“Kortezh i heshtur” nga Merita Kuçi

“Kortezh i heshtur” është shkrimi letrar i Merita Kuçi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Si një kortezh i heshtur mbetet e tërë dhimbja ime.


Oborri është i mbuluar me mbeturina, të zvarritura deri aty nga prurja e shirave që larg në kodrat e qytetit e deri poshtë në këtë dritëz jete… 


Bari qëndron në mes, as i gjelbër, as i zbehtë. Ndonjëherë e emërtoj “Bari i shpresës” 


Guxoj të hap derën. 


Në krye të shkallëve shfaqen korifenjtë e mendimit dhe të sakrificës: Nënë Tereza, Ismail Qemali, Gjergj Fishta, Eqerem Çabej. Çdonjëri prej tyre përbën një burim frymëzimi, motra e vëllezër shprese e drite.

Nuk i ngjis dot ato shkallë. 


Në të majtë, një prag si ngrehina e tërmetit që tronditi jo vetëm themelet e shkollës sime, por edhe të njerëzve, plot nëntëdhjetë e tetë, që fjetën, vajtuan me shpirt jetët, kujtimet e humbura. Për tre ditë, kjo çati, mbushur me zëra jete, banka, tabela, objekte mësimore, frymë të zhurmshme; kjo dhomë përbri me libra, që në mënyrë modeste quhet “bibliotekë”, u bë shtëpia e parë e shpresës, për të parë përpara me dëshirën dhe gëzimin që jeta fal…


Jam ende këtu, me këmbë e me duar duke nxituar në një tjetër shkollë, ku asgjëkundi nuk lidhet me trofetë, fitoret, mundin, humbjet apo rivalitetet (e rrathëve Olimpikë), debatet mes zërash të lartë siç flasin fëmijët, mësuesit (si sëmundje profesionale), salloneve, shkallëve kudo që shkojnë, hapa që nuk na japin siguri apo familjaritet, veç ftohtësisë dhe përpjekjes sonë për të qenë mirëkuptues…


Pak më lart, 

kolonat kryesore të çdo kati (katër kate), qëndrojnë të veshura me portrete gjuhëtarësh, historianësh e shkrimtarësh të vyer të letërsisë shqipe: Dritëroi, Migjeni, Kadareja… shoqëruar me informacione rreth tyre, që mendja e një stafi kreativ do të përmbushte me kaq histori të filozofisë e shkencave si: Matematika, Fizika, Gjeografia …

Nuk guxoj të shkoj djathtas në hyrje (thonë se kur e djathta të mungon të ka ikur forca sikur unë), vetëm mure, klasa të zhveshura, të boshatisura, laboratorë të zhveshur. Tani nuk gumëzhin asgjë, as përgëzime nuk marrim sot e pesë vite. 

Nuk janë pak!

I konsideroj vite zie!


Nënat, baballarët, mësuesit na mësojnë se zia nuk sjell asgjë. Kemi të drejtë të vajtojmë, por edhe t’i këndojmë shpresës, për të përqafuar: ide fuqidhënëse,  durimin kur nxënësit që edukojmë me aq përkushtim na kthejnë krahët për të ikur diku, qoftë edhe një kat më lart. 


Nënat e mençura nuk i vajtojnë bijtë e tyre. Kështu bëj edhe unë. 

Ky objekt, kjo formë hapësire, është shtëpia ime e fëmijërisë, shtëpia ku u rrita, 


ku arsimova vajzën time, ku dëshiroj të vazhdoj të frymëzoj e motivoj kolegët e mi, nxënësit dhe komunitetin që më mbështet për vite e vite në misionin tim të dijes dhe të kurajos për vepra që do ti kthejnë ndriçimin shkollës sime, ku lulet e festave do i shprishin petalet në sallone, në oborrin e shkollës sonë, fuqia e dyerve të së cilës do ta mundë barin shpirtvrarë dhe harresën!




Merita Kuçi- Thartori


Merita Kuçi- Thartori ka lindur dhe është rritur në qytetin e Durrësit. Ka përfunduar studimet e larta për Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës. Ka kryer gjithashtu Master Shkencor në Menaxhimin e Institucioneve Arsimore - UAMD/ Shkolla e Drejtorëve- TR.-IZHA. Prej shumë vitesh merret me publicistikë dhe poezi.  Ka botuar pesë vëllime me poezi. Aktualisht është nënkryetare e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës. Është “Ambasadore e Paqes” shpallur nga Federata Shqiptare e Paqes. “ Mike e Fëmijëve” nga Qendra Kulturore Durrës.  Drejtore e shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori“ Durrës. 



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,539 Lexime
6 muaj më parë