Përvoja

Xhensila Kokoshi: Kuptimi i pozicionit të mësuesit ndihmës në klasat e zakonshme

Të jesh mësues ndihmës është një sfidë shumë e bukur, por dhe e vështirë. Çelësi i suksesit në punën e mësuesit ndihmës dhe mësuesit bazë është: bashkëpunimi me të gjitha palët e përfshira, profesionalizmi, etika në sjellje, përkushtimi, të kuptuarit e pozicionit të njëri – tjetrit në punë etj.

Nxënësit me aftësi ndryshe, të cilët janë pjesë e klasave normale, kanë nevojë për mbështetje psiko–sociale dhe edukative. Mësuesi kurrikular i klasës, dhe pse mund të jetë shumë i përkushtuar, nuk mund të arrijë t’i japë një fëmije me AK të gjithë vëmendjen që i duhet, sepse në klasë ka dhe pjesën tjetër të nxënësve. 

Nevojat e nxënësit me AK dhe integrimin e tij në një klasë normale i plotëson vetëm mësuesi ndihmës,  sepse është gjithë kohës pranë nxënësit dhe është i specializuar për t’i qëndruar pranë dhe ofruar ndërhyrjet e duhura. 


Roli i mësuesit ndihmës është i shumëfishtë. Një mësues ndihmës jo vetëm ndihmon në procesin gjithëpërfshirës në klasë – shkollë që nxënësit me AK  të integrohen, të dalin nga “muret” ku janë mbyllur, por ai ndihmon edhe mësuesin kurrikular në mbarëvajtjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies në klasë.


Me një mësues ndihmës në klasë puna e mësuesit të lëndës dhe atij kujdestar është më e lehtë. Një mësues ndihmës gjithashtu është dhe një mbështetje për prindërit e fëmijës me AK. Sigurisht është i rëndësishëm dhe bashkëpunimi. Bashkëpunimi me nxënësin me AK, por dhe me nxënësit e tjerë të klasës, bashkëpunimi me prindërit e fëmijës me AK, por dhe me prindërit e tjerë, bashkëpunimi me mësuesit e lëndës dhe atë kujdestar, bashkëpunimi me SHPS (shërbimi psiko–social), drejtorin e shkollës si dhe aktorët e tjerë që ndikojnë në zhvillimin e potencialit të fëmijëve me AK dhe në realizimin gjithëpërfshirës në shkollë.


Këto arsye si dhe shumë të tjera të çojnë në përfundimin se mësuesi ndihmës ka një rol tepër të rëndësishëm dhe kompleks në klasat e zakonshme. I rëndësishëm mbetet bashkëpunimi. Nga përvoja ime si mësuese ndihmëse kam pasur bashkëpunime shumë të mira me mësuesit, nxënësit, prindërit etj, por dhe raste kur nuk jam mbështetur si duhet në realizimin e punës sime si mësuese ndihmëse.


Doja të theksoja një moment shumë të bukur që besoj se duhet ndjekur si model nga të gjithë mësuesit, prezantimin që më bëri mësuesja e klasës së parë në shkollën ku unë punoj, si dhe bashkëpunimi jonë i cili ka qenë shumë mbresëlënës . Ajo më prezantoi para nxënësve duke u thënë: “Në klasën tonë do të kemi dhe mësuese Xhensilën, ne do të ecim së bashku në këtë rrugëtim, ajo është njësoj si unë, do ta pyesni, dëgjoni dhe respektoni njësoj si mua. Të gjithë së bashku të ndihmojmë njëri-tjetrin që të zhvillohemi dhe edukohemi, pavarësisht ndryshimeve që kemi”. Kjo pritje më motivoi akoma më tepër në punën time, solli një bashkëpunim shumë të mirë mes meje si mësuese dhe prindit të nxënësit. Në Komisionin me bazë shkolle hartuam planin e punës, pasi kishim vëzhguar me kujdes sjelljet, aftësitë dhe nevojat e nxënësit. Vendosëm objektiva bazuar në nevojat që kishte nxënësi me synim zhvillimin e artikulimit drejt të shkronjave, fjalëve si dhe në zhvillimin e motorikës fine dhe asaj globale. Planifikuam   aktivitetet dhe metodat e mësimdhënies me qëllim arritjen e objektivave. Klima pozitive dhe mbështetëse zinte vend kryesor. Çdo ditë në klasë punohej si individualisht, ashtu dhe punë në grup me gjithë klasën. Krahas mësimit, në një pjesë të orës zhvillonim dhe aktivitete dhe lojëra didaktike  me të gjithë nxënësit, me qëllim nxitjen e ndërveprimit komunikativ, si dhe zhvillimin e shkathtësive në motorikën fine dhe globale. 


Puna ime si mësuese ndihmëse vazhdoi dhe gjatë mësimit on – line, pjesë e grupit të klasës virtuale isha dhe unë. Bashkëpunimi jonë mësues bazë, mësues ndihmës vazhdoi dhe gjatë mësimit në distancë. Komunikimi me nxënësin dhe prindin ishte i përditshëm, ndërkohë që po shiheshin dhe rezultatet pozitive në zhvillimin e aftësive tek nxënësi. Nxënësi arriti të njihte dhe artikulonte drejt shkronjat, lexonte drejt fjalët e fjalorit në abetare dhe krijonte fjali të shkurtra me to. Grafika e shkrimit erdhi duke u përmirësuar, aktivitetet për zhvillimin e motorikës fine dhe musklaturës së gojës zhvilloheshin me shkathtësinë e duhur duke u përmirësuar nga dita në ditë. Arritjet e tij gëzuan jo vetëm nënën e nxënësit, e cila shprehej e kënaqur për zhvillimin e aftësive të fëmijës së vet, por dhe të gjithë ne që punojmë me të në shkollë. Ky sukses erdhi në sajë të bashkëpunimit shumë të mirë dhe profesionalizmit të të gjithë aktorëve.


Të jesh mësues ndihmës është një sfidë shumë e bukur, por dhe e vështirë. Ky pozicion është një pozicion kyç në mbarëvajtjen dhe edukimin e nxënësit me AK, por jo vetëm. Çelësi i suksesit në punën e mësuesit ndihmës dhe mësuesit bazë është: bashkëpunimi me të gjitha palët e përfshira, profesionalizmi, etika në sjellje, përkushtimi, të kuptuarit e pozicionit të njëri – tjetrit në punë etj.




Përgatiti: Xhensila Kokoshi, mësuesja ndihmëseshkolla “Isuf Dalipi “ Mollaj Korçë

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


5,002 Lexime
3 vjet më parë