Një heshtje që flet!

"Gjithë bota brenda një dhome..."

Në një faqe muri në dhomën e studimit, qëndron vendosur pasuria më e madhe që kemi në shtëpi. Nuk dua tjetër gjë veç të qëndroj para saj. Aty gjen pak nga të gjitha...Shkencë, art, poezi, histori dashurie, melodramë, libra aksion, historik...

Në një faqe muri në dhomën e studimit, qëndron vendosur pasuria më e madhe që kemi në shtëpi. Gjithë bota brenda një dhome...Nuk dua tjetër gjë veç të qëndroj para saj. Aty gjen pak nga të gjitha...Shkencë, art, poezi, histori dashurie, melodramë, libra aksion, libra historik, pasion për gatim...Të gjitha ato me të cilat jam rritur.


Atij globi vendosur mbi raftin e saj e kam kaq të lehtë t’i eci në këmbë kur shfletoj qoftë dhe një faqe të vetme, rrugëve të tij kam ecur kaq e kaq herë ulur aty në folezën time të sigurt...

Nuk është nga ato bibliotekat e trashëguara nga gjyshi, aty trashëguar prej tij gjen veç dëshirën që i la tim eti për arsim, e gjen në çdo libër radhitur aty e në çdo faqe që shfleton brenda tyre. 


Nuk është e vjetër dhe as e madhe si ato të kryeqyteteve më të dëgjuara të botës, po është krijuar me kaq shumë dashuri dhe përkushtim. Aty është historia e çdo ditëlindjeje të sime motre dhe times, ku nuk ka munguar kurrë dhuratë një libër, aty është historia e çdo fillim-viti të ri ku unë nuk kam njohur fillim tjetër më të bukur se sa shfletimin e më të riut botë-mbartës që e gjeja dhuratë poshtë pemës, aty është historia e çdo viti shkollor, aty është historia e një jete...


Nuk dua t’a shkruaj në tjetër vend historinë time veçse në raftet e saj, nuk dua të tregoj historinë time në ndonjë mbrëmje pranverore buzë liqenit a në ndonjë natë afër oxhakut, dua t’a lë shkruar këtyre rafteve e të lexohet veç me një shikim hedhur në to.   

       

Nëse ndonjë ditë më ke kërkuar dhe s’më kë gjetur askund, eja dhe kërkomë këtu...do të më gjesh patjetër ulur këtu mbushur plot gëzim.


Heshtjes së madhështisë së kësaj dhome mbushur-libra i besoj më shumë se çdo fjale që them vet, heshtjes së saj i dorëzohem pa e menduar, heshtja e saj më mbush me emocion, me shpresë, me jetë...Heshtja e saj më bën të besoj te ardhmëria, heshtjes së saj i kam besuar historinë time...


(Joana Osmenaj, Portali Shkollor)

2,542 Lexime
6 vjet më parë