Fëmijët

Të vegjël dhe të mëdhenj…

Sot shkenca e mësimdhënies flet më metodat e motivimit dhe të përforcimit, për vlerësimin e fëmijës si një personalitet unik dhe ideal në llojin e tij, për fëmijën e suksesit personal të cilit i njihet sipas aftësive që ai ka.

I vogël është sythi i freskët që zgjohet me pranverën, por në lulëzimin e rritjes, shpaloset në formën e saj më të mirë. Koha kalon shpejt dhe e shndërron në një degë të madhe peme e cila pret të nxjerrë sythët në Pranverën e saj. Bekuar qoftë toka që e mbarti dhe e rriti!


Të vegjël janë gurët e lumit që i japin rrëkëllim ujit në zbritjen e tij duke i dhuruar tingujt më të bukur natyrës, por të madh e kanë shkëmbin që i ka mbarsur përpara se uji t’i gdhëndte në harmoninë e krijimit. Bekuar qofshin malet dhe lumenjtë!

Të vogla janë gërmat e një alfabeti, por e madhe është fjala që ka përshkruar fletë romanesh dhe librash të cilët peshojnë në pasurinë e kulturës botërore… E bekuar qoftë fjala!


Kështu janë edhe fëmijët, të vegjël, çiliminj në duart tona… aq të vegjël janë, sa të befasojnë nga ajo se çfarë sjellin në këtë jetë… Por njeriu vazhdon të gënjehet ngahera duke menduar se kjo krijesë kaq e vogël, nuk mund të jetë njëkohësisht aq e madhe, sa të kuptojë njeriun “e madh”.


I keni parë fëmijët se sa të vërtetë janë në vështrimin e tyre? I keni lexuar rrjeshtat midis shikimit naiv, gati të “friksuar”, për botën që i përshfaqet çdo ditë? E keni vënë re se sa emocionale, ekspresive janë sytë e tyre, gjatë momenteve kur mahniten nga diçka që i tërheq, që e duan me gjithë zemër, pakushte, që mezi e kishin pritur, që e admirojnë deri në mohim të vetvetes, se akoma nuk e dinë se sa vlen jeta e tyre? Nuk dinë ende se çfarë është jeta apo vdekja, ata thjesht duan me gjithë shpirt dhe me gjithë zemër. Tek ata sy ju do të shikoni dashurinë e fëmijëve ndërsa vështrojnë prindin e tyre. Janë po ata sy që tregojnë se sa shumë dashuri kanë për të dhënë për mësueset/it, edukatoret dhe kujdestarët e tyre. Jeta e fëmijëve është kaq e brishtë pasi është e varur nga kjo botë dashurie, nga njerezit që i rrisin dhe i edukojnë.


Ne, njerëzit “e mëdhenj”, na duhet të mësojmë shumë prej tyre përpara se t’i mësojmë ata.

Detyra më e vështirë që ne “të mëdhenjtë” kemi përpara fëmijës “së vogël” është t’i edukojmë, t’i mësojmë, t’i tregojmë botën, t’i japim më të mirën për t’i çuar ata drejt të pashmangshmes, drejt rritjes, që ata një ditë të jenë të mëdhenjtë e vërtetë, sikurse e meritojnë.


Prindër, mësues, edukator, kujdestar dhe çdo kush që është përballë fëmijës, ka përgjegjësinë dhe privilegjin të japë më të mirën e tij tek fëmijët, por, fillimi i mirë është gjysma e punës. Hapat e para janë të rëndësishme në këtë detyrë të vështirë por njëkohësisht kaq e bukur, kur ajo bëhet me pasion dhe dashuri. Pasioni vlen për njohje dhe dashuria për ta dhënë njohjen.


Të dish se si të sillesh me fëmijën dhese si t’i trajtojmë ata, guri i qoshes në proçesin e edukimit. Si fillim duhet të kuptojmë se ajo që themi nuk e kryen misionin tonë, por është ajo që bëjmë dhe SI e bëjmë, e bën diferencën. Për të bërë një punë sa më të mirë me fëmijët, do të duhet mbi të gjitha t’i njohim ata. Janë unik, dhe si të këtillë, jo çdo fëmijë shfaqet njësoj në potencial e tij. Kjo është ABC-ja e një fillimi të mbarë. Kushdo që merret me fëmijët, do të duhet të mësojë dhe të kuptojë se ata janë të ndryshëm. Ata kanë aftësi dhe vështirësi të ndryshme. Nuk ka fëmijë “të mirë” apo “të këqinj”, thjesht ka fëmijë me personalitete të ndryshëm, ka fëmijë me sjellje të ndryshme, ka fëmijë me dinamika të ndryshme familjare, ka fëmijë me vështirësi të ndryshme në të nxënë apo të zhvillimit, ka fëmijë me vështirësi të ndryshme fizike, ka fëmijë të cilët janë më të zhvilluar në disa fusha dhe në disa të tjera shumë më pak, por kjo nuk i bën ata të pamundur apo të këqinj, thjesht i bën ata të ndryshëm në llojin e tyre dhe si të këtillë do të duhet të trajtohen, të lirë nga paragjykimet dhe diskriminimet.


Mësuesit dhe edukatorët janë ata që përballen më shumë me këtë realitet, pasi kanë shumë fëmijë në vatrën e tyre të punës. Modelet e fëmijës “ideal”, të fëmijës “të shumë-mirës” ose të fëmijës “të dhjetës” janë modele të cilat i kemi trashëguar nga metodat arkaike të një sistemi që dështoinë misionin e tij.


Sot shkenca e mësimdhënies flet me metodat e motivimit dhe të përforcimit, për vlerësimin e fëmijës si një personalitet unik dhe ideal në llojin e tij, për fëmijën e suksesit personal të cilit i njihet sipas aftësive që ai ka. Fëmija lind dhe është I MADH! Terreni në të cilin rritet mund ta bëjë që të mirëmbajë këtë status deri në fund të jetës së tij, ose të përfundojë së besuari se është “i vogël” duke qenë krejt ndryshe.


Vetëvlerësimi është çelsi i shumë arritjeve personale në jetën e njeriut. Kur një prind, mësues, edukator apo kushdo aktor qoftë pranë fëmijës, e mëson këtë të vërtetë, kujdeset që ta mësojë fëmijën ta ruajë, si një vlerë e madhe për t’u ndjerë mjaftueshëm njeri. Vetëm atëherë fëmijët do të na bëjnë krenarë ndërsa ecin në rrugëtimin e tyre të gjatë të kësaj jete të vështirë. Ata do t’ia dalin mbanë, kaq të vegjël dhe njëkohësisht, kaq të mëdhenj!


Bekuar qoftë njeriu që i rriti dhe i edukoi!


(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)

2,020 Lexime
3 vjet më parë