Parashkollori

“Dua të bëhem mjek”

Veprimtaria mësimore edukative është përgatitur nga Zvjetllana Sallufi, Kopshti Dallëndyshet. Ju ftojmë të shikoni se si është zhvilluar tema “Dua të bëhem mjek”.

Tema: Dëshiroj të bëhem mjek

Synimi: Dashuria për punën e mjekut. Zbatimi i këshillave që na jep ai për mbarëvajtjen e shëndetit.

Objektivat:

• Të pasurojmë fjalorin me fjalë të reja.

• Të zhvillojmë imagjinatën për të shprehur ndjenjat.

• Të emërtojmë disa medikamente që përdoren në kopsht.

• Të kopjojnë fjali duke ndjekur modelin.

• Të vizatojnë aq sa tregon numërori.

• Të argëtohen gjatë lojës.

Mjetet: Lapustila, letra të bardha, veglat e mjekut, blister, shishe shurupi, kartela etj.

Metoda: Bisedë, lojë, të pyeturit, diskutim, punë në grupe të vogla.

Pritja e fëmijëve: Mësuesja përshëndetet me fëmijët dhe prindërit. Ajo i lë të lirë fëmijët të bisedojnë dhe të shkëmbejnë përvojat e ditëve të mëparshme.

Përvojat e drejtpërdrejta: Fëmijët vëzhgojnë kartelat mbi tavolinë, veglat e mjekut, tablo të ndryshme që lidhen me temën. Ata shkëmbejnë përvojat kur kanë qenë te mjeku në farmaci etj.

Takimi i mëngjesit: Fëmijët mblidhen në formë gjysmërrethi menjëherë sapo mësuesja lëshon sinjalin.Të gjitha vajzave ajo u jep lule me ngjyrë rozë dhe djemve me ngjyrë të kaltër. Ajo iu kërkon fëmijëve lulet, në njërën anë djemtë dhe në tjetrën vajzat. Pasi i numërojnë lulet sipas ngjyrave ata mund të kuptojnë se sa djem dhe vajza kanë ardhur. Bëjnë diferencën. Cilët janë më shumë? Mësuesja i vendos ato me kapëse në trikot e tyre.

Plotësohet kalendari: Dita, data, muaji, stina, viti, moti duke vendosur shenjat përkatëse.

Veprimtaria ditore: Mësuesja e drejton bisedën me anë të pyetjeve: “Si është koha sot? Me kë erdhët në kopsht? Kush ju shoqëroi këtu? A keni ardhur të gjithë sot? A kemi mungesa? Pse nuk ka ardhur Olisja? Kush e viziton? Pse e viziton? Po ju a keni qenë ndonjëherë sëmure? Kush ju mjekoi? Po ilaçet, ku i moret? A e dini se çfarë ndodh po të mos jetë mjeku? A dini ju t’i emërtoni veglat e mjekut? Si përdoren ato?”

Mësuesja nxjerr përpara klasës disa fëmijë të cilët janë veshur me triko të bardha që të vizitojnë fëmijët e tjerë. Doktori i vogël tregon se si përdoret stetoskopi, luga, aparati i veshit etj. Pasi mbaron “mjeku” i tregon “pacientit” si dhe sa herë pihet ilaçi …, ndërsa te këndi i farmacisë i sëmuri paraqet një recetë. Ilaçi që jep “teta farmacistja” mund të jetë kokërr ose shpesh shurup. Fëmijët merren me kuptimin e fjalëve të reja dhe i përdorin ato: vitamina, ilaçe, mjek, stetoskop, recetë, kartelë. Një fëmijë shpreh dëshirën të bëhet mjek. Përse? Sepse mjeku mjekon dhe shëron jetët tona.

Shpërndarja nëpër qendrat e aktivitetit: Fëmijët zgjedhin sipas dëshirës këndin ku do të punojnë.

Këndi i lexim-shkrimit: Fëmijët kopjojnë me shkronja kapitale fjalët: MJEK, ILAÇE, VIZITOJ.

Këndi i matematikës: Mësuesja vendos mbi tavolinë mjetet e mjekut. Fëmijët i numërojnë sendet një nga një.

Këndi i artit: Loja “Te doktori”. Fëmijën luajnë doktorësh duke përdorur mjetet e punës.

Vlerësimi i punës ditore: Fëmijët vlerësojnë dhe vetëvlerësojnë punimet e tyre duke i shoqëruar me simbole e shprehje vlerësuese, si: “Të lumtë dora punëtore”

(Zvjetllana Sallufi, Portali Shkollor)

2,679 Lexime
1 vit më parë