7 MARSI

Denata Toçe: A po festojnë mësuesit?

Merrni kohë për të eksperimentuar me disa nga këto këshilla për të gjetur atë që funksionon më mirë në shkollën tuaj, të dashur drejtues! Keni për të parë që 7 Marsi, do të marrë një tjetër pamje. Dhe më pas, mësuesit do kenë se për çfarë të festojnë.

Në përpjekjet tona për të pasur mësues më të motivuar, dështojmë që herët kur mendojmë se një datë kalendarike, sikurse është 7 Marsi, do t’i “lumturonte” ata. 


Në fakt, 7 Marsi është një datë e cila ka filluar çdo vit e më tepër t’i trishtojë mësuesit. Ndoshta sepse ata përballen me dy kontraste të forta emocionesh: mallëngjim dhe motivim prej mesazheve, telefonatave dhe urimeve që marrin nga nxënës dhe ish-nxënës dhe njëkohësisht me zhgënjimin e gjendjes së kushteve të punës të cilat ua vështirësojnë të përditshmen kaq shumë, sa frymëmarrja e një dite motivimi kthehet në motive tallëse. Teksa vëren mësuesit të festojnë së bashku, më vjen të mendoj, sikur bashkoheshin po kaq me entuziazëm bashkërisht për të kërkuar më shumë mbi të drejtat e tyre, kushteve të punës, motivimin financiar dhe mbi të gjitha atë profesional. 


Ata thjesht janë mësuar të kënaqen me shumë pak. Madje, çfarë është trishtuese, është fakti që mësuesit kënaqen me atë që u jepet dhe jo me atë që u nevojitet. E nëse u afrohesh t’i pyesësh çiltër: “Pse nuk kërkoni atë për të cilën keni nevojë?”, përmbajtja e përgjigjes duket se është e njëjta prej të gjithëve: “Kam frikë se mos humbas vendin e punës. Ç’më duhet!”.


Me mësuesit, në fakt, u bë një kohë e gjatë që kemi dështuar. Ne mjaftohemi të mendojmë se rritja e pagës do të ishte një nga faktorët që mund t’i kënaqte ata. Por, në fakt, do t’ju zhgënjej t’ju them se mjaftohen vetëm nëse iu rrisim pagën. Dështojmë kur mendojmë se 7 Marsi është dita simbol i personalitetit edukues të shkollave dhe universiteteve. Mendoj se kjo ditë e ka humbur qëllimin e vërtetë të saj. Sot do të duhej që mësuesit të mbanin kokën lart prej respektit dhe kujdesit ministror, administrativ dhe social. Këta të tre qëndrojnë ngushtë të lidhur me njëri-tjetrin, zinxhir. Mësuesi duhet të ndihet se ka vlerë të pashoq në përmbajtjen e tij, dhe kur them vlerë, kam parasysh atë që ka “ngjyra” të vërteta dhe peshë në qenien e njeriut. Në asnjë rast nuk mund të pajtohem me figura mësuesish artificialisht të ngritur, pa asnjë meritë dhe kontribut, të cilët zënë radhët e kolegëve të tyre dhe krijojnë precedencë për sistemin e vlerave, që është kaq i brishtë në këto kohëra. Mësuesi duhet të ndihet kompetent, dinjitoz, i vetëpërmbushur profesionalisht dhe ekonomikisht dhe, mbi të gjitha, i motivuar në pasionin e tij për të dhënë atë që di dhe për të udhëhequr në frymëzim nxënësit, studentët drejt së ardhmes. 


Por si mund t’i motivojmë mësuesit?


Edhe pse Ministria e Arsimit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e strategjive dhe politikave në arsim, institucioni bazë administrativ, sikurse është shkolla, është ambienti më i rëndësishëm për motivimin e mësuesit.

Disa nga rrugët sesi mund të motivohen mësuesit janë këto:



1. Vëmendje e dedikuar 


Drejtuesit apo administratorët e një shkolle duhet të jenë në dispozicion të mësueseve, të lehtësojnë jetën e tyre. Mjaft më me drejtues që nuk kanë kohë për të pasur kohë cilësore për stafin e tyre! Në këtë mënyrë mësuesit do të japin mësim të motivuar dhe kështu nxënësit apo fëmijët tanë do të përfitojnë më shumë. T’i kushtohet një vëmendje e veçantë ngarkesës që mësuesit kanë, për t’i lehtësuar ata. Mos harrojmë asnjëherë t’i pyesim në mënyrë të drejtpërdrejtë se për çfarë kanë nevojë, përpara se të ndërmarrim vendime që ua cenojnë seriozisht të përditshmen në punë. Pa i pyetur kush, sidomos administratori, humbasim kështu mundësinë të mbledhim informacion nga përvoja e vet mësuesve dhe përsërisim ose, më saktë, biem pre e gabimeve, që ndonjëherë u kushton shumë shtrenjtë, si mësuesve, por edhe vetë administratës. 



2. Lavdërimi publik i mësueseve, “ndëshkimi” individual


Një tjetër pikë e rëndësishme është që mësueseve duhet t’u njihen meritat që ata kanë në raport me çfarëdolloj arrije, qoftë edhe e vogël në perceptimin tonë. Kështu mësuesit do të ndihen edhe më të motivuar për të vazhduar edukimin më tej. 

Por, ka edhe vend për përmirësim dhe kritika të shëndetshme në punën e mësuesit. Këto duhet t’u transmetohen individualisht mësueseve dhe duhet të mbështeten fort në arsyetime etike dhe profesionale. Dhënia e mundësisë për përmirësim është një tjetër pikë motivimi për t’u marrë në konsideratë.



3. Inkurajimi i mësueseve të shpërblejnë njëri-tjetrin


Gjithashtu mësuesit duhet të inkurajohen të shpërblejnë njëri-tjetrin dhe të krijojnë një atmosferë miqësore në këtë fushë. Mund të krijohet një trofe mësimor, që jepet në fund të çdo dite, jave ose muaji. Kjo mund të jepet për mësimdhënie të shkëlqyer, ose për të shkuar më lart dhe përtej, në aktivitete jashtë klasës. Lëreni fituesin e fundit të zgjedhë fituesin e çmimit të ardhshëm. Kjo u jep mësuesve tuaj një nxitje për të shkëlqyer dhe gjithashtu i mëson ata të pranojnë reagime nga njëri-tjetri.



4. Lini hapësirë për dhurata të vogla në buxhetin vjetor


Merrni parasysh blerjen e diçkaje të vogël, që mund t'u jepni mësuesve që shkojnë më lart dhe më tej. Për shembull, nëse një mësues del vullnetar për të marrë një turn shtesë mbikëqyrës, sigurohuni që ata të dinë se puna e tyre vlerësohet me një dhuratë të vogël. Mësuesit tuaj do ta vlerësojnë nëse u jepni diçka shtesë, dhe nuk është e domosdoshme të jetë gjithmonë vlerë monetare, përkundrazi! Edhe pse shpërblimet monetare në realitetin e mësuesve në Shqipëri, janë shumë të nevojshme. 



5. Inkurajoni mësuesit që të kërkojnë mundësi zhvillimi profesional


Ju duhet të ofroni zhvillim profesional për mësuesit brenda shkollës suaj, por edhe t'i ofroni mundësi secilit mësues që të mësojë jashtë shkollës. Kjo mund të përfshijë konferenca, seminare ose zhvillim të specializuar profesional të ofruar në nivel rrethi. Miratoni të gjitha kërkesat e arsyeshme. Sigurohuni që të jeni gjithashtu duke mbajtur një sy për mundësi të reja dhe t'ua prezantoni ato të gjithë mësuesve në mbledhjet e stafit.



6. Jepuni mundësi për të bërë pushime


Merrni parasysh t'i jepni secilit mësues një formular që mund të përdoret për një mëngjes ose pasdite pushimi, pa bërë pyetje. Kjo mund të jepet një herë në semestër, por duhet t'u jepet paraprakisht, në mënyrë që të gjendet dikush për të mbuluar klasën. Ky është një veprim i vogël që nuk ju kushton shumë, por u bën të ditur mësuesve se ju kujdeseni për ta dhe do të bëni gjithçka për t'u siguruar që ata të jenë të lumtur.



7. Jepuni mësuesve një zë


Të lënë jashtë një vendimi të rëndësishëm që i prek ata, është mënyra më e lehtë që një mësues të humbasë motivimin. Shumë mësues do të donin të përfshiheshin në këto vendime, nëse ju u jepni atyre mundësinë. Ftoni një mësues nga çdo klasë që të jetë përfaqësues gjatë mbledhjeve të bordit, për të marrë mendimin e tyre dhe për të mësuar rreth strategjive të propozuara. Gjithashtu, merrni parasysh mbajtjen e takimeve "me dyer të hapura", ku çdo mësues ka mundësinë të marrë pjesë dhe të dëgjojë gjatë takimeve, edhe nëse ata nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt.



8. Fuqizoni pikat e forta të secilit mësues


Çdo mësues ka pika të forta dhe të dobëta. Kur mësuesit janë në gjendje ta përdorin këtë pikë të fortë  në klasë, është e lehtë të shihet sesa më të angazhuar dhe më të frymëzuar bëhen studentët. Mund të jetë e vështirë për disa mësues të njohin pikat e tyre të forta, veçanërisht kur përpiqen të vazhdojnë me standardet e kurrikulës. Për t'i ndihmuar ata të kuptojnë se çfarë funksionon në klasën e tyre, bëni secilin mësues të mendojë për ndonjë mësim të veçantë që funksionoi vërtet mirë, si dhe për çdo mjet ose teknikë që mësuesi pëlqen të përdorë, si p.sh. përfshirja e muzikës në një mësim.



9. Njihni kohët kryesore të stresit


Mos i mbingarkoni mësuesit me zhvillim profesional gjatë sezonit të raporteve! Shmangni iniciativat dhe streset e reja gjatë përfundimit të mandatit, periudhave të shkrimit të raportit ose gjatë kohës që mësuesit po korrigjojnë  provimet. Kjo bën që motivimi i mësuesit të zbehet ngadalë. Nëse ka ndonjë mënyrë për të dhënë një dorë gjatë këtyre kohërave, sigurohuni që ta bëni këtë! Kjo mund të duket si të marrësh vetë një pjesë të punës, ose të mbulosh turnin e mbikëqyrjes së drekës së një mësuesi.



10. Inkurajoni bashkëpunimin


Puna e mësuesve tuaj së bashku mund të ndikojë ndjeshëm në motivimin e tyre. Mësuesit më me përvojë do të njihen për strategjitë e tyre më të mira të mësimdhënies. Mësuesve më të rinj do t'u jepet vërtetimi se për gjërat që ata po përpiqen, po funksionojnë në të vërtetë. Merrni parasysh krijimin e komuniteteve profesionale të të nxënit brenda shkollës suaj për të krijuar një strukturë më formale për bashkëpunim. Përdorni teknologji, të tilla si Planboard, Google Drive dhe Asana për të nxitur një kulturë bashkëpunimi.


Mbajtja e mësuesve tanë të motivuar mund të jetë një sfidë. Por është një pjesë thelbësore e suksesit të përgjithshëm të nxënësve, të studentëve. Mësuesit e mëdhenj janë ata që janë të motivuar të shkëlqejnë dhe të krenohen me suksesin e nxënësve të tyre brenda dhe jashtë klasës. Merrni kohë për të eksperimentuar me disa nga këto këshilla për të gjetur atë që funksionon më mirë në shkollën tuaj, të dashur drejtues! Keni për të parë që 7 Marsi, do të marrë një tjetër pamje. Dhe më pas, mësuesit do kenë se për çfarë të festojnë. 



Nga Drnt. Denata Toçe

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

8,812 Lexime
2 vjet më parë