Frazat që nuk duhet t’i përdorni asnjëherë me fëmijët
Prindër, shprehja “do të çoj në banjë” është një shprehje gjymtuese, pasi në mënyrë të pavetëdijshme, e barazon fëmijën me jashtëqitjen. Prindër gjeni çfarëdo lloj mënyre, por këtë shprehje mos e përdorni.
Kur fëmija i inatosur përplas apo flak lodrat dhe sendet që ka në dorë, mund t’i thuhet: nuk ke dëshirë të luash më? Kjo frazë e ndihmon të komunikojë në mënyrë jo konfliktuale. Gjithashtu lejon që komunikimi të mbetet i hapur dhe fëmija ta shikojë situatën nga një këndvështrim tjetër dhe krijohet mundësia ta rimendojë veprimin e tij.
Në vend që t’i thuhet: “të rriturit nuk sillen kështu”, shprehja qetësuese do të ishte: “Edhe të rriturve u ndodh të sillen kështu, por ata përpiqen ta kalojnë”. Është më mirë t’i shpjegohet fëmijës që është normale të provojë një ngarkesë të madhe emocionale, se sa ta ndrydhë atë. Kur i rrituri i tregon që edhe atyre u ndodh një gjë e tillë, por kalon, fëmija ndihet më i qetë dhe do të përpiqet të mos e përsërisë të njëjtën sjellje.
Kur fëmija “godet” i thuhet: "ti je i nxehur dhe mbase ke te drejtë, por nuk mund të godasësh." Kjo mënyrë të foluri nga ana e të rriturit i tregon fëmijës se të qenit i nxehur është normale, por jo e goditura.
Në vend që t’i themi “po sillesh shumë keq”, mund t’i thuhet: "kaq e vështirë është të bësh si po të them?" Pa të shohim së bashku si mund ta bëjmë sa më të lehtë situatën. Kur një fëmijë refuzon të bindet, duhet patjetër që i rrituri të përpiqet të kuptojë shkakun. Kjo frazë e siguron fëmijën që nuk është vetëm dhe do të përpiqeni së bashku t’ia dilni të qetësohet.
Në vend të shprehjes “tani do të dënoj”, mund t’i thuhet: “merr frymë thellë se edhe unë atë po bëj dhe kështu të qetësohemi”. Kjo mënyrë të foluri ndihmon të afrohen me njëri-tjetrin, në vend që të izolohen, siç ndodh në rastin e kërcënimit.
E folura në mënyrë urdhërore e të rriturit, që ka humbur durimin për një arsye të vetën dhe nuk duron disa teka të vogla në fund të ditës të fëmijës, që në fund të fundit po mëson të kontrollojë ambientin. Në vend të shprehjes “shko laji shpejt dhëmbët”, mund t’i thotë: “si do të bësh, do të lash dhëmbët e kukullës të parat apo të tuat”. Kjo mënyrë i jep një mundësi zgjedhje që ndihmon të dalë nga gjendja e grindur që ndodhet.
Në vend të frazës “ha ose do të shkosh të flesh pa ngrënë” mund t’i thuhet: “çfarë të bëjmë që ngrënia e këtij ushqimi të bëhet sa më e shijshme”. Kjo frazë vlen për të bërë fëmijën më të përgjegjshëm, sepse duhet të gjejë ai një zgjidhje.
Në vend të shprehjes “mjaft, fëmijë qaraman” mund t’i thuhet: “si thua ta kërkosh apo të flasësh me një ton normal që edhe unë të kuptoj mirë atë që po të shqetëson”. Shpesh fëmijët i kërkojnë gjërat nëpërmjet ankimit dhe qarjes sepse nuk e kuptojnë sjelljen e tyre dhe i rrituri duhet ta kujtojë dhe t’ja emërtojë sjelljen që po demonstron.
Në vend të shprehjes: “pusho, nuk të dëgjoj” mund t’i thuhet: “si thua të gjejmë një zgjidhje”. Edhe kjo shprehje ndihmon fëmijën të mësojë përgjegjësinë. Kur fëmija ankohet për shkollën, apo ankohet për vëllanë apo motrën ju të rritur kërkojini të gjejë një zgjidhje, çfarëdo zgjidhje që të jetë mjafton ta gjejë vetë.
Në vend të shprehjes “sa herë duhet ta përsëris”, mund t’i thoni: “e shoh që nuk e ke dëgjuar atë që po të thosha. Si thua ta përsërisësh me zë të ulët atë që unë të them”. Kur i kërkojmë fëmijës të përsërisë fjalët që i themi, atij i bëjnë më shumë përshtypje dhe njëkohësisht krijohet dhe një situatë humoristike.
Shprehja “po më turpëron” duhet hequr nga fjalori sepse e bën fëmijën të vuajë dhe të dyshojë te vetja. Në raste të tilla mund t’i thuhet: “hajde shkojmë në një vend që nuk na dëgjon njeri dhe të gjejmë një zgjidhje”. Propozimi që ta zgjidhni sëbashku, i fuqizon fëmijës sigurinë që nuk është vetëm dhe se nuk ja fajësojnë ndjesinë që provon.
Në vend të shprehjes “mjaft bërtite”, mund të përdorim një shprehje të tillë: “si thua, të bëjmë sikur ke ditëlindjen dhe t’u fryjmë qirinjve, marrim frymë thellë dhe e nxjerrim me gjithë forcën, si thua?" Frymëmarrja e thellë e vendos trupin në një gjendje qetësie, qetësi që fëmija ka shumë nevojë në këto raste.
Në vend të shprehjes “të kisha thënë, por nuk dëgjove”, mund t’i thoni: “të kam shumë xhan, por duhet të kuptosh që disa gjëra nuk bëhen. Mbase ke nevojë për shpjegim tjetër, si thua”? Kjo mënyrë të shprehuri mban të hapur rrugën e komunikimit dhe ndihmon që të shprehurit e emocioneve të bëhen në mënyrë të shëndetshme.
Shprehja “do të çoj në banjë” është një shprehje gjymtuese, pasi në mënyrë të pavetëdijshme, e barazon fëmijën me jashtëqitjen. Prindër gjeni çfarëdo lloj mënyre, por këtë shprehje mos e përdorni. Është e vërtetë që kur e përdorni këtë shprehje dhe kryeni veprimin, jeni të lodhur keni humbur durimin, por edhe pse ka qenë një praktikë e zakonshme ndëshkimi një brez më parë, duhet ta shmangni.
Në vend të shprehjes “po humbas durimin” mund të përdorni ngjyrat për të përshkruar gjendjen tuaj si p.sh: "e gjelbërta është qetësia, e verdha frustracioni dhe e kuqja i inatosur, t’i çfarë ngjyre je se unë jam ndërmjet të verdhës dhe të kuqes. Si thua çfarë të bëjmë që të bëhemi prapë të gjelbërt”? Emërtimi i emocioneve nëpërmjet ngjyrave i ndihmon fëmijët t’i shikojnë emocionet e tyre dhe të kuptojnë mirë atë që provojnë dhe i ndihmon të gjejnë zgjidhje.
(Lira Gjika, Portali Shkollor)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj
Të ndryshëm, por të barabartë
“Liri në timokraci?!”, ese nga Fahrudin Dungaj