FILOZOFI

Duke reflektuar mbi një mit - ese nga gjimnazistë të “Petro Nini Luarasi”

Inva, Grasiela dhe Igli shkruajnë përmes miteve për vlerat e jetës, esencën e dashurisë së vërtetë, për fuqinë dhe pavarësinë e njeriut, lirinë e mendjes dhe të jetuarit në këtë botë.

Këto ese që do t’ju paraqesim sot janë jo vetëm krijime origjinale dhe të arrira nga tre të rinjë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, por një reflektim për të gjithë NE. Inva, Grasiela dhe Igli shkruajnë përmes miteve për vlerat e jetës, esencën e dashurisë së vërtetë, për fuqinë dhe pavarësinë e njeriut, lirinë e mendjes dhe të jetuarit në këtë botë. 




                                                              APOLLO DHE DEFNE


Apolloni, perëndia e dritës flakëruese, arsyes, frymëzimit, artit dhe i profetizmit. Perëndia aventuriere me një bukuri tërheqëse që kishte arritur të rrëmbente me mijëra zemra vajzash. Përveç lundrimit nëpër rrezet e Diellit apo thurjes së vargjeve melodioze poetike. Në monotoninë e tij të ditës, ai vazhdimisht vinte në lojë Erosin, zotin e tërheqjes dhe dashurisë fizike. Ai tallej me aftësitë e tij të dobëta në përdorimin e harkut dhe shigjetës, të cilat sipas Apollonit, ishin krijuar për një perëndi fisnike dhe shpatullgjerë si Apolloni. Por sigurisht mendjemadhësia dhe arroganca e vrazhdë e Apollonit nuk mund të mbetej pa ndëshkuar, kështu Erosi vendosi të hartonte një plan për t’i dhënë një mësim të mirë Apollonit. Ai mendoi të përgatiste dy shigjeta një prej ari dhe një prej plumbi. Prej shigjetës së larë në ar buronte dashuria e pastër dhe e sinqertë dhe prej asaj të plumbit silleshin vorbulla urrejtje dhe mospërfillje, të cilat do ta karakterizonin zemrën e atij që do të goditej. E kështu Erosi vendosi që me të parën të godiste Apollon dhe ky të dashurohej marrëzisht me nimfën, shtojzovallen mahnitëse të pyllit Defnen. Por Defneja ishte betuar se do të vdiste e paprekur. Shigjeta me të cilën Erosi e goditi ia shtoi akoma më shumë këtë dëshirë dhe vullnet të sajin. E kështu filloi të përjetohej një antitezë jetësore teksa Apolloni e dashuronte kokë e këmbë, ajo ndjente vetëm përbuzje dhe urrejtje karshi tij. Por Apolloni vazhdonte ta ushqente dashurinë e tij të madhe pavarësisht qëndrimit të saj mospërfillës. E lodhur dhe e pikëlluar nga e gjithë kjo mesele, ajo i lutet babait të saj Peneut për shpëtim dhe kështu një metamorfozë natyrore do të ndodhë, trupi i Defnes do të shndërrohet në një pemë dafine. Pa marrë në konsideratë mungesën e dashurisë nga ana e nimfës Defne, Apolloni premtoi ta dashuronte gjithnjë dhe përdori magjinë e tij rrezëllitëse për ta mbajtur përherë të gjelbëruar. Kështu gjethet e saj e ruajtën gjithmonë gjallërinë dhe jeshillëkun pavarësisht stinës duke drejtuar degët drejt dritës së diellit. 


             Në këtë mit kaq mbërthyes ne dallojmë fare qartë tragjizmin në dashuri sesi njerëzit, dashurohen dhe urrehen. Tek perëndia e Apollos, ne shikojmë njeriun e çmendur dhe dëshirën për diçka që nuk mund ta arrijë, por edhe njeriun krenar dhe arrogant që mendonte se i zotëronte të gjitha. Dashuria e tij mund të duket si e pastër por kjo dashuri nga shume skeptikë cilësohet si epshi mbytës, i cili ndrydh jetën e nimfës Defne, duke e çuar atë deri në shndërrimin në pemë. 


            Jo vetëm kaq por nga ky mit jepet sesi dëshira ekstreme mund të jetë shkatërruese, por edhe sa e fortë është besnikëria ndaj dashurisë së pashoqe si ajo e Apollonit, në qoftë se do të ishte e tille. Prandaj, si përfundim, nga ky mit lexuesi arrin të kuptojë mjaft mirë esencën e dashurisë së vërtetë.



                                                                                          Punoi:Inva Karaj 

                                                                                          Shkolla: “Petro Nini Luarasi”, klasa XI

                                                                  






                                                               MITI I EDIPIT 


Esencat abstrakte të jetës. Dozat e shërimit për shpirtrat endacakë. Udhëzuesit më të bukur që mund të ndiqni në jetë. Janë vepra njëkohësisht të thjeshta por edhe të ndërlikuara që e ofrojnë në mënyrë kolosale substraktin e vërtetë që ne duhet të prekim . Bëhet fjalë pikërisht për mitet. Shumë të tilla kanë lënë gjurmë të mëdha në formimin e moralit njerëzor. Një prej tyre është edhe miti i Edipit. Një mit që ngre pyetje tronditëse për fuqinë dhe pavarësinë e njeriut. Pavarësi ndaj kujt? Pikërisht ndaj rrethanave që të bën pjesë vorbulla e fatit. A është e vërtetë që ky fat është i paracaktuar? A jemi ne aktorë të një vepre me regjisor të papërfillshëm? Mos vallë kemi ardhur në këtë jetë vetëm për të shkruar fjalët të cilat tashmë janë menduar? 


            Sofokliu nëpërmjet Edipit na ofron një tablo me nuanca ngjyrash rrëqethëse. Një personazh tragjik dhe fatal që vuan pasojat e paraardhësve. Ende i pafajshëm, ai pritet me frikën që të shkakton një vrasës. Dhe në fakt euforia e tmerrshme që kishte pllakosur prindërit e tij, nuk arrin të mposht profecitë dhe fuqinë e fatit. Le t’i bëjmë një rifreskim ngjarjeve që ndodhin në mit. Gjithçka nis me mallkimin që mbreti Lai , babai i Edipit , i shkakton vetvetes, i cili thoshte se do të vinte një ditë kur i biri do të vriste të atin. Mbreti urdhëron një skllav që ta hedh Edipin në mal, në rrëzë të Kiteronit dhe që mos t’u shpëtonte egërsirave ia gjymtoi këmbët. Mirëpo shpirti i një skllavi nuk është kurrsesi si shpirti i një mbreti, kështu që ai nuk e zhvendosi drejt stacionit të fundit të jetës por, ia besoi një njeriu. Ky i fundit e solli djalin te mbreti i Korintit i cili e birëson atë në mungesë të një trashëgimtari. Çdo gjë në dukje ngjan mirë derisa në kokën e Edipit të rritur qarkullojnë fjalët se ai nuk ishte djali i tyre. Dhe ngjarja tashmë kishte marrë rrjedhën drejt gropës së fatalitetit. Kështu Edipi shkon në Delfe për të mësuar të vërtetën. Ai nuk zbulon asgjë për të kaluarën por njihet me të ardhmen e tij. Edipi braktis çdo gjë, në kërkim të një të ardhmeje të re. Por, a ishte ai aq i fortë sa të mposhtte fatin e tij?  Në fund, ndodh ajo që ishte parashikuar por, në një mënyrë tepër tragjike. Edipi vret babain dhe martohet me nënën e tij në mungesë të vetëdijes. Ai u përpoq të mashtronte profecitë por, fati ishte sundimtar më i zoti. Vullneti i lirë mbetet i rrethuar në grackën e fatit duke mos u përqafuar kurrë me verdiktin final, që na japin zgjedhjet tona. Megjithëse Edipit arrijmë t’i shquajmë një mençuri dhe urtësi të madhe kur mposht Sfinksin, pikërisht në kërkimin e tij për të zbuluar të vërtetën e kaosit në qytetin e vet, ai gjen shkatërrimin e tij. Ai kishte kryer gabime  të tmerrshme por a ja dhuronte pavetëdija statusin e pafajësisë? A ishte Edipi i pafajshëm? Tekefundit, ai kishte vepruar nën  hijen e mosinformimit por, krimi që kishte kryer tashmë, kishte lënë një gjurmë shumë të madhe në baltë. 


             Në ditët e sotme njeriu në shumë raste gjendet i pavetëdijshëm për veprimet që ndërmerr dhe shpeshherë i penduar. Kjo e fundit e ngre lartë në piedestal në një mënyrë tragjike ndëshkimin e drejtësisë. Pra, Sofokliu duket sikur na vërteton se fati është i paracaktuar. Na vërteton se ne duhet të ndjekim atë rrjedhën nëpër të cilën na zhvendos ai. Por, Sofokliu nënkupton gjithashtu se veprimet e pamenduara janë dhe përforcues të fatalitetit tonë.


           Njeriu i ditëve të sotme gjendet përballë dy rrugëve: të zgjedhë të besojë në fat apo ta injorojë atë nën petkun e një ankthi  për të mësuar fundin. Pra, fakti që mitologjia dëshmon se njeriu nuk mund ta mënjanojë fatin  e tij , na trondit deri në momentin që ne vendosim të mos besojmë në ekzistencën e tij. Ajo çfarë zgjedh ti të besosh, është burimi i pashtershëm force për ty. Mund të besosh në fuqinë e ekzistencializmit njerëzor, mund të besosh në zot, mund të besosh në fat, e rëndësishme është që ti mos t’u shmangesh pengesave të jetës por, t’i kapërcesh ato në mënyrën më të mirë të mundshme.



                                                                                         Punoi : Grasiela Lugja 

                                                                                         Shkolla: “Petro Nini Luarasi”, klasa XI




 


                                                         MITI I KRIJIMIT TË BOTËS


Në një nga skenat e tragjedisë shekspiriane, Hamleti thotë: “Mund të jetoj i mbyllur në një lëvozhgë arre dhe, njëherazi mund ta konsideroj veten zot i një hapësire të pakufijshme”. Mendoj se ai donte të thoshte se ndonëse ne, njerëzit, jemi fizikisht të kufizuar, mendjet tona janë të lira për të eksploruar gjithë universin dhe për të shkuar pa na u dridhur qerpiku në hapësira ku mund të shkelim mijëra vjet më vonë. Por, është universi vërtet i pakufishëm apo thjesht shumë i madh? A ka pasur një fillim? Mos po tregohemi ambiciozë më tepër nga ç’duhet, edhe sikur vetëm ta tentojmë këtë gjë?                                             Sipas boshongove, një popullatë në Afrikën Qendrore, në fillim, ekzistonin vetëm errësira, uji dhe zoti madhështor Bumba. Një ditë, Bumba, që kishte dhimbje në stomak, volli mbi Diell. Ky i fundit thau një pjesë të ujit, duke nxjerrë në pah Tokën. Dhimbjet i vazhduan dhe Bumba volli mbi Hënën, mbi yje, pastaj mbi disa kafshë – leopardin, krokodilin, breshkën – dhe në fund mbi njeriun. Mitet e krijimit – ky dhe shumë të tjerë tentonin t’i përgjigjeshin pyetjes mbi fillimin e gjithçkaje.                                                                  Megjithatë jo të gjithë e pranuan idenë se universi kishte pasur një fillim. Për shembull: Aristoteli, më i famshmi ndër filozofët grek , besonte se kozmosi kishte ekzistuar gjithmonë, sepse diçka e përjetshme është më e përsosur se sa diçka e krijuar. Ai hodhi hipotezën se arsyeja se pse vërehej ky progres, ishte se përmbytjet - ose katastrofat e tjera natyrore – e sillnin njerëzimin në mënyrë të përsëritur në pikën e fillimit. Hipoteza e një universi të përjetshëm e la origjinën tek dëshira për të shmangur idenë e një ndërhyrjeje hyjnore për të shpjeguar krijimin e botës. Nga ana tjetër, ata që besonin se universi kishte një fillim, e përdornin si argument për ekzistencën e Zotit si shkak i parë – ose motori i parë – i vetë universit. Të kuptuarit nëse universi kishte apo nuk kishte  fillim, ishte një çështje me interes të madh për filozofin gjerman, Imanuel Kant, i cili besonte se të dyja përgjigjet paraqitnin kontradikta logjike ose antinomi. Nëse universi kishte një pikënisje të caktuar, pse priti një kohë e pafund përpara fillimit? Këtë e quajti tezë. Nga ana tjetër, nëse universi kishte ekzistuar gjithmonë, pse u desh një kohë e pafund për të arritur stadin e tanishëm? Këtë e quajti antitezë. Si teza, ashtu dhe antiteza, vareshin nga argumentimi i Kantit ( dhe shumë  të tjerëve) se koha ishte absolute; domethënë ajo shtrihet nga e kaluara e pafundme deri në të ardhmen e pafundme, pavarësisht nga ekzistenca ose mosekzistenca e ndonjë universi. Nuk mund të identifikojmë një kohë përpara “Shpërthimit të Madh”, për faktin e thjeshtë se përpara tij nuk ekzistonte koha. Më në fund kemi, gjetur diçka që nuk ka shkak në këtë ndodhi, sepse nuk pati kohë të mëparshme. Mungesa e një kohe të mëparshme (ku mund të kishte qenë zoti) përjashton mundësinë e ekzistencës së një krijuesi hipotetik të universit. Do të ishte njëlloj sikur të kërkonim një pikë në Jug të Polit të Jugut, diçka që nuk ekziston.                                                                                                                        Njerëzit kërkojnë përgjigje ndaj pyetjeve të mëdha, si për shembull: pse gjendemi këtu? Ata nuk parashikojnë që përgjigjet të jenë të lehta, kështu që janë të përgatitur për t’u sforcuar paksa, me qëllim që t’i kuptojnë. Nëse njerëzit më pyesin nëse universi u krijua nga një zot, u përgjigjem që vetë pyetja nuk ka kuptim. Përpara “Shpërthimit të Madh”, koha nuk ekzistonte dhe rrjedhimisht, nuk ka një kohë, në të cilën zoti të ketë formuar universin. Dhe mund të lind kundërshtimi për vërtetësinë e “Shpërthimit të Madh”. Ju ftoj të mendoni çfarëdolloj gjëje që dëshironi. Çfarë po bëni dhe njëherë? Po merrni një pikë boje mendimi dhe po e shpërndani sa andej e këtej, po e zgjeroni me kah drejt kompleksitetit dhe kjo është diçka shumë e zakontë për natyrën njerëzore, për mendimin tonë analitik. Por ky nuk është një ligj që na përshkruan vetëm ne. Mos harroni se sa here ju thyet një gjë, ajo shpërndahet në copëza më të vogla, një informacion më kompleks se më parë dhe një dukuri e anasjelltë si ajo, pra bashkimi i copëzave në mënyrë perfekte siç mund të ndodhej minuta më parë është e pamundur. Ia vlen të përmendim faktin se çdo sekondë galaktikat sa vijnë e largohen nga njëra-tjetra, universi po zgjerohet, aktiviteti po rritet, jeta në planetin tonë po zhvillohet dhe për këtë ekziston një fillim, para së cilës koha nuk ekzistonte. Apo jo? Është njëlloj sikur të pyesni se në cilën anë duhet të drejtoheni, për të shkuar në skajet e Tokës. Duke qenë sferë, dhe si e tillë nuk ka kufij, kërkimi i skajeve të Tokës do të ishte një përpjekje e kotë.   

           Gjithsesi, besoj se në shekullin e ardhshëm do të ndodhin zbulime të jashtëzakonshme dhe gjithashtu në gjeneratat në vazhdim. Mendoj se pasi vdesim, kthehemi në pluhur. Megjithatë, jeta jonë ka vlerë e kuptim. Ndikimi që kemi ushtruar, nuk ka arsye të reduktohet, dhe do të vazhdojmë të transmetojmë gjenet tek pasardhësit tanë. Vetëm këtë jetë kemi për të vlerësuar dizajnin madhështor të universit , dhe kjo është një mundësi, për të cilën jam jashtëzakonisht mirënjohës .



                                                                                        Punoi: Igli Zhupa 

                                                                                        Shkolla: “Petro Nini Luarasi”, klasa XI





(Portali Shkollor) 

3,932 Lexime
4 vjet më parë