PROJEKT

Fundjava e librit

Nxënësit e shkollës “Andon Xoxa”, Fier, kanë nisur një projekt “Fundjava e librit”. Përmes këtij projekti, fëmijët motivohen të lexojnë sa më shumë libra. Edhe pse virtualisht, kjo është një mënyrë për t’i afruar me njëri-tjetrin.

Libri është padyshim thesari më i çmuar për të pasuruar botën e brendshme të njeriut, por sidomos tek fëmijët rëndësia e tij rritet akoma më shumë, pasi të lexuarit ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin mendor të fëmijës.


Është libri ai që nxit imagjinatën e fëmijës dhe e bën mendjen e tij të jetë më kreative dhe aktive. Gjithashtu, librat favorizojnë zhvillimin e shkathtësisë, përmirësojnë gjuhën dhe të folurin, si dhe i ndihmon të shprehin çfarë mendojnë.


Të ndikuar nga kushtet e krijuara gjatë periudhës së pandemisë, me dëshirën për të qenë në kontakt me njëri-tjetrin, nxënësit e klasës së IV-C  të shkollës 9-vjeçare “Andon Xoxa” Fier, filluan “Fundjavën e librit”. 


Një projekt ky i nisur nga nxënësit e kësaj klase një vit më parë në periudhën e karantinës totale të të gjithë vendit, duke dërguar te grupi i klasës video dhe foto të leximeve gjatë fundjavës. Kjo është një mënyrë komunikimi me njëri tjetrin, për të mos u shkëputur nga njëri-tjetri. Kështu, ata ndanin eksperiencat e shumë ngjarjeve apo rrëfimeve që lexonin. Kishte raste edhe kur i rekomandonin njëri-tjetrit libra të rinj.  

Nxënësit e shkollës "Andon Xoxa", Fier

Ky projekt i nisur një vit më parë nuk është ndërprerë në asnjë periudhë, si gjatë periudhës së shkollës, ashtu dhe gjatë pushimeve verore apo dimërore. Librat e zgjedhur prej tyre i përkasin zhanreve të ndryshme, si: tregime, fabula, përralla, gjeagjëza, etj. 


Një projekt të tillë nxënësit e shkollës “Andon Xoxa”, ua rekomandojnë moshatarëve të tyre, për t’i shoqëruar në vazhdimësi. 

Nxënësit e shkollës "Andon Xoxa", Fier



Nga Blerina Hima Mërtiri, shkolla “Andon Xoxa”, Fier

Publikim Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,185 Lexime
9 muaj më parë