Ese

“Barazi nuk do të thotë diametër i barabartë, barazi do të thotë e drejta e të tërëve për t’u zhvilluar gjithsecili sipas diametrit të tij”

Ese letraro-filozofike nga nxënësja Sanja Hoxhallari, për shprehjen “Barazi nuk do të thotë diametër i barabartë, barazi do të thotë e drejta e të tërëve për t’u zhvilluar gjithsecili sipas diametrit të tij” nga Viktor Hygo.

Bota është një rreth. E rrethi është një vijë e lakuar dhe e mbyllur, pikat e së cilës kanë të njëjtën largësi nga qendra, a sipërfaqja e rrafshit që ndodhet brenda kësaj vije. Ideali i të gjithë administrativëve është pikërisht çështja më e prekshme, më e lënë pas dore dhe pse më e përfolura e të gjithë kohërave… të jetuarit në barazi të plotë mes talenteve, mes shkrimtarit e piktorit, mes analfabetit dhe gjeniut, mes skllavit dhe të lirit, mes të pasurit dhe të varfërit. Te qenët i barabartë në të gjithë këtë lëmsh diversitetesh të pamohueshëm.


Por së fundmi, na është servirur nga një lente diferencuese një botë jo rrethore, jo më një rreth, jo më një sferë. Unë shoh - e s’besoj që të jetë defekt i irisit tim cilindrik- një botë të shtypur në pole; një botë elipse. Një botë ku rrezja nga veriu në jug është më afër për në qendër, sesa nga lindja në perëndim.


Unë shoh se polet janë të favorizuara.


Kush i favorizoi?! Kush e shtypi në dy polet e saj që më parë qenë në ngricë të plotë?! Përgjigjja s’do të jetë kurrë kaq e thjeshtë. Mund të jemi ne, mund të mos jemi ne. Në qofshim ne, qenkëshim të mjerë. Mos qofshim ne, qenkëshim sërish të mjerë! Qesharake, por tragjike!


Është qesharake që flasim me këtë komizëm të shtirur, është tragjike se po e përjetojmë…e mund të jemi viktimat e saj.


Është tragjedi, se ne nuk po i lejojmë “të tërët” e Hygosë që të zhvillohen sipas diametrit të tyre.

Hapësira brenda planit është e kufizuar, është e shkurtër, është elipse, e s’po shkon drejt përsosmërisë, por përplaset në vijë e kthehet në qendër. Jugorë e perëndimorë, po shkojnë me larg dhe pse ndriçimin e diellit s’e kanë në kënde të barabarta. Polet po i bien më shkurt!


E unë vazhdoj të flas e më duket dërdëllitje, e sërish flas, se shpresoj në zgjerimin e këtij elipsi dhe kthimin e tij në një rreth të rregullt. Në një rreth me rreze të pakufishme për të gjithë potencialistët që kanë aftësi ta ndërtojnë aq gjigant. E mrekullisht pres të shoh dhe ata, që me kënaqësinë e shpirtit mundohen dhe japin ç’mundin për të krijuar diametrin e tyre brenda këtij rrethi të madh gjithëpërfshirës.


Vetëm atëherë, miqtë e mi, do të shohim një mozaik të përsosur!



Nga Sanja Hoxhallari, nxënëse e klasës së njëmbëdhjetë, shkolla jopublike “Qëllimi i jetës”, Tiranë.

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

712 Lexime
4 muaj më parë