A ke ndonjë sekret?
Ne duhet t’i flasim hapur për jetën dhe vdekjen fëmijës, për njerëzit dhe sjelljet e tyre. Kjo do ta bënte jetën e fëmijës më të lehtë që të mos binte pre e shumë sjelljeve dashakeqëse të adultëve. Ju si prindër do të duhet t’i tregoni fëmijëve se keni besim tek ata dhe të flisni hapur për çdo gjë.
Ju duket ndonjëherë sikur nuk arrini të kuptoni tërësisht fëmijën tuaj? Ose edhe më e rëndë akoma, sikur nuk arrini ta kuptoni fare fëmijën tuaj?
Përvojat tona si prindër, na kanë mësuar se fëmija që rritet bashkë me ne, është një qënie kaq e ndryshme nga ne dhe kaq e ngjashme në zhvillimin e saj. Edhe pse është fëmija ynë, dhe pritet që të dimë shumë për të, sërish ne mund të kuptojmë shumë pak, ndonjëherë aspak rreth saj. Mund të ndodh që të mësojmë shumë rreth vetes prej fëmijëve tanë.
Kështu kam mësuar edhe unë. Kam mësuar prej fëmijëve që kam trajtuar përgjatë këtyre viteve, por mësimin më të vyer ma dhanë fëmijët e mi.
Ne mendojmë se fëmijët duhet t’i njohim mirë për sa kohë i kemi më pranë se çdo gjë tjetër, fizikisht. Ata janë pjesë e pandashme e familjes. Por në fakt, ne dimë shumë pak prej tyre. Ata janë të ndryshëm nga ne dhe perceptimet e tyre ndryshojnë nga ato tonat. Çdo përvojë për të testuar botën e tyre, kthehet në një njohuri unike për fëmijën dhe kështu ai mëson gjërat e tij dhe jo doemos janë si ato që kemi mësuar ne rreth botës. Kështu duke e harruar shpesh këtë ngjarje kaq të rëndësishme të zhvillimit të njeriut, mendojmë se fëmijët mund ta shikojnë botën si ne, edhe kur janë farë të vegjël. Më e keqja është kur mendojmë se fëmijët nuk e shikojnë botën aspak. Por ky është një tjetër gabim i prindërimit, sepse tashmë uroj ta kenë mësuar të gjithë të ngjashmit tanë, se fëmija është një qënie në proces zhvillimi dhe me mundësi të mëdha njohje, si çdo qenie adulte në këtë tokë. Fëmijët perceptojnë çdo gjë dhe kësisoj mësojnë çdo përvojë të kaluar. Kështu ndodh si me përvojat e këndshme ashtu edhe me ato të pakëndshme.
Duke i konsideruar fëmijët kaq të fuqishëm në qënien e tyre, ne duhet të marrim në konsideratë gjithashtu bashkëveprimin me ata. Kështu ne i mësojmë fëmijëve çdo modelim të sjelljeve tona. Fëmijët prej nesh do të duhet të mësojnë se si të tregojnë ngjarjet e jetës së tyre, mbi të gjitha si t’i sjellin të vërtetat e ndodhive të jetës së përditshme. Prindërit i kërkojnë me fjalë fëmijëve të thonë të vërtetën, dhe shumë shpejt shkelin premtimet. I kërkojnë të thonë të vërtetën, dhe më pas tregohen të rreptë duke mos i lënë shtegë komunikimi. I kërkojnë të tregojnë sekretet e tyre, ndërkohë që vet i mbajnë fëmijët në tymnajë, pa i treguar asnjë gjë rreth ndryshimeve që ndodhin në familje apo gjetkë, ku ata janë vet dëshmitarë.
Fëmijët mësojnë të ndajnë të vërtetën nga e pavërteta atëherë kur kuptojë perspektivën e ngjarjeve, pra kur teoria e mendjes së tyre fillon të zhvillohet. Ende fëmijët e vegjël të moshës 3-4 vjeç besojnë dhe u mveshin gjërave inerte jetë. Është e lehtë të besosh te Babagjyshi i Krishtlindjeve nëse je në këtë moshë. Ndërsa fëmijët rriten, kuptojnë më mirë atë që njihet si “false belief” besimi i rremë (fëmija mendon se në kuti kishte lapsa, por në të vërtetë ka shkumësa...sepse ato i vendosi aty Beni). Në këto besime, fëmija fillon të shikojë situata se si janë në të vërtetë. Fëmijët mësojnë të mbajnë ato sekretet e vogla, të cilat janë argëtuese në lojën simbolike: “Do të shkojmë t’i pimë qumështin Laurës, por nuk do t’i themi gjë, ok?”
Po si e perceptojnë dhe e përdorin fëmijët “vlerën” e sekreteve duke bërë dallimin midis atyre që janë të padëmshme dhe ato që mund të kthehen në sekrete të dëmshme?
Këtu hyjnë në lojë prindërit, të cilët do të duhet të kujdesen për të orientuar fëmijët sa më drejt në këtë rrugëtim përvojash. Sekretet, që nga vet fjala kanë shumë mister në vetvete dhe duket mjaft tërheqëse, sidomos kur fëmija e vendos në lojë dhe argëtohet me të. Ka vlerë ndërsa ne e përdorim për të gëzuar një njeri të dashur që ka ditëlindjen, kur duam t’i bëjmë një surprizë. Ne do të duhet t’ia tregojmë fëmijës qëllimin e vërtetë pse nuk do t’i tregojmë mamit ose babit sepse kur diçka e këndshme i vjen papritur, atëherë kjo quhet surprizë. Ne ndërkohë do të duhet t’i themi se surprizat e bëjnë personin të ndjehet mirë. Nëse një sekret apo surprizë nuk të bën të ndjehesh mirë, atëherë nuk është më sekretë, menjëherë do të duhet t’ia tregosh prindërve.
Premtojini fëmijës se ata nuk do të dënohen asnjëherë nëse tregojnë një “sekret” të pakëndshëm. MOS HARRONI TË MBANI PREMTIMIN!
Kur fëmijët mbajnë sekrete të këndshme, ata ndihen të pushtetshëm. Nëse diçka është sekret, është e rëndësishme; ajo ka vlerë. Si shembull mund të marrim rastin kur një fëmijë i madh, mbas moshës 7-8 vjeç, zbulon sekretin e zanës së dhëmbit, ai ndjehet i veçantë; ai është tani mbajtësi i sekretit ndërsa motrat apo vëllezërit më të vegjël ende nuk janë të vetëdijshëm dhe ende mami dhe babi kthejnë shtëpinë përmbys, deri në mesnatë duke kërkuar një moment për të vendosur lekun te dhëmbi poshtë jastëkut.
Por për nga natyra e tyre, sekretet përjashtojnë të tjerët. Ata mund të fshehin sjelljet dhe veprat e dëmshme dhe të mjegullojnë linjën midis vërtetësisë dhe mashtrimit. Kjo është situata më delikate e sekreteve.
Sekretet mund të jenë të sigurta ose të pasigurta dhe është e rëndësishme që fëmijët ta dinë ndryshimin. Për shembull, një festë e befasishme për ditëlindjen për një anëtar të familjes është një sekret i sigurt. Një sekret i pasigurt po kërkohet të bëjë diçka që fëmija është duke u bërë e pakëndshme dhe i thuhet që të heshtë për këtë. Fëmijët do të duhet të kuptojnë se një sekret nuk është një ngarkesë e rëndë që do të duhet ta mbajnë. Sekreti do të duhet të jetë një peshë e lehtë dhe këtë do të duhet ta ilustroni me shembuj të jetës së përditshme të fëmijës, jo me perceptimin tuaj.
Ndërsa fëmijët zbulojnë misterin e shumë sekreteve, ata ndjehen të sigurtë në vetvete. Ndaj dhe ne do të duhet t’i flasim fëmijëve për shumë fenomene, për ato të cilat madje ne na duken tabu. Nuk është sekret për fëmijën të flasë lirshëm për trupin e tij, për sëmundjen e një të afërmi, për vdekjen e një njeriu të dashur, për vëllanë apo motrën që e ka me nevoja të veçanta, për të afërmin që ka partner të të njëjtit seks (në fillimet e adoleshencës.) Ne do të duhet t’i flasim hapur për jetën dhe vdekjen fëmijës, për njerëzit dhe sjelljet e tyre. Kjo do ta bënte jetën e fëmijës më të lehtë që të mos binte pre e shumë sjelljeve dashakeqëse të adultëve. Arsyeja pse fëmijët bien pre e mashtrimeve të abuzimeve seksuale është se së pari njerëzit që i bëjnë janë të afërm dhe kanë akses te fëmijët, dhe së dyti, ata i ftojnë të mbajnë një sekret duke ia servirur situatën e këndshme. Ju si prindër do të duhet t’i tregoni fëmijëve se keni besim tek ata dhe të flisni hapur për çdo gjë, kështu fëmijët nuk do të ndjehen se ju mund t’i dënoni nëse ata tregojnë, sikurse ndonjëherë cenohen nga njerëz dashakeq.
Sekretet? Janë të rëndësishme për fëmijët, që ata t’i mësojnë t’i përdorin për zhvillimin e tyre psiko-social, por për sigurinë e tyre, do të duhet t’u mësojmë vlerën e ndarjes së tyre me prindërit kur ato janë frikë-ndjellëse, të sikletshme, barrë e rëndë, dëshpëruese, të pazakonta, të çuditshme, etj. E panjohura është kaq prezentë në sytë dhe jetën e fëmijës. Le t’ia lehtësojmë botën fëmijëve duke folur hapur dhe mendjehapur me ata, për t’i shpalosur të vërtetën e fenomeneve, me taktin dhe fjalorthin që i përshtatet moshës së tyre.
Nga Drnt. Denata Toçe
Shënim:
Shtëpia Botuese Albas ju vjen në ndihmë për këtë çështje nëpërmjet serisë së librave për fëmijë “Le të flasim hapur” të cilët i gjeni duke klikuar këtu.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si t’ia bëj që fëmija im të lexojë?
Dhurata “të vogla,” kujtime “të mëdha…”
Loja, institucioni i zhvillimit të njohjes dhe lumturisë te fëmijët…