Fëmijët dhe teknologjia

Me sytë nga ekrani…

E përdorin kaq mirë sa edhe vet ata, prindërit, befasohen. Dhe kështu, të “mbetur me gojë hapur,” përballë kësaj aftësie, prindërit nxisin dhe shpërblejnë sjelljen “koha me telefon”, paditur se kjo kohë është e vlefshme derisa nuk bëhet e tepërt

Më këmbë të mbledhura dhe të dorëzuara në një prej këndeve të divanit në dhomë të ndenjes, me sy të përqendruar, ngultas sikur të shikonte yjësinë në hapësirën e panjohur, i heshtur sikur tallazet e jetës t’i kenë rënë gjithë njëherësh, me gishtin tregues, hiperaktiv në lëvizjen e shpejtë të një ekrani qëndron një qenie e vogël që duket se ambienti rreth tij pushon se ekzistuari për pak kohë, derisa ekrani i një telefoni, ipad-i, kompjuteri të sinjalizojë: “battery low!”(bateri të ulët). Ky objekt, i hollë, tejet tërheq, i shtrenjtë dhe i vlefshëm në përmbajtjen teknologjike, qëndron në duart e një fëmije për minuta, ose orë të tëra, ndërsa çdo pak sekonda i dhuron me një shpejtësi të madhe informacion të çdo lloj interesi. Interesi i atij fëmijës që duket si të ketë shkuar me pushime në atë cep të divanit, është i magjepsur nga disa video-lojëra të cilat kanë sjellë të gjithë përqendrimin, saqë as zërin e nënës që e thërret në emër, as gjumin që i thërret sytë e lodhur, as vëllanë e vogël që e tërheq prej rrobash për t’i marrë vëmendjen, nuk e sjell në arenën tjetër sociale, atë realen dhe jo virtualen.


A nuk ju duket e njohur kjo histori? A nuk e shikojmë këtë pamje tek një pjesë e mirë e fëmijëve tanë? A nuk duam ne si prindër të marrim më shumë prej syve dhe vëmendjes së fëmijëve që të bashkëveprojmë me ata? A nuk duam ne që fëmijët të shkojnë më shumë drejt botës që ata jetojnë dhe të jenë më social? Mos më thoni që nuk është kështu!


Në disa prej takimeve me prindërit përgjatë intervistës vlerësuese për fëmijët e tyre, në një nga hapësirat e rrëfimit, më tregojnë se aftësitë e fëmijës për të përdorur celularin janë mahnitëse. E përdorin kaq mirë sa edhe vet ata, prindërit, befasohen. Dhe kështu, të “mbetur me gojë hapur,” përballë kësaj aftësie, prindërit nxisin dhe shpërblejnë sjelljen “koha me telefon”, paditur se kjo kohë është e vlefshme derisa nuk bëhet e tepërt për fëmijën. Me kuptimin “e tepërt” do të merremi pak më poshtë në këtë artikull.


Sigurisht që ky artikull meriton të ketë në brendësinë e tij disa prej pyetjeve që prindërit drejtojnë: si ka mundësi që një fëmijë është kaq shumë i tërhequr prej telefonave (smartphones), kompjuterit, ipad, etj? Çfarë i tërheq ata? Si mësojnë ta përdorin kaq mirë xhanëm? Po për prindërit, si i bëhet që të marrin më shumë nga vëmendja e fëmijës, pra t’i shkëpusin fëmijët prej telefonave dhe të tjera pajisje si këto me lehtësi?


Lajmi i parë është se nuk jemi vetëm! Rreth 1.8 milionë njerëz e përdorin Smartphon-at çdo ditë dhe disa studime tregojnë se e shikojnë ekranin e tyre150 herë në ditë. Pra duket se fëmijët kanë një model nga të rriturit. Ata i shikojnë prindërit e tyre se si ngultas zgjidhin një pjesë të punëve të tyre nëpërmjet telefonit. Duket sikur është e padrejtë t’u kërkojmë fëmijëve që të MOS veprojnë njësoj. Ata tashmë e kanë kuptuar se aty ka diçka shumë interesante për sa kohë e merr vëmendjen e prindërve edhe nga vet fëmijët e tyre.

Nuk do të duhet të ishte një surprizë për prindërit ndërsa shikojmë evidenca të qarta modelesh dhe studimesh. Nuk duhet të na duket si diçka e jashtëzakonshme që smarphonët dhe tabletat kanë zëvendësuar futbollin, lojën me kukulla dhe lojërat të tjera përfaqësuese dhe simbolike (shtëpish, doktorësh, shitësish, etj.) duket se fëmijët arrijnë të mësojnë se si të luten dhe të gjejnë alternativë nga më manipulueset dhe inteligjentet për të pasur pranë një smartphone apo një tabletë përpara se edhe të mësojnë të lidhin këpucët e tyre. A nuk duket dëshpëruese kjo situatë? Mos ndoshta bota e fëmijëve sot ka ndryshuar dhe ne nuk duam ta pranojmë?


Do të ishte shumë e thjeshtë të pranonim se bota ka ndryshuar pasi ajo vërtet ka ndryshuar, sepse ajo kështu ka bërë dhe do të bëjë ngahera. Diskutimi që shtrohet është: cilat janë vlerat që do të marrim nga kjo botë dhe do t’ua përçojmë brezave që do të vijnë. Kjo bëhet nëpërmjet edukimit të drejtë dhe realist me pasojat e asaj që na ofrohet çdo ditë nga kjo botë. Ka ardhur koha që prindërit të kuptojnë rëndësinë e efektit që kanë smarphonat dhe tabletat në zhvillimin psikologjik dhe fizik të fëmijës.


Studimet

Shumë studime janë zhvilluar me vite për të kuptuar se si fëmijët mësojnë. Ka shumë teori të cilat qarkullojnë, por ajo që unë kam shumë për zemër është teoria e Jean Piaget (Zhon Piazhe), si një nga më të respektuarit në fushën e edukimit. Ai është një nga figurat e para që studioi se si zhvillohet truri i fëmijës.


Teoria e tij mbi zhvillimin konjitiv (të proceseve mendore) shpjegon me fjalë të thjeshta se si të mësuarit është një proces mendor që i organizon konceptet bazuar në biologjinë dhe eksperiencën e individit. Fëmijët mësojnë në të njëjtën mënyrë. Fëmijët kanë nevojë që të kenë eksperiencë me botën rreth tyre për të akomoduar ide të reja. Fëmijët përftojnë një të kuptuar për botën rreth tyre dhe përpiqen të mësojnë ide të reja duke u bazuar në atë çfarë tashmë e dinë dhe e kanë zbuluar. Si zhvillohet ky proces?


Për fëmijët, raporti ballë për ballë i marrëdhënies janë rrugët primare për të përftuar njohuri dhe për të mësuar. Është shqetësuese që sot ne po mësojmë se si bashkëveprimi midis fëmijëve me botën rreth tyre po reduktohet gjithnjë e më tepër. Bashkëveprimi midis prindërve dhe fëmijës është i rrezikuar. Smartphonet, tabletat dhe të tjera si këto, po ndërhyjnë në ndërtimin e vëmendjes aktive dhe të shëndetshme midis prindit dhe fëmijës. Kështu të dy palët po humbasin urat lidhëse.


Po ku qëndrojnë detajet e zhvillimit të kësaj marrëdhënie?

Fëmijët mësojnë gjuhën, komunikimin, mësojnë rreth emocioneve të tyre, dhe se si të mund t’i rregullojnë ato. Ata mësojnë prej nesh se si të ndërtojmë dhe të zhvillojmë një bashkëbisedim, se si të mësojmë të lexojmë shprehitë faciale të personave të tjerë. Dhe nëse kjo nuk ndodh, nëse prindërit janë modelet më të zjarrta të bashkëbisedimit aktiv me telefonin dhe tabletat, atëherë fëmijët do të veprojnë sipas modeleve dhe do të humbasin kështu shtyllat e zhvillimit të tyre.


Ekrani na largon nga procesi i të mësuarit dhe për ta eksploruar botën fizikisht nëpërmjet lojës dhe interkaktivitetit me fëmijët të tjerë, ju të dashur prindër do të impresionoheshit se çfarë thonë studimet e fushës së edukimit sot mbi efektin që ka në zhvillimin e trurit ekrani i një telefoni apo tablete. Në këtë artikull po përmend tërthorazi disa prej pasojave, por nuk është e mjaftueshme për t’ju bërë proaktiv nga këtij fenomeni. Filloni nga një veprim i thjeshtë. Largoni telefonat nga dhoma e gjumit se rrezatimi i tyre karezultuar të jetë i rrezikshëm. Kujdesuni që fëmijët, sidomos në moshën e adoleshencës të mos i përdorin ato kur shtrihen në shtrat pasi mund të shkaktojë probleme serioze të zhvillimit të trurit dhe mbi të gjitha probleme me pagjumësinë.


Po cili është tundimi i prindërve sot. Ata mendojnë se ndërsa fëmija rritet, ka nevojë që të jetë afër teknologjisë, kështu ai nuk humbet mundësinë për të qenë i përditësuar me botën. Studimet kanë treguar se një i ri i cili nuk e ka përdorur teknologjinë që në moshë të hershme, mund ta mësojë atë për shumë pak ditë, po me të njëjtën cilësi dhe intensitet. Pra nuk ka asnjë arsyer për t’u nxituar. Është shumë e rëndësishme që fëmijët të kalojnë nëpërmjet lojës, zbavitjes, argëtimit, të mësuarit manualisht të shkrimit, leximit, etj. për të qenë të mbushur me nevojat bazë dhe të rëndësishme të njeriut. Kështu truri merr ushqimin e nevojshëm për zhvillim psikologjik dhe fizik.

Për të qenë të drejtë, mund të listojmë disa prej përfitimeve që mund të ofrojë teknologjia:


-           fëmija është më i aftë për të marrë vendime të shpejta, për të pasur mprehtësi vizuale dhe për të qenë shumë funksional.

-           Lojërat ndihmojnë performancën vizuale.

-           Përdorimi i internetit të ofron më shumë mundësi për të marrë vendime dhe për të zgjidhur probleme.


Këshilla

Por për të qenë akoma më të drejtë, do të duhet të listojmë disa këshilla të cilat do të ndihmonin prindërit që të merrnin vendimin e duhur për përdorimin e teknologjisë smartphones dhe të ngjashme si këto:

▪           Fëmijët nën moshën 2 vjeç nuk do të duhet të përdorin pajisje elektronike të ekranizuara.


▪           Luani me fëmijën, krijoni mundësi loje dhe bashkëveproni me ata ballë për ballë. Shijojeni lojën “mos u nxeh” dhe nxehuni së bashku duke u inatosur dhe skuqur nga zemërimi real i lojës. Keni për të parë se çfarë emocioni i prekshëm dhe i vërtet është. Nuk ka asnjë gjë virtuale në këtë.


▪           Sigurohuni që telefoni apo pajisje të tjera nuk po ndërhyjnë në kohën dhe mundësitë që ju paraqitet për të luajtur dhe socializuar. Do thoni ju, edhe kur fëmijët kanë një telefon në dorë, afrohet të gjithë fëmijët e tjerë. Është e vërtet, por kur i pyesni fëmijët tuaj se me kë luajte në park, ata nuk mbajnë mend thuajse asnjërin prej tyre.


▪           Kohë e limituar e ekranizimit, një deri në dy orë në ditë për fëmijët mbi moshën 6 vjeç, kjo përfshin smartphones, TV, computer, tableta, etj.


▪           Është në rregull të përdoret smartphoni për arsye funskionale.


▪           Modeloni përdorim pozitiv të telefonave. Vendosni rregulla për përdorimin e tyre dhe ju të jeni të parët që i zbatoni. Njoftoni edhe personat e tjerë rreth jush se koha në familje jua redukton përdorimin e telefonit.


▪           Inkurajoni të uleni në tavolinë njëkohësisht të paktën në periudhën e darkës dhe të komunikoni. Teoria kur hahet nuk flitet është shumë e vjetër. Kur hahet edhe flitet dhe kështu tregoni për ditën tuaj.


▪           Shikoni programe që promovojnë kualitet në përdorimin e teknologjisë si: komunikimi, matematika zbavitëse, literatura dhe konceptet shkencore.


▪           Sërish, mbajeni teknologjinë larg dhomës së gjumit.


Për t’iu rikthyer edhe një herë fillimit, teknologjia është tërheqëse për të gjithë fëmijët, sepse ofron mundësi në dukje të lehta informimi, zbavitjeje pa u dashur të shprehesh fizikisht. I përdorin shumë mirë fëmijët, sepse ata janë në kulmin e procesit të imitimit dhe çdo gjë përthithet me shpejtësi nga truri, vetëm se modele të tjera humbasin gjatë kësaj rruge. Nëse prindërit do të dëshironin të merrnin vendime mbi përdorimin e teknologjisë ekranizuese, atëherë do të duhet të ndjekin hapat e mësipërm, të vendosin rregulla të cilat ndiqen së pari nga vet personi që i ka vendosur. Veprimet tona do ta mësojnë dhe përshtatin fëmijën shumë shpejt, me të njëjtën shpejtësi që mëson të udhëtojë në internet. Me të njëjtën shpejtësi do të duhet edhe ne të marrim një vendim sot. Vetëm kështu do të mund t’i përjetojmë dhe t’i gëzojmë fëmijët që sollëm në jetë, si qenie sociale dhe bashkëvepruese në këtë rrugëtim. Bota do të vazhdojë të ndryshojë, por ne do të formohemi në vlerat që ajo mbart si pjesë përbërëse e tyre. 


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

2,328 Lexime
3 vjet më parë