Intervistë me Kleard Gërmenjin: "Fundjava magjike" dhe fuqia e teatrit për fëmijë që ngre pyetje

“Fundjava magjike” është një shfaqje që prek zemrat e fëmijëve e prindërve, duke i nxitur të reflektojnë për botën reale e atë virtuale. Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, regjisori Kleard Gërmenji flet për frymëzimin, mesazhet dhe fuqinë e teatrit për të mbjellë pyetje e dashuri.

Shfaqja “Fundjava magjike” nuk ishte thjesht një aventurë në skenë, por një udhëtim i gjallë, i mbushur me ngjyra, pyetje dhe reflektime. E përjetova jo vetëm si gazetare, por edhe si prind, sepse pashë djalin tim të dilte nga salla me sy të hapur dhe me mendjen plot kureshtje. Dhe kjo, besoj, është ajo që arti arrin të bëjë më së miri: të të prekë, të të nxisë të mendosh e të kërkosh përgjigje.


Me Kleard Gërmenjin, autorin dhe regjisorin e kësaj shfaqjeje, biseduam për idenë që e shtyu ta sillte këtë histori në teatër, për personazhet simbolike që marrin jetë në skenë, për fuqinë e teatrit sot dhe për rolin e prindërve në përballjen e fëmijëve me botën reale e atë virtuale. Një bisedë që shkon përtej teatrit dhe prek jetën e përditshme të secilit prej nesh.


Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 


“Fundjava magjike” flet për fëmijë që humbasin pas ekranit dhe më pas nisin një udhëtim plot ngjyra e reflektim. Urime që e solle në skenë, ishte një eksperiencë shumë përfshirëse, si për mua si prind, ashtu edhe për djalin tim, i cili doli nga salla me shumë pyetje në mendje :). Doja të nisja me këtë: cili ishte momenti që ju shtyu ta shkruani dhe ta sillnit këtë histori në skenë?


Kjo pyetje më bëri të ndihem shumë mirë. Faleminderit! Më gëzon fakti që ka pasur impakt edhe që djali juaj ka dalë me pyetje në mendje nga shfaqja. Gjithmonë e kam besuar se arti është për të ngritur pyetje dhe jo për të dhënë përgjigje, kjo do ta bënte atë monoton, njësoj si një reklamë që do të të bindë me zor të blesh produktin që ata reklamojnë. Me pak fjalë: moralizma. Kam dashur të ndërtoj një shfaqje që në fund të arrija ta bëja publikun disi të mendonte, dhe jo vetëm të argëtohej. Meqenëse po jetojmë në një periudhë ku shumë flasin se si të bëhesh i pasur për një vit, si të bëhesh i lumtur brenda gjashtë muajve, si të bëhesh i suksesshëm apo edhe si t’i bësh të tjerët të të duan vetëm duke ndjekur disa rregulla (ose ligjësi) që shpeshherë ngelin vetëm në trajtën e të dukurit dhe jo të ndjerit. Rregulla apo këshilla që mund të jenë shumë të sakta, por në thelb - të paktën në syrin tim - janë bosh! Me fjalën “të ndjer” dua të them empati. Me fjalën “bosh” dua të them mungesë empatie. Disa njerëz të mençur kanë thënë se egoja është armiku, edhe unë e besoj. Egoja është katalizator, por kur del jashtë kontrollit shpesh lë pasoja. Edhe ky reflektim ka qenë mendimi im i parë. Rreth kësaj u nxit dëshira për të shkruar diçka, edhe më vonë për t’u kthyer në shfaqje.

Foto nga shfaqja “Fundjava magjike”

Foto nga shfaqja “Fundjava magjike” 

Zgjodha që këtë ide disi të komplikuar ta sillja në një shfaqje për fëmijë, sepse unë e besoj se ata janë shumë të zgjuar për të kuptuar, dhe absolutisht e ardhmja! Por edhe atëherë kur diçka nuk mund ta kuptojnë, hyn në fuqi prindërimi! Marrëdhëniet e shëndetshme fëmijë–prind unë i shoh si një mburojë të fortë ndaj të ardhmes shpeshherë të pasigurt dhe me plot të papritura.



Njeriu Llamarinë është një figurë e rimenduar nga “Magjistari i Mrekullueshëm i Ozit”. Si erdhi ideja për ta përshtatur këtë personazh në aktualitetin e sotëm? A kishte një simbolikë të veçantë për ju?


Siç e thashë më sipër, dramatizimi i kësaj shfaqjeje erdhi si pasojë e një reflektimi. Pas tij, më duhej të gjeja një mënyrë se si ta shprehja atë që ndjeja për ta thënë. Fakti që desha ta transformoja idenë bruto në një shfaqje për fëmijë ishte sfiduese, sepse duhej të gjeja ato elemente edhe figuracione që do ta ndihmonin shfaqjen të krijonte një urë lidhëse të bukur ndërmjet fëmijëve dhe shfaqjes. Në të tilla raste, ku më mirë sesa në veprat klasike mund ta gjesh përgjigjen? Bëra një llogari të shpejtë:


Çfarë dua të zhvilloj? — Empatin!

Si mund ta shpreh në mënyrë të thjeshtëzuar empatin? — Dashuri!

Cili është ai simbol që e bën dashurinë më të prekshme? — Zemra!


Atëherë duhet të gjendet zemra. Kjo më lidhi menjëherë me “Njeriun llamarinë”, i cili është personazh te Magjistari i Ozit nga L. Frank Baum. 

Foto nga shfaqja “Fundjava magjike” 

Foto nga shfaqja “Fundjava magjike” 

Por në një botë ku teknologjia ka vrapuar, të qenurit thjesht llamarinë nuk do të ishte aspak e besueshme. Ndaj unë e transformova në një personazh që tani më është prej mishi, por llamarina ekziston tanimë shumë larg së jashtmes dhe shumë afër të brendshmes (të ndjerit). Llamarina është material i ftohtë, jo shumë elastik dhe me një ngjyrë të zbehtë grije. Në një dimension tjetër, këto specifika i gjen edhe te njerëzit, ku ekranet shpesh ndriçojnë më shumë se ata vetë.



Në shfaqje ka mesazhe shumë të qarta për fëmijët: të flasin me prindërit, të gjejnë lumturinë jashtë telefonit, të vlerësojnë lojën e leximin. A mendoni se teatri ka ende forcë reale për të ndryshuar sjellje, apo është thjesht një kujtesë e bukur?


Do doja një javë kohë ta mendoja përgjigjen e kësaj pyetjeje! Hahaha. Teatri është disiplinë e artit. Arti nuk mund të zhduket nga njeriu, mund të distancohet, por kurrë të zhduket. Po më kujtohet një frazë e Umberto Eco: “Libri nuk është një shpikje që mund të zëvendësohet. Është si rrota, pasi shpiket, mbetet aty.” Unë po e huazoj dhe po them: “Teatri nuk është një shpikje që mund të zëvendësohet. Është si rrota, pasi shpiket, mbetet aty.” Por a e ka teatri të njëjtën forcë si dikur? Me keqardhje më duhet të them: JO. Teatri nuk është TREND dhe disi po e vuan mungesën e vëmendjes që meriton. Në vendin tonë, një mori problematikash e kanë çuar në një ngërç forcën e tij. Por shpresa nuk duhet të shuhet, ndoshta në një moment do të ketë tranzicion për të. Kur një i ri hyn në shkollë e regjisë së teatrit, një ndër leksionet bazë që merr është: Teatri është katharsis (është pastrim i ndjenjave përmes përjetimit të thellë emocional). Si i tillë, pa diskutim e ka forcën reale të ndryshojë sjelljen.



Ju e përmendët (nga biseda pas shfaqjes ) që pas pandemisë interesi për shfaqjet ka rënë. Çfarë mendoni se mungon sot te publiku ynë, sidomos te prindërit? A është mungesë kohe, apo mungesë dëshire për t’u përfshirë?


Më pëlqen të mos flas pa fakte. Unë nuk e kam një studim në dorë që tregon pse ndodh kjo, por mund të them se pandemia na forcoi ndjesinë e distancimit. Transformoi mënyrën si jetonim dhe si bashkëvepronim. Jeta është bërë e shpejtë, duket sikur duam të kemi çdo gjë në jetë dhe vrapojmë pa menduar se njeriu nuk u krijua të ketë çdo gjë. Pa dashur kemi rënë në një çark i cili nuk po na lë kohën të reflektojmë. Është e vërtetë se ka një rënie të publikut; nuk mendoj se është mungesë dëshire, por më shumë mungesë fokusi. Në sytë e mi duket sikur një pjesë e publikut zgjedh ta kalojë pasditen me diçka më të përgjithshme. Ndoshta rendimenti i jetës së shpejtë ka këto efekte negative, siç është humbja e fokusit e shoqëruar me një përtësi të përgjithshme.



Kur shfaqja luhet përballë fëmijëve, ata reagojnë shumë spontanisht, qeshin, bërtasin, ngrihen në këmbë, pyesin. Cili ka qenë momenti më i papritur ose më i bukur që keni përjetuar gjatë shfaqjes?


Momenti më i bukur për mua është gjithmonë i njëjti. Imazhi i fëmijëve që vijnë për dore me prindërit, më pas ulen në ulëset, drita fiket, edhe vetë prezenca e tyre të bën ta admirosh momentin.



Ju dukeni si një idealist që kërkon të japë vlera dhe ndjeshmëri përmes teatrit. Si e përjetoni ju personalisht këtë mision? Ju lodh më shumë, apo ju mban gjallë?


Po ndihem si para një terapisteje profesioniste tani. Hahaha. Mënyra si unë jam rritur është e tillë që të kërkoj perfeksion kudo. Në çdo fund projekti ndjej lodhje, por lodhja më bën të ndihem gjallë. Nuk e shoh me syrin negativ lodhjen - biologjikisht njeriu u ndërtua të lodhet.vDisa profesione për mua e tejkalojnë termin “detyrë” dhe kthehen në një mision. Arti për mua është i tillë. Nuk mund të krijosh duke kalkuluar se sa do krijosh sot, pse do krijosh sot, sa do të të japin po krijove. Krijimi duhet të ketë harmoninë e lirisë, ose ndryshe bie në çarkun e të bërit sikur bën. Në sytë e mi, krijimi fillon atëherë kur nuk e ndjen peshën e kokës në supe - atëherë kur qenia jote thjesht krijon, sepse e tillë është krijuar. Çdokush ka të drejtë të zgjedhë se si jeton edhe vepron, por personalisht nuk mund ta justifikoj dot të nisesh për një mision, ta idealizosh atë, dhe rrugës të bëhesh mercenar. E di se kjo që them tingëllon kaq utopike, por për mua jeta është e shkurtër për t’u humbur me kalkulime të ndikuara nga një ego pa fre.

Kleard Gërmenjin, regjisor 


Në kohët që jetojmë, kur gjithçka është e shpejtë dhe virtuale, sa e vështirë është të bësh një teatër që fëmijët ta ndjejnë si “magjik”?


Është sfiduese mjaftueshëm! Kur mendon që fëmijët kanë kaq shumë mundësi ku të kalojnë kohën e lirë, të bën të mendosh: pse duhet të zgjedhin “magjinë”! Por humanët kanë një avantazh përballë virtuales, sepse humania është gjeneza jonë, edhe pavarësisht se mund ta shmangemi, përsëri në fund të ditës do kthehemi te vetja.Janë disa aspekte që i kemi në natyrë, edhe zor se do mund t’i vrasim - të paktën edhe për nja 100 vite.



Nëse do t’i drejtoheshit një prindi që heziton ta çojë fëmijën në teatër, çfarë do t’i thoshit?


Varet nga rasti! Por gjëja e parë që më vjen në mendje është t’i them: Mos gjyko para kohe! Si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit, procesi i të mësuarit nuk ka fund. Në rast se mendon se e ke kalkuluar saktë pse nuk duhet një fëmijë të vijë në teatër, do ishte e shëndetshme ta rimendosh! Teatri formon shprehi, nxit imagjinatën. Ndaj rimendoje, por kësaj radhe jo me syrin se di gjithçka dhe as me atë syrin që vetëm kritikon. Thjesht provoje!



A ka një shfaqje të fëmijërisë suaj, ose një kujtim nga teatri i parë që keni parë, që ju ka frymëzuar për të ndjekur këtë rrugë?


Po patjetër! Unë kam arritur kohën e videokasetave, edhe mbaj mend që prindërit e mi më kanë blerë një kasetë kur kam qenë i vogël, që ishte shfaqja “Katallani dhe Pinoku”. Në mos gaboj, ka qenë prodhim i Teatrit të Kukullave dhe duhet të kenë qenë vitet 2002 ose 2003, nuk jam i sigurt. Ai ka qenë impakti im i parë me teatrin për fëmijë. Për fat të keq, nuk ishte drejt për së drejti, ashtu siç teatri duhet të ndiqet, por në vendin tim të lindjes nuk ka pasur një sallë ku jepeshin shfaqje për fëmijë. E them me shaka shpesh: kanë qenë të tjera kohëra. Mbaj mend se e shihja në televizor dhe më bënte përshtypje pse nuk ishte si filmat normalë. Ai ishte impakti im i parë - është i largët, ndaj nuk di të them se si më ka frymëzuar, por di të them se ajo kasetë u rivu aq shpesh sa shiriti i saj u skarcua.



Çfarë shpresoni të marrin me vete fëmijët kur të largohen nga “Fundjava magjike”? Dhe çfarë doni të mbetet në zemrën e tyre pas këtij udhëtimi?


Gjëja e parë që më vjen në mendje është që ata të kuptojnë se janë më të fortë, më të mençur dhe më të guximshëm sesa mendojnë! Një batutë gjatë shfaqjes thotë: Kushdo mund ta humbasë zemrën nëse nuk kujdeset për veten e tij. Nëse ndihesh shumë i trishtuar ose i shqetësuar, mos ki frikë të kërkosh ndihmë nga dikush që ti i beson, sepse është gjithmonë mirë të flasësh kur ke nevojë për ndihmë. Ajo çfarë dua të mbesë në zemrën e tyre është pa diskutim dashuria!



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

188 Lexime
3 ditë më parë