Reflektim

E Mira, E Keqja, Njohja, Drita

“E Mira, E Keqja, Njohja, Drita” është shkrimi reflektim krijues nga Drita Gjaci Topjana, mësuese e Arsimit Fillor në shkollën “28 Nëntori”, Tiranë. Nga këto rreshta na sillet në vëmendje se virtytet e së mirës, janë elementët bazë, për një sjellje pozitive dhe jetë më të shëndetshme.

Punoi: Drita Gjaci Topjana

Mësuese e Arsimit Fillor, Shkolla  “28 Nëntori” Tiranë




E Mira


E Mira është një pemë me shumë degë. Degët e saj janë të magjishme. Ato nuk thyhen kurrë. Kanë gjethe të bukura të shndritshme, ngjyra - ngjyra, që shkëlqejnë dhe natën nën dritën e argjend të Hënës. Kanë fruta të mira e të ëmbla, me shije dhe me aromë. Këto fruta rriten nën ajrin e pastër të kaltërsisë qiellore. Mbulohen me vesën dhe brymën e mëngjesit. Dielli i puth dhe i zgjon me rrezet e argjendta të tij. Ushqehen dhe freskohen me shirat e lehtë të pranverës dhe të vjeshtës. Zbukurohen me ngjyrat e bukura të ylberit. Përshtaten me hijeshinë e natyrës. Dehen me shije dhe aromë hyjnore, e cila është e papërshkrueshme dhe e paimagjinueshme. Dhe mbi të gjitha degët e kësaj peme flasin një gjuhë të ëmbël dhe të butë, të bukur, të pastër, të qartë, flasin një gjuhë të kulluar si vetë kënga e bukur e bilbilave, si vetë cicërimat e para të zogjve.


Degët e së Mirës janë të shumta, por po përmendim disa prej tyre. Më kryesorja është Dashuria. Dashuria, për veten, për familjen, për të afërmit, për çdo gjallesë që ekziston mbi Tokë. Dashuria është dritë, është jetë, dashuria është forcë. Dashuria është dije, është dituri, dashuria është virtyt, është hir. Dashuria është vetë Dielli dhe vetë Dielli është dashuria. Dielli është Krijuesi dhe Krijuesi është dashuri. Dashuria do të udhëheqë botën. 


Hierarkia me nëndegët e saj si; respekti, bindja, mësimi, dija, durimi, urtia, përulja.

Drejtësia duhet të jesh i drejtë dhe i mëshirshëm (të ndiesh keqardhje për më të dobëtin, skamnorin, të paaftin për punë).

Dëshira dhe vullneti për të punuar, mësuar.

Virtyti nga virtyti lindin virtyte të reja. 

Heshtja dhe lutja, heshtja është pushimi i luftës, lutja është arma kundër së Keqes.

Degët e kësaj peme e njohin dashurinë, mirënjohjen, prandaj nuk vyshken dhe nuk bien kurrë në Tokë. 


Pema e së Mirës

                                                                             Dashuria

                                                              Dija,                         Drejtësia, 

                                                        Dëshira,                                 Virtyti, 

                                                               Heshtja,                  Urtia,

                                                                              Lutja.



E Keqja

Dhe e Keqja është një pemë me shumë degë. Degët e kësaj peme në pamje të parë janë të mira, të qeta, të bukura, të shijshme, të ëmbla, por kur i sheh në brendësi janë shumë të rrezikshme, të frikshme, ogurzeza, vrastare, të helmojnë çdo ditë pak e nga pak, derisa helmi i tyre ua gërryen zemrën, mushkëritë, madje dhe shpirtin. Këto degë ushqehen me pluhurin e rrugëve, me smogun e makinave, nën këmbët e njerëzve, krahët e tyre zgjaten aq shumë, si grami nëpër arë, ai bari i keq që asnjeri nuk do të donte ta kishte në arën e tij. Frytet dhe gjethet e këtyre degëve nuk kanë ngjyra dhe shkëlqim, nuk kanë shije dhe aromë, janë si ato lulet artificiale që zbukurojnë ambientin, dritat e të cilave ndizen dhe fiken me telekomandë. Pra e Keqja është mosdija, mosnjohja, mos edukimi i vetes. 


Degët e së Keqes janë; mendjemadhësia, koprracia, grykësia dhe fëlligështia. Si nëndegë të kësaj peme mund të përmendim; lakminë, zilinë, injorancën, përfitimin nga tjetri duke shfrytëzuar më të dobëtit, duke përdorur hile, gënjeshtra etj. Degët dhe gjethet e kësaj peme thyhen dhe vyshken çdo ditë e më shumë në sajë të kequshqyerjes dhe të keqpërdorimit të trungut të saj. Gjuha e folur nga degët e kësaj peme janë vulgare, egoiste, e pisët, e ndotur, nuk tingëllon bukur, ëmbël dhe mbi të gjitha shumë njerëz nuk kanë dëshirë as ta dëgjojnë. Kjo pemë nuk njeh dashuri, nuk transmeton dashuri, dhe ku nuk ka dashuri nuk ka respekt, prandaj gjethet e kësaj peme bien shpejt në Tokë.


       Pema e së Keqes

  Mendjemadhësia,

koprracia, 

grykësia,

fëlligështia.

       


Njohja

Kur njeh pemët; të së Mirës dhe të së Keqes, t’i ke njohur “Pemën e Dijes”, atë pemë që ne flasim shumë pak për të, sepse jemi të zënë me gjëra të tjera me ose pa vlerë. Duke njohur “Pemën e Dijes”, fëmijët janë në gjendje të komandojnë veten që në vegjëli. Ata mund të kërkojnë të drejtat e tyre me respekt dhe njëkohësisht edhe mund t`i zbatojnë ato. Sa të mirë do të ishit ju fëmijë sikur të bëheshit degë e Pemës së të Mirës! Imagjinoni sikur të gjithë ta flakim Pemën e së Keqes jashtë shtëpisë. Këtë pemë me fruta të tharta dhe të hidhura. Sa harmoni dhe paqe do të ketë në familje. Sa mirëkuptim dhe dashuri do të kenë familjet. “Dashuria fillon në familje.” - thotë shën Tereza. 


Në fund të fundit njerëzit nuk kanë nevojë për pemën e së Keqes, për degët dhe gjethet e saj, për frutat e saj. Njerëzit prandaj quhen njerëz që të bëjnë dallimin midis së Mirës dhe së Keqes. E kanë vetë në dorë të dalin në dritë ose të zhyten në errësirë. Degët e pemës së Mirë ngjiten aq lart saqë arrijnë në ndryshimin e ngjyrave të Qiejve, në gëzimin dhe në shkëlqimin e tyre, ndërsa degët e pemës së Keqe zgjaten anash nëpër Tokë dhe shkelen nga njerëzit, thyhen gërvishten nuk kanë shkëlqimin e duhur, nuk ke dëshirë as t`i shikosh, jo më t`i takosh.


Drita 


Njohja e “Pemës së Dijes” urtia dhe dija që merret në shkollë me vullnet janë Drita. Dhe Drita për çdo njeri në radhë të parë është vetë vetja e tij. Ai e ka vetë në dorë në do të dalë në dritë me sjelljen e tij, apo  do të hyjë në terr. Duke ndjekur njërën nga këto dy pemë. Zgjidhni të dashur fëmijë. Duke mësuar dhe zbatuar rregullat e pemës së Mirë ju mund t`i shtoni njohuritë tuaja. Pra mund të gjeni paqen, harmoninë, dashurinë, respektin dhe urtinë, mund të drejtoni zemrën tuaj dhe të njihni shpirtin tuaj madje dhe të bisedoni me shpirtin tuaj, ta keni mik atë. Duke pasur mik shpirtin tuaj, ju keni vlerësuar veten dhe do të mësoni të vlerësoni dhe të doni gjithë botën. “Dashuri t’i ke në dorë të ardhmen.”- thotë Viktor Hygo te romani “Të Mjerët”, vëllimi 3, fq.175. Pra e ke vetë në dorë nëse do të bëhesh vullnetmirë apo jo. (“Do të doni botën për ta mësuar që të dojë.” “Këto që lexove nuk t`i mësova t`i mbash për vete, por t`ua mësosh të tjerëve.” Maria Valtorta Poema e Njeriut - Zot)

 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

308 Lexime
1 javë më parë