“Emblema e mirënjohjes…” nga Jorina Muçi

“Emblema e mirënjohjes…” është shkrimi letrar i Jorina Muçi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Kujtimet gjithmonë mbartin vlerën e një momenti, një çasti nga jeta, një date nga e kaluara… 


Për ne mësuesit, kujtimet nga nxënësit bëhen si ai ditari që e mbajmë përherë me vete, shfletojmë aty çaste, situata, gjenerata e breza të tërë nxënësish, kujtimet bëhen letërsia jonë private.


Sot, pas gjashtëmbëdhjetë vitesh në rrugëtimin tim si mësuese, mbart me vete plot kujtime që më kanë bërë të lumturohem apo edhe të trishtohem në situata të ndryshme, të qesh apo edhe të qaj së bashku me nxënësit e mi. Nuk mund t’i veçoj dot, janë shumë, por i risjell natyrshëm në biseda mes nxënësish, kolegësh apo edhe mes familjarësh. 


Ishte fillim korriku 2022. 


Viti mësimor kishte përfunduar, por puna jonë vazhdonte ende. Sinjali i telefonit më zgjoi papritmas atë pasdite të freskët vere pogradecare. Po aq i freskët ishte edhe mesazhi që mora. 


Nxënësja ime I.P, gjimnaziste tashmë, më ftonte në promovimin e librit të saj. Ishte jo vetëm gëzim, por edhe krenari, mirënjohje, sukses...

 

Tashmë nxënësja ime kishte në dorë trofeun, i cili do ta çonte drejt rrugës së bukur të letërsisë. I pëlqente shumë letërsia, bisedonim vazhdimisht për shkrimtarët, poetët, veprat letrare. Edhe pse kishte përfunduar arsimin bazë e takoheshim më rrallë, më sillte shpesh krijimet e saj, poezitë, të cilat më jepnin kënaqësinë e të qenit lexuesja e parë e tyre. Shihja tek ato vargje ndjeshmëri, emocion, inspirim, ndonjëherë gjeja dhe veten aty. 


-Ne pogradecarët kemi lindur me shpirt poetik - i thosha.


-Je sfida ime! - i shkruaja shpesh në fletoret e punës me shkrim.


Adhuronte orën e Gjuhës shqipe, shpjegimin, njohuritë letrare, Lasgushin, Agollin, Kadarenë, Migjenin. Bisedat tona fillonin me letërsinë dhe përfundonin sërish me të. Krijimet i botonte në gazetën e shkollës ose në revistat lokale. E udhëheqja shpesh në konkurset letrare në shkollë e jashtë saj, ku gjithmonë ishte fituese. Tashmë kishte ardhur momenti që ëndrra e saj të bëhej realitet. 


Nxënësja ime I.P kishte vendosur t’i botonte poezitë në një vëllim të plotë me titullin “Veten kërkoj”.


Ndjehesha e lumtur, pasi natyrshëm isha bërë pjesë e ëndrrës së saj. Shkova tepër e emocionuar në bibliotekën e rrethit, ku do të bëhej promovimi i librit, tanimë jo si mësuesja që me stilolapsin e kuq korrigjon gabimet në fletoret e nxënësve, por si një adhuruese e librit dhe e poezisë, jo për të shpjeguar mësimin e gjuhës shqipe, por për të dëgjuar ato vargje të endura aq bukur. 


Nuk kishte krenari e kënaqësi më të madhe për një mësuese, teksa shihje ëndrrat e realizuara të nxënësve të vet. Tashmë mes poetëve pogradecarë ishte edhe I..P., poetja më e re, një zë i veçantë i qytetit të liqenit, qytetit të Lasgushit e Mitrushit, që frymëzoi çdo poet, shkrimtar, piktor e artist pogradecar.


Sot L.P. është studente, me rezultate shumë të mira, e suksesshme në krijimtari e gazetari. 


Shfletoj gjithmonë me emocion vëllimin e saj poetik, sidomos poezinë që ma ka kushtuar në ditën e “7 Marsit”. Ato vargje të endura me aq finesë e sinqeritet do të jenë kujtimi më i bukur ndër vite, do të mbeten emblema e mirënjohjes së talenteve të tilla.

 

 

Jorina Muçi 

Jorina Muçi ka lindur në Pogradec më 27 maj 1984. Ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Humane, dega Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani“ në Elbasan. Ka punuar mësuese prej 15 vitesh në disa shkolla të qytetit të Pogradecit dhe prej një viti punon mësuese në shkollën 9-vjeçare “Xhelal Berberi” në ZVAP Sarandë, qytet në të cilin jeton aktualisht. Mban titullin ‘Mësuese specialiste”. Ka qenë shpesh organizatore e konkurseve letrare e aktiviteteve me nxënësit e saj. Pasioni i hershëm për librat e letërsinë e bëri ta donte shumë punën e saj.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,472 Lexime
6 muaj më parë