Krijim

Fausti i plakur, apo i ri dhe nën ndikimin e Mefistofelit?

Një punim nga Lorela Sinani, gjimnaziste nga Shkodra, e cila sjellë një këndvështrim ndryshe në botën e letërsisë për një nga veprat dhe personazhet më të njohura. Fausti i plakur, apo i ri dhe nën ndikimin e Mefistofelit?

Trokita lehtë në derë, sikur të kisha frikë se do zgjoja pluhurin që kishte mbuluar atë vend. Pas pak, dëgjova një “Hyr’’, të lehtë e të ftohtë. Me pak hezitim, hyra brenda. Dhoma e tij e vogël,  ishte e pushtuar nga gjysmë errësira dhe librat shtriheshin gjithandej. Edhe ai,  ishte i thinjur, i vrazhdë dhe i kërrusur mbi librat që e rrethonin.  Ky zotëri, në pamje dhe sjellje kaq i ftohtë, por me një mendje kaq të ndritur, kishte një shpirt tejet të pastër. Ai gjithmonë kishte ndjekur rrugën e drejtë,i vetëdijshëm që kjo, ishte rruga e saktë edhe pse ndonjëherë, ndihej i zhgënjyer nga vetja dhe nga jeta.  Ky ishte, i respektuari nga të gjithë, Fausti. 


Mbyllni sytë dhe për një moment, imagjinoni botën e letërsisë. Imagjinoni kryeveprat botërore, që fluturojnë kudo, mbi barin e gjelbër dhe nën qiellin e kaltër.  Ja ku janë “Vëllezërit Karamazov” dhe “Të mjerët’’. Pak më tutje, dallohet “Don Kishoti’’ dhe “Hamleti’’. “Gra të vogla’’, “Katedralja e Parisit’’ dhe “Zonja Bovari’’, të treja duke u lëkundur mbi barin e njomë. Një flutur e bukur ngjyrë blu, është ndalur mbi “Iliadën’’. “Odisea’’, duket në qiell, teksa ngjitet drejt reve të buta bardhoshe.  Sa shumë romane, poezi, balada, drama dhe vepra të tjera të pafundme, sillen kudo! Por, njëra mungon… Cila është kjo vepër?


Vepra që mungon, në fakt, nuk është shkruar kurrë. Ky titull, është Fausti. Mund të duket e çuditshme, madje mund edhe të pyesni  “Çfarë po thua kështu?’’ , por kjo është e vërteta, “Fausti’’ nuk ka ekzistuar ndonjëherë… Nuk u shkrua kurrë, sepse, siç u përshkrua më sipër, Fausti jetoi një jetë të gjatë e të lumtur, pa ngritur kokën nga librat e tij. Madje as në moshën e pleqërisë, asnjëherë nuk kërkoi t’i rikthehet rinia, por e pranoi faktin se po plakej dita ditës, dhe bëri paqe me këtë fakt. Ai asnjëherë nuk e njohu Mefistofelin, as Margaritën dhe as Helenën. Asnjëherë nuk shkoi në oborrin perandorak. Në fakt, ai asnjëherë nuk pati mundësinë të përjetonte aventura. Aventurat e tij të vetme, ishin ato mbi librat e shumtë që ndodheshin në dhomën e tij, prej së cilës rrallë dilte.  


Nuk ka kuptim, apo jo? Sigurisht që nuk ka kuptim…Sepse vetë personazhi i Faustit, pa Mefistofelin nuk ka kuptim. Mefistofeli, ishte ai që u shfaq që në fillim të librit, e që na mbajti të gozhduar pas tij deri në fund. Ishte ai që krijoi gjithë ato aventura, pa të cilat, kjo kryevepër sot nuk do ekzistonte. Ishte ai që e tërhoqi Faustin pas vetes, mes mëkateve dhe ai që insistonte ta bënte për vete. Ai është personazhi që  i jep veçantinë librit, që e bën atë kryevepër.  Në fund të fundit, edhe në botën ku ne jetojmë, e mira dhe e keqja nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën. Bashkë ekzistenca e të dyjave, na ndihmon t’i dallojmë nga njëra tjetra. Nuk mund të vlerësohet e mira pa të keqen dhe nuk mund të kuptohet e keqja pa të mirën.  


Sikur Fausti dhe ngjarjet që përshkruhen në libër, të ishin reale, sigurisht që Fausti do ishte më mirë i plakur dhe në rrugë të drejtë. Sigurisht që do ishte më mirë sikur ai të vazhdonte studimet e tij e të mos e njihte fare Mefistofelin. Do ishte diçka tragjike nëse do ndodhte e kundërta. Por, ja që nuk është ngjarje e vërtetë… Ja që është një dramë, ajo e të madhit Gëte, ideja e të cilit na dhuroi këtë thesar botëror. Prandaj, është më mirë që Mefistofeli të jetë në të…sepse kryeveprat botërore nuk janë bazuar në ylber dhe re të bardha. As në lulet shumëngjyrëshe dhe ëmbëlsirat e shijshme. Gjenitë e letërsisë dhe mrekullitë që dolën nga mendja e shpirti i tyre,  nuk do ekzistonin fare pa zhgënjimin dhe ndjenjat e tjera jo aq pozitive,  me anë të të cilave ata përcjellin mesazhet aq të bukura universale.  


Prandaj është kaq e bukur bota e letërsisë … Sepse përbindëshat, zanat, kafshët që flasin, historitë tragjike dhe perënditë, nuk të frikësojnë, por të mësojnë. Prandaj, pa frikë, them se Fausti si vepër, ka nevojë për Mefistofelin. Sepse pa Mefistofelin, nuk ka Faust. Është pak a shumë si të thuash që pa Sançon ,nuk ka Don Kishot. Dhe pa Don Kishotin e pa Faustin, nuk ka letërsi.  


Lorela Sinani

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,069 Lexime
1 vit më parë