Xhoina Salaj: Kur tabletit i mbaron bateria, ç’ndodh pastaj me aventurat?

Kur ekrani fiket, aventura sapo fillon! Zbuloni 10 librat klasikë që do t'i bëjnë fëmijët të harrojnë tabletin dhe të udhëtojnë në botë plot mistere, miqësi e guxim. Ndoshta mes tyre gjendet libri që do t'i bëjë të dashurohen përgjithmonë me leximin.

Nga Xhoina Salaj


Sa herë ju ka qëlluar t’i shihni fëmijët tuaj të mbyllur në dhomë, me sytë e ngulitur pas një ekrani, duke lundruar në botën virtuale që jua "vjedhin" vëmendjen për orë të tëra? Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe është e kotë të luftojmë dhëmbë për dhëmbë me të. Por, për një "pajisje" që nuk ka nevojë kurrë për karikim, nuk dëmton sytë dhe dhuron aventurat më të çmendura që mendja e një fëmije mund të imagjinojë, të gjithë prindërit janë sy e veshë.


Po, po, bëhet fjalë për LIBRAT.


Nëse dëshironi që fëmija juaj të lërë mënjanë tabletin pa asnjë sherr apo debat, thjesht duhet t'i ofroni diçka më magjepsëse se videolojën më të re në treg. Sekreti i thjeshtë: fëmijët nuk e kanë armik leximin, por thjesht nuk kanë qejf të mërziten nga ajo çka po bëjnë (apo përjetojnë). Asgjë nuk e konkurron një histori të jashtëzakonshme aventure. Librat me aventura janë bileta falas për të udhëtuar në ishuj të fshehtë, për të zgjidhur enigma dhe për të zbuluar thesare që as vetë prindërit nuk i ëndërrojnë dot.


Përmes këtyre historive, fëmijët tuaj jo vetëm që do të argëtohen, por do të mësojnë se si të jenë guximtarë, si të zgjidhin probleme dhe si të bëhen heronjtë e jetës së tyre. Më poshtë, gjeni një përzgjedhje të 10 librave më magjepsës të aventurave, që do t'i bëjnë fëmijët të thonë: "Mami, babi, edhe një kapitull të fundit, ju lutem!".



1. “Aventurat e Tom Sojerit” – Mark Twain

Ky libër është himni i lirisë dhe i fëmijërisë së pakujdesshme. Tom Sojeri është një djalosh çapkën, plot prapësi të pafajshme dhe ide gjeniale për t’iu shmangur punëve të shtëpisë apo shkollës. Por, kur ai dhe shoku i tij, Haku, bëhen dëshmitarë të një ngjarjeje të rrezikshme në mesnatë, lojërat e tyre kthehen në një aventurë të vërtetë plot rreziqe, thesare të fshehura dhe guximi të patëmetë. Një libër që i mëson fëmijët se si të përballen me frikën me zgjuarsi dhe humor.


Sjellë në shqip nga Anxhela Çikopano.



2. “Aventurat e Hakëlberri Finit” – Mark Twain 

Nëse Tom Sojeri është djaloshi që thyen rregullat, Hakëlberri Fini është udhëtari i vërtetë i jetës së egër. Duke iu larguar babait mizor, Haku niset në një udhëtim të jashtëzakonshëm përgjatë lumit Misisipi, i shoqëruar nga Xhimi, një skllav i arratisur. Përmes kësaj aventure të madhe e plot rreziqe, Haku zbulon vlerën e miqësisë së vërtetë, drejtësisë dhe lirisë, duke kuptuar se shpesh ajo që na thotë zemra është më e rëndësishme se rregullat e shoqërisë.


Sjellë në shqip nga Anxhela Çikopano. 



3. “Kopshti sekret” - Frances Hodgson Burnett

Meri është një vajzë llasticë, e pasjellshme dhe e vetmuar, që pas vdekjes së prindërve dërgohet të jetojë në një kështjellë të zymtë në Angli. Çdo gjë ndryshon kur ajo zbulon një kopsht të mbyllur me çelës prej vitesh dhe të lënë pas dore. Ndërsa Meri punon fshehurazi për të rikthyer në jetë kopshtin, ajo shndërron veten, zbulon sekrete familjare dhe ndihmon kushëririn e saj të sëmurë të rigjejë shpresën. Një aventurë misterioze për miqësinë, natyrën dhe rilindjen shpirtërore.


Sjellë në shqip nga Anxhela Çikopano.



4. “Aventurat e Pinokut” – Carlo Collodi

Të gjithë e dimë se Pinokut i rritet hunda kur thotë gënjeshtra, por kjo histori është shumë më tepër se aq. Do të zbuloni gjithë aventurën e rritjes dhe të transformimit të një kukulle druri kokëfortë në një djalë të vërtetë. Pasi arratiset nga shtëpia e Xhepetos, Pinoku përballet me dhelpra e mace dinake, gëlltitet nga një peshkaqen gjigant dhe mëson përmes gabimeve e rreziqeve se liria pa përgjegjësi të çon në telashe. Një udhëtim fantastik që flet për pendimin, dashurinë prindërore dhe pjekurinë.


Sjellë në shqip nga Rigel Rizaj.



5. “Zemër” – Edmondo De Amicis

Ky libër është një ditar emocional i shkruar nga një djalosh, me emrin Enriku. Përmes ngjarjeve të përditshme në klasë, marrëdhënieve me shokët e shtresave të ndryshme sociale dhe tregimeve mujore plot heroizëm që u lexon mësuesi, "Zemër" prek telat më të ndjeshëm të shpirtit. I shkruar 130 vjet më parë, mbetet ende nga ata libra që lexohet me kënaqësi, me dhembshuri dhe me përgjegjësinë për të menduar një botë ku mëtohet përsosmëria drejt së mirës. Një guidë e jashtëzakonshme për rritjen e vlerave njerëzore: solidaritetit, sakrificës, dashurisë për prindërit dhe atdheun.


Sjellë në shqip nga Rigel Rizaj.



6. “Bëmat e Lizës në botën e çudirave” – Lewis Carroll

Çfarë ndodh kur bie në një botë ku asgjë nuk ka kuptim, por gjithçka është magjepsëse? Përmes udhëtimit të Lizës në një mbretëri nëntokësore të çuditshme, fëmijët do të takojnë personazhe të paharrueshëm që nuk do t’i harrojnë kurrë. Ky libër është një festë e vërtetë për imagjinatën, që sfidon logjikën klasike dhe i nxit fëmijët të mendojnë jashtë kornizave dhe të besojnë te e pamundura.


Sjellë në shqip nga Ukë Buçpapaj dhe Era Buçpapaj.



7. “Ana flokëkuqja” – Lucy Maud Montgomery

Kur Ana Shirli, një jetime 11-vjeçare me flokë të kuq dhe imagjinatë të pafundme, mbërrin në familjen Kuthberti në Çatiblertë, ajo ndryshon jetën e të gjithëve përgjithmonë. Ajo është një uragan energjie, emocionesh dhe fjalësh të mëdha, e cila i kthen detyrat e përditshme në aventura dramatike dhe romantike. Libri është një udhëtim prekës dhe frymëzues për forcën e optimizmit, bukurinë e natyrës dhe aftësinë për të gjetur magjinë edhe në ditët më të thjeshta.


Sjellë në shqip nga Era Buçpapaj dhe Adela Buçpapaj.



8. “Aventurat e Dinpakut dhe të shokëve të tij” - Nikollai Nosov

Në qytetin e luleve jetojnë disa njerëz të vegjël sa një kastravec, por mes tyre shquhet Dinpaku - një djalosh me kapelë të madhe blu, që di pak, por guxon të bëjë gjithçka! Ky libër plot humor dhe fantazi tregon përpjekjet e dështuara (por jashtëzakonisht argëtuese) të Dinpakut për t'u bërë poet, piktor apo muzikant, si dhe udhëtimin e tij të parë të madh me aerostat. Një aventurë komike që i mëson fëmijët se dija kërkon punë dhe durim.


Sjellë në shqip nga Bedri Dedja.



9. “Hajdi” – Johanna Spyri

Hajdi është një vajzë e vogël jetime që dërgohet të jetojë me gjyshin e saj të rreptë dhe të vetmuar në Alpet e Zvicrës. Me çiltërsinë, dashurinë dhe energjinë e saj, ajo jo vetëm që zbut zemrën e gjyshit, por sjell gëzim në jetën e bariut të vogël Piter dhe ndihmon shoqen e saj të sëmurë, Klarën, të ecë sërish. Një aventurë e mrekullueshme në natyrë që flet për fuqinë shëruese të dashurisë, thjeshtësinë e jetës dhe rëndësinë e mirësisë njerëzore.


Sjellë në shqip nga Afrim Koçi.



10. “Princi i vogël” - Antoine de Saint-Exupéry

Duket si një aventurë nëpër hapësirë, por në fakt është udhëtimi i jashtëzakonshëm drejt zemrës njerëzore. Pasi piloti i historisë pëson një avari me avionin e tij në shkretëtirën e Saharasë, ai takon një djalosh misterioz, i cili ka udhëtuar nga një asteroid i largët. Përmes historive të tij për planetet që ka vizituar, trëndafilin e tij dhe miqësinë me dhelprën, fëmijët (dhe prindërit) zbulojnë të vërtetat e mëdha të jetës. Një kryevepër e pavdekshme që na kujton të gjithëve se ajo që është e rëndësishme, nuk shihet me sy, por vetëm me zemër.


Sjellë në shqip nga Amantia Kapo.




Përpara se të ekzistonin algoritmet e rrjeteve sociale, ishin disa histori që magjepsnin mendjet e fëmijëve anembanë botës dhe edukonin breza të tërë me dëshirën për të eksploruar. Ata janë klasikët e pavdekshëm – libra që ju, si prindër, ndoshta i kujtoni ende me mall. E kush mund t'i harrojë prapësitë plot guxim te "Aventurat e Tom Sojerit" dhe shpirtin e lirë të "Hakëlberri Finit"? Apo forcën e imagjinatës tek "Ana flokëkuqja" dhe dashurinë e pastër për natyrën te "Hajdi"? Këto kryevepra, së bashku me misteret shëruese të "Kopshtit sekret" apo urtësinë e "Princit të vogël" janë gurë themeli të letërsisë botërore, që kanë fuqinë e rrallë të kapërcejnë kohën, sepse flasin në gjuhën e vetme që fëmijët e çdo epoke kuptojnë: atë të kureshtjes, miqësisë dhe aventurës së pastër. Duke u dhuruar fëmijëve tuaj këta libra, ju nuk po u blini disa libra më shumë për bibliotekën, por po u dëshmoni atyre të njëjtën magji që ju bëri edhe ju të dashuroheshit pas leximit.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

106 Lexime
6 orë më parë