MESAZHI

“Atdheu ynë”, detyra e maturantes Esmeralda Balla, që paraqet realitetin shqiptar...

Një detyrë me kërkesën “Atdheu ynë” mjaftoi për maturanten Esmeralda Balla që të sillte në rreshta vështrimin e saj mbi realitetin tonë shqiptar. Ajo në fund ka dhënë edhe një mesazh: Shqipëria do të përmirësohet me ne që përpiqemi, me të gjithë, me ty...

A mund të jetë Shqipëria një vend më i mirë për ne, për ty? Një vend më i mirë për ty që studion këtu, po ke vazhdimisht pakënaqësi që nuk i fsheh dot ndaj sistemit të arsimit ? Një vend më i mirë për ty, që punon 12 orë çdo ditë kundrejt një rroge shpeshherë qesharake, por qe nuk heq dorë, sepse është e vetmja mënyrë që të dërgosh disa buzëqeshje më shumë në shtëpi? A mund të jetë Shqipëria një vend më i mirë për ty, që largohesh nga atdheu yt për një jetë më të mirë dhe ke vite që nuk i shikon fëmijët e tu, gruan tënde, prindërit e tu që të vdiqën, po ti nuk ishe aty pranë?


Një vend më i mirë për ty, femrën që duhet të jesh gjithçka veçse jo njeri, sepse jeton ende në një vend ku figura jote shtypet, dhunohet, keqtrajtohet, nëpërkëmbet, paragjykohet dhe askush nuk flet për këtë…sepse kështu duhet...sepse jemi në Shqipëri?


Kur do të jetë Shqipëria një vend më i mirë për ty, për ty që e kontrollon dy herë derën e shtëpisë para se të dalësh dhe lë atë dritën ndezur në kuzhinë, pastaj e shoqëron me psherëtimën “sa për siguri” sepse ke frikë, ke frikë që kur të kthehesh do ta gjesh shtëpinë e bastisur?


Kur do të jetë një vend më i mirë atdheu ynë për ty, që vritesh në rrugë, vritesh në shtëpi ,në makinën tënde; për ty që nuk ke zgjidhje dhe bën punë të pandershme; për ty që dënohesh pa bërë faj ose për ty që ecën rrugëve bashkë me njerëz që duhej të ishin në burg? Për ty që humbet gjyqe, humbet vende pune, mundësi studimi dhe shpërblime, sepse në vend të drejtësisë matet xhepi?


Epo Shqipëria nuk mund të jetë një vend më i mirë, sepse ti ulesh në kafene dhe ankohesh për të gjitha këto me kokën ulur në telefon. Nuk mund të jetë një vend më i mirë, sepse ti ndryshimin se kërkon te vetja, sepse është më kollaj të fajësosh dikë tjetër, e bën edhe gjumin më i qetë në darkë.


Ky vend, atdheu ynë, do të jetë më i mirë kur të mësojmë ta duam siç e deshën ata që vdiqën në luftë për ta mbrojtur, ashtu kuturu, pa e menduar dy herë, sepse e deshën më shumë se veten Shqipërinë, sepse deshën më shumë se veten ata që kishin lënë në shtëpi, sepse deshën më shumë se veten ata që do të jetonin me pas, deshën më shumë se veten, ty.


Do të jetë Shqipëria vendi më i mirë kur të mësojmë të duam peizazhet e përrallshme që janë mishëruar në malet, fushat, lumenjtë, detet e saj. Të kujdesemi për to, t’i promovojmë, të zhvillojmë ekonominë ,të tërheqim edhe turistët, po të përpiqemi të mos i vrasim, që sot e tutje…


Le të jetë Shqipëria vendi ku mund të shkosh të jetosh, vendi që një anglez do donte të vinte, jo vetëm prej klimës; vendi ku një amerikan do donte të vinte, jo vetëm prej mikpritjes; një gjerman do donte të vinte, jo vetëm për të investuar… le të ishte vendi ku do donin të jetonin, siç duam ne të arratisemi tek ta.


Shqipëria do të përmirësohet me ne që përpiqemi, me të gjithë, me ty…


Esmeralda Balla



(Portali Shkollor) 

1,698 Lexime
4 vjet më parë