerte me veten dhe me të gjithë, atje jashtë, por dhe në rrjetet sociale ku rritet e lulëzon gjithçka, ka edhe lule të bukura, pra ka edhe kopshte fëmijësh qe kanë fytyre të bukur. Gjithsesi problemet edhe këtu janë, pasi fytyra e bukur (pamjet, ambientet brenda dhe jashtë) mbeten fasadë e që për hir të së vërtetës FASADA vazhdon të tërheqë shumë vëmendjen e prindërve tanë. 


Dikush nga komentuesit në profilin tim të Facebook më pyet nëse mund të përçoj ndonjë model kopshti amerikan?  


E kam shprehur këtë ndjesi kudo që më është dhënë rasti; nëse ka diçka të bukur në hallkat e edukimit dhe arsimimit në US është pikërisht edukimi parashkollor, edukim i cili fillon qysh në barkun e nënës dhe mbaron diku te mosha 5 vjeç. Në moshat e mëtejshme fëmija arsimohet duke përdorur këtë “brum”. Do të çuditet ndokush apo shumëkush, por në Amerikë dhe besoj jo vetëm në Amerikë, prindërit shpenzojnë më shumë për edukimin parashkollor se sa për arsimim e lartë dhe shpresoj ta kuptoni pse.

Megjithatë, kjo është çështje kulture dhe edukate e që për fat për ne shqiptarët do të dojë kohë fillimisht të perceptohet e kushedi se kur, të aplikohet.


Ku konsiston edukimi parashkollor? 


Tek ne ende vazhdohet me praktikën e vjetër; modelon mësuesja dhe zbaton fëmija. Më konkretisht; mësuesja/edukatorja lexon (pavarësisht se çfarë lexon) fëmijët dëgjojnë; mësuesja flet/shpjegon pavarësisht se për çfarë flet, fëmijët dëgjojnë (nëse mundet të dëgjojnë); mësuesja vizaton një diçka dhe nxënësit e kopjojnë atë; mësuesja/edukatorja ngjyros dhe fëmijët ngjyrosin po me atë ngjyrë. Pra fëmija është një kukull apo një objekt në duart e mësueses/edukatores, që e modelon si modeli i vet. Se nuk ka tjetër model, as drejtoreshat apo të tjerë drejtues të këtyre institucioneve për fat nuk kanë. 


Ku janë dëshirat dhe pasionet e fëmijëve? Ku janë prirjet dhe talentet e tyre? Ato janë aty, të mbyllura në atë mendjen e tyre të bukur, si një gonxhe që pret të hapë petalet. Do të çelen/zhvillohen më vonë?! Në hallkat e mëvonshme të edukimit?! 

Përvoja ka treguar se fëmijët, nxënësit, deri edhe studentët, kush më shumë e kush më pak vuajnë të shprehurit e “lirive dhe dëshirave të tyre”, dëshira dhe liri të cilat u ndrydhën atëherë kur ishin gati të shpërthenin. 



Fëmijët tanë mbeten fëmijë (jo në kuptimin e naivitetit dhe çiltërsisë) edhe kur rriten, pra vazhdojnë të ecin ose në rrugë kuturu ose të mbajtur prej dorës së prindit që shkon deri atje sa t’i imponojë fëmijës profesionin apo pasionin qe prindi ka, jo ato çfarë fëmija dëshiron dhe mund të bëjë.

Probleme të vegjlish këto. Kush ka nge të merret me të vegjlit…




Shkruar nga Vera Kurti, 

Mësuese e Arsimit Special në Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut


© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,708 Lexime
1 vit më parë