DOKTOR ZHIVAGO

"Doktor Zhivago”, një epikë, një romancë, një histori.

Ky roman rreket të evokojë historinë e njerëzve rusë të detyruar të jetojnë përmes tragjedive të shumta të gjysmës së parë të shekullit të XX-të dhe tregon për provat emocionale të dashurisë në format e saj më të komplikuara.

Përmes ndjenjës së kaosit, lëvizjeve të rastit, takimeve rastësore, ndërprerjeve të papritura dhe mishërimit të realitetit, kombinuar këto me tiparet unike të strukturës dhe stilit të autorit, shpaloset një trazirë e madhe si një përplasje mes abstragimeve çnjerëzore të një rendi politik të pamëshirshëm dhe fuqisë së jetës. Gjithaq, ndërkallet vizioni i poetit përgjatë Revolucionit Rus dhe pasojat e tij.


“Doktor Zhivago” është një epikë, një romancë dhe një histori. Rreket të evokojë historinë e njerëzve rusë të detyruar të jetojnë përmes tragjedive të shumta të gjysmës së parë të shekullit të XX-të dhe tregon për provat emocionale të dashurisë në format e saj më të komplikuara. Pastërnak miraton një strategji unike të kompozicionit të veprës, duke u kthyer në llojin e romanit “tolstoian”. Qëllimi i tij nuk është që të imitojë amplitudën e tij të jashtme, por të rimarrë shpirtin e lirisë dhe pastaj ta sjellë këtë frymë në jetën e Rusisë bashkëkohore, si një lloj akti i të çliruarit prej sëkëlldisjeve të jetës. Romani fillon me një sërë pamjesh të Rusisë para revolucionit, duke demonstruar kësisoj një gjerësi “tolstoiane” dhe duke ngjallur të kaluarën për të mos lejuar nostalgjinë, por këmbënguljen mbi vazhdimësinë e jetës njerëzore.


Personazhi kryesor, i quajtur doktor Juri Zhivago ravijëzon njëfarë alter ego të vetë autorit. Ai është poet, filozof dhe mjek, një hero klasik tragjik, jeta e të cilit është ndërprerë nga lufta dhe nga dashuria e tij për Larën. Natyra e tij artistike e bën atë të prekshëm ndaj brutalitetit dhe ashpërsisë së bolshevikëve; duke u endur në të gjithë Rusinë, ai nuk është në gjendje të marrë kontrollin e fatit të tij dhe vdes në varfëri të plotë. Poezitë që lë pas përbëjnë disa nga shkrimet më të bukura në roman. Mbiemri “Zhivago”, ka të njëjtën rrënjë si mbiemri rus “zhivoy” (i gjallë). Kjo përmbledh tragjedinë e heroit të romanit, i cili e mirëpret revolucionin me shpresën se do t’i japë fund padrejtësive, por fati i tij është i destinuar për një fund tragjik dhe, në fund të fundit, jeta e tij karakterizohet nga momente të shkurtra lumturie të rrethuara nga periudha të errëta. Në rrjedhën e jetës së tij shpaloset shëmbëlltyra e Rusisë moderne.


Pas tre vjetësh evoluimesh, lëvizjesh, trazirash të llojllojshme, luftërash dhe skenash të shkatërrimit, të vdekjes, të rrënojave, ngjarja e parë e vërtetë, kulminacioni i romanit është udhëtimi i tij i fundit. Fakti që ai po i afrohej shtëpisë së tij, e cila ishte e paprekur, e cila ende ekzistonte dhe në të cilën çdo gur ishte i dashur për të, përbënte jetën reale, përvojën më kuptimplotë. Kjo ishte ajo që arti kishte për qëllim, kthimin në shtëpi, kthimin në familje, kthimin kah vetja, në ekzistencën e vërtetë.


Kundërvënia mes dëshirave dhe asaj çka të ofron realiteti dhe aftësia për të mbajtur në ekuilibër këto dy forca, paraqet peshën dhe forcën e romanit. Përmes ngritjes së prozës në një gravitet të rëndë dhe tragjik, çdo hollësi e jetës merr shenjat e shenjtërisë dhe gjatë leximit të këtyre faqeve, e ndjen se dikush po dëshmon një apokalipsi të tmerrshme. Nga një portretizim i Rusisë, romani përfundon si një histori dashurie e treguar me forcën dhe pastërtinë e fiksionit më të madh rus.



(Edona Marku; Portali Shkollor)

191 Lexime
1 muaj më parë