Ekspozitë

Çelet ekspozita përkujtimore “Ernest Hemingway: 1899 - 1961”

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët, në hollin e Bibliotekës Kombëtare, çdo ditë nga ora 08:00-20:00 dhe gjatë fundjavës nga ora 08:00-14:00.

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë si një homazh në 55-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit amerikan, Ernest Hemingway, u çel ekspozita përkujtimore “Ernest Hemingway: 1899 - 1961”, vit ky që përkon edhe me botimin e parë në gjuhën shqipe të romanit “Lamtumirë armë”, me përkthimin mjeshtëror të Vedat Kokonës.

Shkrimtari amerikan Ernest Hemingway ka ardhur në gjuhën shqipe përmes përkthimeve të Vedat Kokonës, Ismail Kadaresë apo Alqi Kristos. I botuar për herë në parë në shqip në vitin 1961 romani “Lamtumirë armë” do të çelte rrugën e përkthimeve dhe botimeve të tjera, aq shumë të lexuara nga publiku shqiptar. Për publikun dhe lexuesit e Bibliotekës Kombëtare kjo ekspozitë prezanton nga botimet më të hershme në shqip, të cilat ruhen në fondin e arkivës, deri te ribotimet më të fundit, si: “Plaku dhe deti” (1963), “Të kesh a të mos kesh” (1963), “Për kë bien këmbanat (1973), “E sotmja është e premte: tregime” (1996), “Dhe dielli lind” dhe “Fiesta” (1998), “Tregimet e Nick Adamsit” (1999), “Kopshti i Edenit”(2000), “Lumi i madh me dy zemra” (2007) si dhe novelat “Lumturia e shkurtër e Frensis Mekomberit” dhe “Dëborat e Klimanxharos” (2009). Në fondin e Bibliotekës Kombëtare krahas botimeve në gjuhën shqipe ruhen me shumë kujdes edhe botime në gjuhët të huaja si në anglisht, frëngjisht apo rusisht.

Ernest Hemingway (21 korrik 1899 - 2 korrik 1961), i konsideruar si një nga përfaqësuesit e brezit të humbur, vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Ai është lauruar me çmime prestigjioze letrare, si: Çmimi Nobel në vitin 1953 me “Plaku dhe deti”, ndërsa në vitin 1954 i akordohet çmimin Pulitzer.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët, në hollin e Bibliotekës Kombëtare, çdo ditë nga ora 08:00 - 20:00 dhe gjatë fundjavës nga ora 08:00 - 14:00.

1,796 Lexime
7 vjet më parë