ESE

Ne bëjmë kohën apo koha na bën ne?

Ne duhet të ndjekim shembullin e Faustit që theu barrierat që koha i serviri dhe vdiq i përmbushur nga çdo aspekt. Unë mendoj se duhet të jemi ne ata që bëjmë kohën dhe jo e kundërta sepse ndryshe do të vetëshkatërrohemi.

Jetoj në një botë, ku nuk e di shijen e vërtetë të të jetuarit. Shikoj një sfond, ku jo gjithçka është ashtu siç duket. Dëgjoj një zhurmë që prek çdo nerv dëgjimi, por asnjë qelizë shpirti. Kam nisur të pikturoj një tablo me ngjyra tepër të kufizuara e të pajeta, me ngjyrën e bardhë dhe të zezë. Vishem me petkun që të gjithë e kanë provuar. Ndalem, stepem. Hedh sytë përtej burgut ku rastësisht dhe pa dëshirë u gjenda. Hedh sytë përtej këtij bugu të errët ku në vend, që të dëgjohen tik-taket e zemrës, lëshojnë jehonë tik-taket e orës. Shoh dritë, shoh shpresë. Sytë e mi perceptojnë diçka ndryshe nga ajo jeta mekanike, ndryshe nga ato lodrat me ingranazhe pa vaj. Kuptoj që ne mund të jemi mbretërit e shpirtit tonë dhe jo skllevërit e mjeteve, që shpirti zgjedh për të na shkatërruar. A është vallë koha ajo që i ndryshon njerëzit apo jemi ne ata që e shpirtëzojmë kohën dhe e bëjmë mike të përjetshme?

       Më entuziazmon fakti që do më duhet të argumentoj këtë çështje, që e fut shpirtin tonë shpeshherë në një fushë-betejë të zjarrtë homeriane, ku ka dy opsione: të fitoj ose të humbas, dhe më duhet të them se unë përqafohem me idenë se ne e bëjmë kohën. 

       Të gjithë në jetë përballemi me zgjedhje, provojmë tundime e detyrohemi të marrim vendime. Shpirti i Faustit i kaloi të gjitha këto faza. Ai kapërceu çdo pengesë të mundshme dhe luftoi me çdo tundim të Mefistofelit. Ajo që e mbajti gjallë shpirtin e tij, ishte dëshira për t’u arratisur nga ajo monotonia, që ndonjëherë të fusin rrugët e moshës dhe të vinte në praktikë dijen e tij për një ndihmë universale. Mefistofeli i dhuron Faustit rininë, pra kthimin në kohë. Në dukje ishte një dhuratë mbresëlënëse, por kurrë ajo e dëshiruara. Më pas i injekton dozën pasionante të dashurisë. Tashmë Fausti ishte bërë pjesë e një spektakli të madh që duhet t’ia kapte thelbin mirë. Ai vërtitej në boshtin që koha e kishte shndërruar, por kurrë nuk i trazoheshin mendimet. Koha po i jepte dëshira rinore, por shpirti i tij i jepte dëshira të mëdha jetësore. Ai donte të braktiste monotoninë, ai donte të zbehte mundësitë që të jep koha për të ngritur në piedestal mundësitë që të jep shpirti për të prodhuar vetë kohën. 

       Le të zhvendosemi në një rrymë tjetër letrare si realizmi. Këtë portë të madhe letrare do e hapja nën shoqërinë primare të Balzakut me personazhin e tij tragik xha Gorion. Ai është një personazh që ka lënë përshtypje të mëdha tek unë, dhe më ka ndryshuar deri diku perceptimin që kisha krijuar për botën. Balzaku e servir në pjatë të ftohtë realitetin e këtij personazhi. Xha Gorioi jepte dhe vetëm jepte. A merrte gjë ai? Asnjëherë. Ai priste me padurim dashurinë e të bijave, pa ditur se koha i kishte rezervuar vdekjen më tragjike. Nuk vepronte në një hap me kohën, gjithmonë ishte pas saj. Gjithmonë e gjente veten në një batak nga i cili po e shtynte akoma më shumë ajo. Humbiste nga dita në ditë. Gjaku i tij po përpihej vetëm nga paaftësia e tij për të kuptuar gabimin para se koha ta merrte përfundimisht në djepin e të humburve. . 

        Ema Bovari. Një emër që u gdhend në tragjizmat më të mëdha të krijuara ndonjëherë. Një personazh tipik pasioni, që gabimi i saj i vetëm ishte se ëndërronte dhe në një farë mënyre besonte shumë. Një lodër që digjej për epshe dhe vdiste nga ndenja dashurore. Ajo gjithmonë priste, priste dhe vetëm priste. Gjithë fuqitë e saj ia kishte huazuar koha. Koha e nxirrte atë në rrugë qorre me qindra herë, por ajo përsëri besonte në dhuntitë e saj. Ajo e vërtiste në një bosht që po dilte nga mekanizmat. Sytë dhe shpirti i saj tashmë kishin krijuar varësi ndaj kohës. A veproi mirë ajo? U martua me Sharlin, kuptoi se kishte gabuar dhe çfarë bëri? Priti. Ra në dashuri me Leonin dhe çfarë bëri? Priti që koha t’i sillte rrethana më të mira. Krijoi një lloj lidhje që Floberi do ta quante lidhje dashurore idiote gjithë adhurim për Rodolfin dhe gjithë epshe për Emën, dhe ç’bëri? Priti 4 vjet me radhë, derisa zemra iu shkatërrua në mijëra copa. I dha veten jo vetëm dashurisë, por edhe kohës. Nuk arrti ta kapte atë nga frerët dhe vdiq në mënyrë tragjike. 

       Sapo ofrova tre shembuj nga dy rrymat më të mëdha të letërsisë si romantizmi dhe realizmi. Tre shembuj, që e ngrenë në piedestal fatin e njeriut nëse i jep shpirtin kohës. Është shumë i hidhur ky fakt. Të presim nga një botë relative kur ne jetojmë në një botë reale. Pra, ndryshe nga Ema dhe xha Gorioi që humbasin në shtigje të cilat koha i shtron, ne duhet të ndjekim shembullin e Faustit që theu barrierat që koha i serviri dhe vdiq i përmbushur nga çdo aspekt. Unë mendoj se duhet të jemi ne ata që bëjmë kohën dhe jo e kundërta sepse ndryshe do të vetëshkatërrohemi. 



Grasiela Lugja, klasa 11-të, shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

13,660 Lexime
4 vjet më parë