Sfida dhe dilema

Mund të jenë fëmijët me aftësi ndryshe pjesë e arsimit gjithëpërfshirës?

Artikulli i radhës nga psikologia e Portalit Shkollor Albas, Denata Toçe, trajton një temë delikate dhe tejet aktuale: arsimi gjithëpërfshirës. Duke u nisur nga situata dhe raste konkrete psikologia analizon se pse fëmijët me aftësi ndryshe duhet të përfshihen në klasa të zakonshme.

Fëmija im ishte 3 vjeç e gjysmë. Kisha ardhur kohë të shkonte në kopsht. Pas një përvoje shumë të mirë me çerdhen publike, vendosa të ndjek të njëjtin sistem, të shkoja në një prej kopshteve publike të Tiranës. Kishin kaluar tre muajt e parë, kur u njoftuam se drejtuesja e kopshtit kishte vendosur të organizonte një takim me prindërit për të diskutuar mbarëvajtjen e ecurisë së fëmijëve në kopsht dhe kontributin që do të jepnin prindërit në këtë proces. Në këtë takim ishin dhe përfaqësuesit e bordit të prindërve. Pjesë e agjendës ishin dhe shqetësimet e prindërve, të cilat do të diskutoheshin mes njëri-tjetrit dhe do të mund të merreshin disa vendime për vazhdimësinë e ecurisë së fëmijëve në kopsht. Një prej personave të përzgjedhur në bordin e prindërve, isha edhe unë. Ndihesha përgjegjëse për çështjet që do të diskutoheshin dhe shqetësimet që mund të kishin prindërit; mezi prisja t’i dëgjoja. Prisja të diskutonin çështjen e ngrohjes duke marrë parasysh që sistemi elektrik i godinës ishte i vjetër dhe nuk mbante shumë ngarkesë; prisja të diskutonin çështjen e higjienës, fjetja në të njëjtin krevat që bëhej burim virozash; prisja të diskutonin aktivitete që mund të bëheshin jashtë godinës së kopshtit etj. Zhgënjimi ishte shumë i madh kur shumë prej prindërve, më shumë se gjysma e tyre, ngritën shqetësimin e parë: prezencën në grupin e fëmijës së tyre të dy fëmijëve binjakë me vështirësi të spektrit të autizmit.


Si specialiste e fëmijëve në vështirësi neurozhvillimore, kryesisht ato të spektrit të autizmit në moshë të hershme, dhe duke besuar fort se trajtimi i hershëm i këtyre fëmijëve, në bashkëpunim me të gjithë aktorët pjesëmarrës për edukimin e tyre, ku përfshihet dhe edukatorët, mësuesit në ambientin e çerdhes, kopshtit apo të shkollës, sipas qindra studimeve serioze në këtë fushë, mbeta e shtangur nga shqetësimi naiv ose jo i prindërve. I dëgjova me shumë kujdes të gjitha argumentet e tyre, të cilat fillonin që me sjelljet agresive të fëmijëve, me ulërimat që ata bënin, me faktit që këta dy fëmijë prishnin qetësinë dhe lojën, me faktit që bënin sjellje të cilat mund të imitohen nga fëmijët e tyre dhe sesi këta të fundit ua kishin sjellë prindërve në shtëpi etj. Të gjitha argumentet ishin kaq fyese dhe therëse në perceptimin tim, si edhe për prindërit e binjakëve, të cilët qëndronin në skajin tjetër në dhomës, afër derës. Asnjëri prej tyre nuk foli asnjë fjalë. Ndoshta sepse ishin kaq të ngarkuar, sa asnjë fjalë nuk u dilte aq lehtësisht sa mendohej. Ndoshta sepse ishin të papërgatitur nga situata e krijuar. Si për të larguar menjëherë këtë ngarkesë, barrë të madhe që kërkonte një kundërpërgjigje ndaj këtyre ankesave, tri edukatoret e grupit filluan të flasin njëmendje për situatën në fjalë. Të gjitha e mendonin të pavend ankesën, pasi edhe pse mund të kenë pasur disa vështirësi përshtatjeje në javët e para, sërish të dy fëmijët ia kishin dalë mjaft mirë të bashkëpunonin me grupin. Të tria kishin krijuar një plan pune sesi do të organizoheshin me fëmijët dhe se për ato nuk ishte përvoja e parë. Ndiheshin të sigurta për ta menaxhuar situatën dhe askush prej fëmijëve nuk ishte lënduar prej tyre, pasi ato kujdeseshin që kjo gjë të mos ndodhte në asnjë rast. 


Si për të mbështetur edukatoret, mora fjalën për të thënë mendimin tim mbi situatën: 

“Nëse jeni kaq të shqetësuar për sjelljet që këta dy fëmijë shfaqin në kopsht, a mundet ndokush prej jush të më justifikojë sjelljen e fëmijës suaj para dy javësh, kur i kafshoi veshin duke i nxjerre gjak shokut të tij? A mundet ndokush nga ju të më dalë këtu dhe të më thotë se fëmija i tyre nuk e ngre zërin duke ulëritur gjatë lojës? A mundet dikush prej jush, si prindër, të më thotë nëse fëmijë i tyre ka autizëm sot vetëm se ka imituar fëmijët me autizëm? A nuk janë fëmijët tanë që imitojnë sjellje nga më të ndryshmet duke lënduar ndonjëherë edhe njëri-tjetrin? A nuk janë fëmijë tanë që shikojnë shoku-shokun dhe gjuajnë, hedhin objekte të forta në ajër, shkarravisin fletët e të tjerëve duke prishur kështu “lojën” apo punën e tyre? Pra, në këtë rast, duket se “dëmtimi” është i njëjtë, por kur bëhet fjalë për fëmijët në vështirësi, nxitohemi të gjykojmë se këta të fundit nuk kuptojnë dhe nuk arrijnë të përshtaten dhe, ja, i heqim nga grupi i fëmijëve. 


Kanë kaluar vetëm tre muaj dhe fëmijët kanë një përmirësim të konsiderueshëm, falë punës së edukatoreve, prindërve, por edhe fëmijëve tuaj. 


A e dini ju sesa e rëndësishme është për fëmijët tuaj të kuptojnë dhe të bashkëjetojnë me fëmijët me aftësi ndryshe? 

Është sot koha që ata do të duhet të ndërgjegjësohen, se në botën e njerëzve ka edhe nga ata që nuk funksionojnë njësoj si të tjerët, por në këtë tokë janë me të njëjtat të drejta si ata. Nëse do të vazhdojmë t’i përjashtojmë, ne u mësojmë fëmijëve përjashtimin e asaj që është ndryshe nga ata, i mësojmë të jenë diskriminues, paragjykues, ndëshkues etj. 

Ky është fëmija që kërkojmë ne? Pastaj, a jeni ndopak të ndërgjegjshëm se këtu mes nesh janë edhe prindërit e fëmijëve? (nëna e prekur uli sytë, por nuk e dha veten, përveç një skuqjeje të lehtë në fytyrë). 


A keni ndonjë zgjidhje më të mirë ju, sesa vetë prindërit, për t’iu ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve? Kërkesat që shtrohen për atë fëmijë janë: terapia individuale, trajtimi në kopsht dhe puna që bëjnë prindërit. Të gjitha këto prindërit po mundohen t’i vënë në jetë. Ju si do të kishit vepruar? Keni ndonjë zgjidhje për ata?”


Çohet nëna e fëmijëve dhe pak e emocionuar kërkon falje për ndërprerjen. U thotë prindërve se e kupton shumë mirë shqetësimin e tyre, pasi edhe ajo vetë ka hasur vështirësi hera-herës me sjelljen e djemve të saj, “por të kuptohemi se ata kanë ndryshuar shumë që ditën që i kam vendosur në trajtim individual dhe më pas në kopsht”. Tregoi se shumë shpejt kopshti do t’i atashojë edhe një mësuese mbështetëse pas kërkesës zyrtare që ajo ka bërë. Mbledhja mbaroi aty. Kishte prindër të cilët psherëtinin dhe shfrynin nga zemërimi. Kishte prindër të cilët ishin po aq të prekur, por asnjëri prej nesh nuk mund të ishte në vendin e prindërve të cilët kishin jo një, por dy fëmijë në vështirësi dhe se kjo sfida e sotme ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë. 


Kjo histori nuk është shumë e ngjashme me historinë e vajzës me sindromën Down në Maqedoninë e Veriut. Si kjo ngjarje numërohen me dhjetëra dhe qindra të tjera, të cilat jo gjithmonë gjejnë mbështetje dhe drejtësi. Minimalisht do të duhet të gjenin mbështetjen e zbatimit të ligjit. Pasi ligji e thotë qartazi detyrimin e këtyre institucioneve për të atashuar fëmijët me aftësi ndryshe, me të drejta të plota, por me program të dedikuar dhe me mësuese mbështetëse. 


Por le të provojmë ta shqyrtojmë këtë çështje në një këndvështrim tjetër. Si mendoni ta shqyrtojmë në këndvështrimin e perspektivës? A janë gati të gjithë fëmijët me vështirësi zhvillimi që të jenë pjesë e arsimit gjithëpërfshirës? A MUND të jenë këta fëmijë TË GJITHË pjesë e këtij arsimi? 


Ligji e thotë qartazi që “PO!”, këta fëmijë do të duhet të jenë pjesë e arsimit gjithëpërfshirës. Nuk ka asnjë diskutim tjetër mbi ligjin. Por si t’ia bëjmë për të gjithë ata mësues në klasat e përgjithshme të ciklit të ulët apo tetëvjeçar, të cilët përballën me fëmijë në vështirësi zhvillimi, me aftësi ndryshe që vijnë me sjellje vetëdëmtuese dhe agresive ndaj të tjerëve, bashkëmoshatarëve, dëmtimit të materialeve dhe sjellje të tjera ku duket se “dëmtojnë” orën e mësimit? Çfarë duhet t’u themi atyre mësuesve që dëshmojnë se edhe me trajnimet që kanë marrë, e kanë të vështirë të menaxhojnë një klasë me 40 fëmijë dhe të merren në mënyrë të dedikuar me fëmijën në vështirësi, kur ky i fundit është i vetëm në klasë? Por kur kemi më shumë se një fëmijë më vështirësi, që shfaq sjellje të pazakonta, si do të duhet të veprojë mësuesi?

Minimalisht, prindërit i bëjnë kërkesë shkollës që të mund të vendosin një mësues mbështetës. Mësuesi mbështetës vendoset pasi fëmija del para komisionit multidisiplinar i cili vlerëson fëmijën. Në bazë të vlerësimit të fëmijës, vendoset nëse ka nevojë për mësues mbështetës dhe njëkohësisht përpilohet programi me objektivat përkatëse të fëmijës, të cilin do të duhet ta zbatojnë mësuesit mbështetës. Nëse fëmija është me fat, mësuesi mbështetës është i specializuar në fushën përkatëse për të zbatuar programin. Por nëse mësuesi mbështetës, shpeshherë jo për zgjedhje të tij, vjen nga fusha e kimisë, historisë, gjeografisë etj.? Të më ndiejnë të gjithë mësuesit mbështetës, pasi jam mbështetësja më e madhe e tyre, por për shkak të edukimit dhe përvojës në një tjetër fushë, duket se puna e tyre me fëmijët me aftësi ndryshe has sfida shumë të mëdha në këto kushte. Dhe kështu është. Nga përvoja e trajnimit të këtyre mësueseve, sfidat dhe dilemat janë të mëdha dhe, shpeshherë, pa zgjidhje të rëndësishme. 


Pra, si do të duhet të veprojmë me fëmijët të cilët shfaqin sjellje që komprometojnë seriozisht orën e mësimit? 


Sigurisht që ngrihet e njëjta pyetje për të gjithë fëmijët që shfaqin sjellje problem, qofshin këta në vështirësi ose jo. 


Edhe në raste si këto, që të jemi të qartë që në fillim, ligji funksionin njësoj. Por këtu do të duhet të ketë një kujdes shumë të veçantë nga komisioni multidisiplinor. Mendoj se janë këto komisione të cilat duhet të jenë të pajisura me ata që quhen “specialistë të sjelljes”. Duhet të jenë të pajisur me ekspertë të cilët kujdesshëm sigurojnë që fëmija të marrë shërbimin e duhur dhe të kuptojnë drejt nëse fëmija mund të qëndrojë në klasë për një kohë të gjatë. Cilat janë orët që fëmija përfiton më shumë, jo në zbatim të ligjit tashmë, por në zbatim të interesit më të lartë të fëmijës, të të gjithë fëmijëve. Këtu do të duhet të shikohet nga aspekti etik dhe profesional sesi mund të përfitojë fëmija nga ky rrugëtim. Krijohen strategji për ato orë që fëmija mund të marrë pjesë aktivisht në mësim, vetëm pasi të jetë kryer një ndërhyrje në reduktimin e sjelljes problem, në vendet ku këto sjellje ndodhin më së shumti; në trajtimin individual të sigurohet ecuria e cila do të duhet të përputhet me kërkesat e shkollës, por jo të përmbushura me përpikëri, por me pritshmërinë e nevojave të fëmijës. Do të duhet të bëhet kujdes që mësuesit mbështetës të mos jenë të detyruar të nxjerrin fëmijën nga klasa sa herë që fëmija shfaq një sjellje shqetësuese, por të jetë e përcaktuar në planin e sjelljes se KUR fëmija mund të dalë nga klasa, pasi nëse e nxjerrin sa herë që shfaq sjellje, ndoshta jemi duke mirëmbajtur pikërisht sjelljen në fjalë. Pra, duhet sikur po e zbatojmë ligjin formalisht duke i atashuar këta fëmijë në kopshte dhe shkolla, por a jemi duke i ofruar shërbimin e duhur për të realizuar misionin e përmbushjes së aftësimit të fëmijës, duke qenë kështu në interesin me të lartë të tij?


Në këtë pikë, të gjithë, prindër dhe mësues dhe specialistë të tjerë, duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe të durueshëm për të kuptuar nevojën e fëmijës dhe për të realizuar pritshmëri reale mbi mundësitë e fëmijës, sistemit dhe vetë prindërve. 


Edhe një tjetër pikë që e kam me shumë merak. Fëmijët neurotipikë, shpeshherë janë “brutalë” dhe të pamëshirshëm në marrëdhënie me fëmijët me aftësi ndryshe. Jam gjithmonë në dilemën ose më mirë në pyetjen që më qarkullon në kohë: A kemi qenë apo a jemi ne si prindër të kujdesshëm të mund t’i informojmë dhe t’i përgatisim fëmijët tanë të jenë pranues dhe të shfaqin mendime dhe veprime altruiste ndaj atyre që kanë nevojë për mbështetje? Pse fëmijët neurotipikë vijnë me një bagazh sterotipash socialë, paragjykimesh, epitetesh të cilat duket se i kanë mësuar gjetkë? A mos jemi ne që minimalisht nuk kemi kontribuar për të përmirësuar fjalorthin dhe veprimet e tyre? 


Si përfundim, përpara se fëmijët me aftësi ndryshe t’i pranojmë të jenë pjesë e jona, ata i ka pranuar natyra, jeta, prindërit dhe familja e tyre që i ka çdo ditë pranë. Ne jemi një hallkë të cilën ose do ta lehtësojmë zinxhirin e ecurisë së tyre, ose do ta vështirësojmë duke mos krijuar asnjë të mirë si vetë fëmijëve, por, mbi të gjitha, njerëzimit. 


Po, është e vërtetë, jo të gjithë fëmijët me aftësi ndryshe janë gati të jenë pjesë e klasave, e grupeve me fëmijë të tjerë, e komuniteteve të ndryshme ku ai rritet dhe edukohet, por në këtë pikë, thirrja dhe kujdesi duhet të jetë fillimisht profesional dhe paralelisht human. Me kujdesin e duhur profesional, do të duhet të fillojë nga diçka, dhe fillimi është i vështirë për vetë fëmijën dhe për familjen, edhe pse jo edhe për klasën. 


Sot ju dëshmoj se vëllezërit binjakë, fal një pune profesionale dhe me shumë përkushtim i edukatoreve, prindërve të fëmijës dhe terapistes së tyre, janë funksionalë në jetën e përditshme dhe shkojnë në shkollë duke dhënë rezultate cilësore në edukimin e tyre. Fillimi ishte i vështirë, por çdo ankesë dhe kërkesë për përjashtimin e tyre ishte tërësisht e pavend dhe e padrejtë ndaj një rrugëtimi të panjohur, por shpeshherë kaq rezultativ dhe shpërblyes. Çdo aktor që lehtëson këtë rrugëtim, është në mbështetje të aftësimit të këtyre fëmijëve, që një ditë të jenë mes nesh krenarë dhe të vlefshëm. 



Nga Drnt. Denata Toçe

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

10,534 Lexime
2 vjet më parë