Djaloshi shqiptar me emrin e Messi-t, Lionel Mesi, rrëfen rrugëtimin e tij mes sportit dhe shkollës
Edhe vendi ynë ka një djalosh që quhet Lionel Mesi, si futbollisti i famshëm. Në një intervistë për Portalin Shkollor Albas, ai rrëfen pasionin për futbollin dhe atletikën, ndikimin e emrit të njohur, mbështetjen nga familja e shkolla, si dhe sfidat në menaxhimin e kohës dhe arritjen e suksesit.
Intervista që ne kemi zhvilluar me Lionel Mesin, djaloshin shqiptar që po tërheq vëmendjen e mediave për emrin e tij të ngjashëm me atë të futbollistit të njohur, përqendrohet në pasionin e tij për futbollin dhe atletikën, si dhe në ndikimin e mbështetjes nga familja dhe shkolla.
Ai ndan emocionet e tij lidhur me emrin dhe si ky faktor e ka favorizuar në jetën e tij. Mesi më pas ndalet te fillimet e tij në futboll, motivimin nga familja dhe rëndësinë e sportit, përfshirë arritjen e tij në maratonën e vrapit. Ai thekson sfidat në menaxhimin e kohës mes stërvitjeve dhe studimeve, si dhe lidhjen mes biologjisë dhe sportit. Ai gjithashtu reflekton mbi rëndësinë e aktiviteteve shkollore dhe mbështetjes nga shokët, duke u bërë një shembull për të rinjtë që ndjekin pasionet e tyre.
Leonel, është jo e zakonshme që ke të njëjtin emër si futbollisti i famshëm Lionel Messi. Si ndihesh që ndan këtë emër të veçantë dhe sa ndikim ka pasur kjo gjë deri tani për ty?
Ndihem shumë mirë pasi kam të njëjtin emër si një nga futbollistët më të famshëm dhe më të mirë që ka pasur ndonjëherë bota. Do thoja se fakti që unë kam po të njëjtin emër ka ndikuar pozitivisht tek mua jo vetëm nga ana sportive, por edhe në aspekte të tjera të jetës.
Na trego pak për dashurinë tënde për futbollin. Si ka nisur ky pasion për ty dhe çfarë të motivon më shumë në stërvitjet e tua me ekipin U-18 të Dinamos?
Atëherë, unë e kam nisur futbollin që në moshë të vogël dhe bëhen gati 8 vjet që unë nuk jam ndarë nga ai. Futbolli për mua është një mënyrë jetese; është diçka ku t’i zbraz çdo energji negative që ke. Motivimi im më i madh vjen nga vetja, por gjithashtu edhe nga familja që më ka mbështetur gjithmonë.
Por ndërkohë dimë se së fundmi ke marrë pjesë edhe në maratonën e vrapit në Tiranë dhe ke fituar vendin e parë mes shkollave. Dimë gjithashtu se pjesëmarrja jote në atletikë vjen nga një lidhje me prejardhjen e babait tënd. Si ka qenë kjo përvojë për ty dhe a të ka ndihmuar atletika në performancën tënde sportive? Si ndihesh për këtë arritje (fitoren në maratonë) dhe çfarë mesazhi do të përcillje për moshatarët e tu?
Duke qenë se babai im është kampion kombëtar i atletikës shqiptare, edhe unë që i vogël kam marrë pak nga gjaku i tij duke pasur dëshirë të marr pjesë në gara vrapi dhe pse jo t'i fitoj ato. Duke qenë se atletika është baza e sporteve, ajo të ndihmon shumë në çdo lloj sporti. Për sa i përket fitores time, ndihem me të vërtetë krenar pasi nuk është një garë e lehtë, duke qenë se aty morën pjesë mbi 2000 adoleshentë. Mendoj që nuk është një arritje e vogël të fitosh atë garë. Për të gjithë moshatarët e mi do t’i thoja që të merren me sport pasi i largon nga veset e këqija dhe kjo është kryesorja.
Meqë futbolli është prioriteti yt kryesor, çfarë qëllimesh ke për të ardhmen në këtë sport? A e sheh veten si një futbollist profesionist?
Unë normalisht synoj që në të ardhmen të jem një futbollist profesionist, të luaj me një ekip të mirë dhe pse jo edhe me ekipin kombëtar.
Cila është rutina jote e përditshme, duke e balancuar stërvitjen dhe studimet? A ka momente kur ndjen vështirësi në menaxhimin e kohës?
Atëherë, të merresh edhe me sport edhe me shkollën është pak e vështirë pasi do pak sakrificë. Duhet të lësh shumë gjëra, duke e filluar me qefet, shokët, shoqet, daljet, etj. Ka pasur plot ditë ku unë kam qenë shumë i lodhur nga sporti dhe nuk i kam bërë detyrat që më janë dhënë në shkollë, por gjithsesi mësueset më kanë kuptuar pasi e dinë që nuk është e lehtë.
Dimë se biologjia është lënda jote e preferuar, a ke ndonjë lidhje mes asaj që mëson në këtë lëndë dhe përgatitjes tënde fizike në sportet që praktikon?
Biologjia është lënda ime e preferuar pasi më pëlqen të mësoj se si trupi i njeriut apo i gjallesave të tjera funksionon. Normalisht që ka lidhje ndërmjet biologjisë dhe sporteve që unë praktikoj, pasi aty mësohet dhe mbi trupin e njeriut kur kryen aktivitete fizike.
Si të mbështesin familja në ndjekjen e pasioneve të tua? A ka ndonjë këshillë të veçantë që të ka frymëzuar deri më tani?
Familja më është gjendur gjithmonë pranë në çdo gjë. Ato janë një pjesë e madhe e motivimit tim pasi në të ardhmen do doja shumë që ato të ndjekin djalin e tyre jo vetëm nga televizori, por edhe në stadiume. Një person njëherë më pati thënë që gjithmonë ëndërro shumë dhe bëj çmos që ëndrrat e tua të bëhen realitet. Kjo ka qenë këshilla më e vlefshme dhe frymëzuese për mua.
Po nga ana tjetër, si ndihesh që shkolla “Partizani” të ka promovuar si një nxënës me talent? Çfarë rëndësie ka kjo mbështetje për ty? A ka ndonjë figurë të veçantë që të ka frymëzuar ose të ka mbështetur më shumë?
Unë e falenderoj shumë shkollën “Partizani” dhe sidomos drejtoreshën tonë Luiza, sepse ajo ka qenë personi që më ka mbështetur më shumë dhe unë jam shumë falenderues ndaj saj. Shkolla “Partizani” ka shumë talente të tjerë përveç meje; është një shkollë shumë e mirë e mbushur me nxënës të veçantë që marrin një mbështetje shumë të madhe nga shkolla.
Duke qenë në vitin e parë në gjimnaz, sa ndikon atmosfera në shkollë dhe mbështetja e shokëve në përkushtimin tënd për sportin? A ka ndonjë moment të veçantë që të ka mbetur në mendje?
Unë nuk kam shumë në atë shkollë, por personat e shkollës të bëjnë të ndihesh sikur je në shtëpinë tënde të dytë. Të gjithë janë shumë mbështetës, duke filluar që nga mësueset, të cilat e marrin parasysh që sporti nuk është diçka e lehtë, por edhe nxënësit janë me të vërtetë motivues. Një moment i veçantë ishte dy ditë pas fitores time në garën e maratonës, ku në shkollë u bë një ceremoni për këtë fitore dhe të gjithë ishin aty duke duartrokitur për mua.
Pra shkolla shpesh organizon aktivitete dhe gara sportive. Si e vlerëson rëndësinë e këtyre aktiviteteve për nxënësit e tjerë dhe për ty vetë si një sportist i ri?
Këto aktivitete na bashkojnë shumë si shkollë, pasi na mësojnë se si duhet të bashkëpunojmë për të dhënë një paraqitje sa më të mirë, duke qenë se përfaqësojmë një shkollë si “Partizani”. Për mua aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme, pasi krijojnë emocione shumë të bukura, por gjithashtu dhe kujtime të paharrueshme.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
I dashur ditar, po të rrëfej ngjarjen më të rëndësishme të kohëve të fundit…
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj
Ta duam dhe të mbrojmë tokën