Konkursi vizatimor

Çelet më 8 maj ekspozita XXV Kombëtare e Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”, fushatë për vlerat humanitare

Punimet e mrekullueshme në pikturë, që promovojnë vlera humane, realizuar nga nxënësit e talentuar të shkollave 9-vjeçare të vendit do të ekspozohen këtë të diel më 8 maj në Galerinë Kombëtare të Arteve, te Reja, Tiranë. Ceremonia organizohet nga Kryqi i Kuq Shqiptar.

Zhvillohet për të 25-in vit radhazi ekspozita Kombëtare e Vizatimit “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”. Ceremonia e hapjes së ekspozitës do të bëhet më datën 8 maj, në Ditën Botërore të Kryqit të Kuq, në orën 11 në ambientet përpara Galerisë Kombëtare të Arteve, te Reja, Tiranë.


Kryqi i Kuq Shqiptar i fton të gjithë të marrin pjesë në këtë aktivitet i cili ka për synim të përhapë tek fëmijët vlerat humanitare të Kryqit të Kuq, të promovojë tek ata ndjenjën e vullnetarizmit dhe të humanizmit në ndihmë të më nevojtarëve dhe njëri – tjetrit.



Tema e ekspozitës është “Vullnetarizmi nuk njeh moshë”. Synimi i organizimit të këtij aktiviteti është të përhapë tek fëmijët vlerat humanitare si dhe të promovojë tek ata ndjenjën e vullnetarizmit dhe humanizmit.


Data 8 Maj është dita e lindjes së Henry Dynant, themeluesit të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. 


Ekspozita është finalja e një konkursi që në kuadër të një fushate disa mujore për promovimin e vlerave humanitare, kontribuoi në edukimin qytetar të fëmijëve dhe synon të ndërgjegjësojë vizitorët e ekspozitës mbi aktivitetet e Kryqit të Kuq Shqiptar. Në të janë përfshirë një numër i madh nxënësish, mësuesish, vullnetarësh dhe të punësuarish pranë Kryqit të Kuq Shqiptar, pasi veprimtaria  shtrihet në të gjithë vendin. 


Gjatë fushatës së informimit, janë zhvilluar një sërë takimesh dhe bisedash me nxënësit dhe mësuesit e vizatimit rreth aktiviteteve dhe vlerave humanitare të Kryqit të Kuq. Më pas fëmijët i kanë hedhur përshtypjet e tyre në vizatime të cilat janë paraqitur në ekspozita lokale në 38 degë të Kryqit të Kuq Shqiptar. Numri i shkollave të angazhuara në këtë veprimtari është rreth 250 shkolla 9-vjecare në të gjithë vendin dhe janë dorëzuar përafërsisht 3000 punime.


Për më të vlerësuarit nga juria, do të shpërndahen çertifikata dhe dhurata me mbështetje të sponsorve të ndryshëm të aktivitetit.

Nanila Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

185 Lexime
3 javë më parë