Arketipi njerëzor, frymë e përbotshme në poezinë e Rita Petros

Si lexuese, Anila Kruti na fton në një lexim të thellë e ndjesor të “Poema e mungesës”, ku dashuria dhe vdekja bashkëjetojnë si frymë e përjetshme. Poezia e Rita Petros shndërrohet në udhë reflektimi, pranimi dhe filozofie të thjeshtë jete, ku malli, mungesa dhe drita e shpirtit e bëjnë njeriun më njerëzor.

Nga Anila Kruti, autore, gazetare 


Dashuria dhe vdekja, janë dy temat bashkë ekzistenciale të trjerrura hollë në poezinë e poetes Rita Petros. Dy pole, që pikëtakohen me frymën e dy qenieve që i lidh shpirti dhe i ndan vetëm mosqënia fizike, sepse fryma poetike mban gjallë këto pole për ta bërë sa më njerëzor shpirtin e njeriut. Pikërisht, brenda vargjeve të saj, këto dy fenomene të pangjashme lidhen me magjinë e ndjesores, dritës së rrallë që mban ndezur qëniet e përjetshme. Vdekja për poeten është thjesht humbje fizike, sepse e gjalla e frymës së dashurisë ecën me të, në varg, në kohë, në lëkurë. Shuarja fizike e njeriut të dashur është e pranueshme e paqtë, duke respektuar ciklin jetësor, por që ngrihet e shkrihet kaq njerëzisht në kumtin më të lartë të fjalës e cila e përcjell tek lexuesi si çelësi për të kuptuar jetën e një dashurie të rrallë që duhet jetuar për t'i dhënë kuptim unit njerëzor. Elementet mistike mbartin frymën lirike të një poezie të thjeshtë në dukje, por tepër të thellë në brendësinë e saj. Vargu i parapirin një botë me dritë deri në përjetësi sepse e jetuara me sens dhe dashuri, ka më shumë peshë sesa shumësia e viteve. 


Më tej e përthënë kaq bukur sa poetja ecën me një shpirt mbi supe që vetëm udhëton dhe se lë askund, në vargun e parë:


Bashkë jetuam gjatë. . . 


Veçanërisht shpirtërorja shfaqet e përbotshme edhe pse simbolikja e fizikes duket e largët. 

Thjesht, tronditëse janë vargjet:


po varret do t’i kemi shumë larg

fati i keq i dashnorëve…

 

Edhe pse fati dhe koha i ka ndarë dy të dashuruar ata janë dy qënie të shkrira në frymë, vend, kohë, poezi, libër, përjetshmëri. Këto vargje janë udha, historia, janë vargje të plota, të përbotshmë që realisht përmbysin edhe fatin e largësisë.  

Poezia

*

Nuk e kam ëndërruar ndonjëherë veten

mbretëreshë me kurorë diamantesh, 

më bënin të lumtur të gjitha kurorat

që ti m’i thurje dhe m’i vije mbi kokë, 

qofshin ato me gjemba a hithra, 

qofshin me luledele a dafina. 

Kur të humba ty, mbreti im, 

nuk qava se humba mbretërinë tënde. . . 

 

Një poezi tërëdimensionale që mbart sipas mendimit tim, dashurinë e përjetshme, peshën shpirtërore, mençurinë, tharmin njerëzor, heroin e vetes. Poetja, është Zoti hynor i shpirtit, që pranon dhe shëron boshllëkun me pjesën më të bukur dashurinë e madhe të jetuar, por dhe atë të mbetur, ajo më e madhja më e qenësishme, ajo që nuk është, por ecën në trajektoren e shpirtit për t'u ribërë e përjetshme, merr frymë me mungesën, mallin, kujtimet. 

Koncepti i mungesës është tipar thelbësor që ringre imazhin idilik në rrafshin më të lartë të portretizimit dashuror dhe veçanërisht të njeriut. Malli përbën jo vetëm urëlidhjen e një dashurie që nuk vdes, të një imazhi që jeton me frymë dhe fjalë poetike, por malli është brenda pranimit, që shkrihet me shpirtin e poetes duke jetuar trajtën më të fortë, më të lartë njerëzore, Vetminë pa 'vetmi', sepse i dashuri është gjithmonë me të:

vargjet:

Mos. mos më lër vetëm!

Të thirra ty, apo vdekjes?

 

 

Poetja Rita Petro, e sjell poezinë në kuadrin e së thjeshtës, atë jetësores. Ajo na mëson me një kod të thjesht njerëzor: Duhet pranuar çfarë fati i sjell njeriut, destinën, si pjesë e unit të njeriut e udhërrugës së tij sepse e thjeshta e vargut artistik në poezinë e saj është filozofia e gjithë brendisë së ngarkesës poetike, e gjithë jeta njerëzore. 

këtu përmendim poezinë:


Por në këtë udhë përherë 

dikush mbetet vetëm, 

duke duruar këpucët 

që e vrasin prej 

dhimbjes tërë jetën. . . 

 

Dhe pikërisht ajo na mëson se: Dhimbja është kumti i njerëzve të mëdhenj!

 

Shënim: Në syrin e një lexueseje, kam hedhur disa mendime, por poezia dhe veçanërisht libri “Poema e mungesës”, të bëjnë të shijosh poezi unike, siç i ka Rita, të bën të jetosh, të reflektosh dhe të mësosh për filozofinë e thjeshtë të jetës. 



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

160 Lexime
11 orë më parë